Zgjedhjet në PD, ja kush janë drejtuesit e rinj në Shkodër, Lezhë, Mat dhe Vlorë
Prej disa ditësh po zhvillohen votimet për krerët e degëve të Partisë Demokratike. Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar votime në Vlorë, Lezhë dhe Shkoder.
Xhevdet Amuli është zgjedhur kryetar i PD-së në Shkodër duke mposhtur në gare Ramiz Çobajn kryetarin aktual të kësaj dege. 243 vota ka marrë fituesi ndërkohe që Ramiz Çobaj ka marrë 241 vota. 8 kanë vota dalë të pavlefshme.
Edhe në Mat u zhvilluan zgjedhjet për kreun e PD-së.
Në garë, morën pjesë Alfred Ahmetcenaj, ish-kryetari i degës lokale dhe Arjan Lika, drejtori i SHA Ujësjellës-Kanalizime Mat.
Pas numërimit të votave, Lika rezultoi fitues me 171 vota, Ahmetcenaj mori 55, ndërsa 10 vota rezultuan te pavlefshme.
Dega lokale njoftoi se nuk kishte pasur incidente gjatë zgjedhjeve.
Zef Gjoka është kryetari i ri i Partisë Demokratike në Lezhë, i zgjedhur në votimet që u mbajtën këtë të diel.
Gjoka ka fituar garën përballë kryetarit aktual, Paulin Marku.
Nga 339 votues, në zgjedhje votuan 306, ndërkohë që Gjoka fitoi me 213 vota diferencë, ndërsa Marku mori vetëm 88.
Në përfundim të procesit zgjedhor, të dy kandidatët kanë shtrënguar duart me njëri-tjetrin, duke përcjellë një mesazh bashkimi.
Genc Deromemaj është kryetar i ri i Partisë Demokratike në Vlorë.
352 votues kanë qenë pjesë e votimit të sotëm në Vlorë.
Nga 352, vetëm katër vota kanë dale të pavlefshme. Deromemaj ka marrë 12 vota më shume se sa kandidati tjetër, Gjergj Nika.
Kryetari i ri i PD Vlorë, Genc Deromemaj ka qenë kandidat i PD-së për kryetar i bashkisë Vlorë në zgjedhjet vendore të vitit 2015, nën logon e Partisë Demokratike.