VATRA U PRIT NË DEPARTAMENTIN E SHTETIT NË UASHINGTON

Uashington, 16 Shtator 2022- Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra u prit në një takim të nivelit të lartë në Departamentin e Shtetit Amerikan në Uashington. Delegacioni i Vatrës i kryesuar nga kryetari z.Elmi Berisha, Shefi i Kabinetit Dr. Pashko Camaj, Mondi Rakaj anëtar i Kryesisë së Vatrës, përgjegjës për Degët dhe çështjet e lobimit, zgjerimit e bashkëpunimit, z.Besim Malota arkëtar i Vatrës u pritën ngrohtësisht nga Përgjegjësi i Zyrës për Shqipërinë Oficer Erin Tramontozzi dhe Përgjegjësi i Zyrës për Kosovën Oficer Anne Morrison. Në këtë takim të nivelit të lartë, Diplomatët Përgjegjës për Shqipërinë e Kosovën vlerësuan bashkëpunimin, përpjekjet dhe rolin e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në forcimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes Vatrës dhe Departamentit të Shtetit e Institucioneve të tjera Amerikane. Në këtë takim delegacioni i Vatrës diskutoi rreth fuqizimit të bashkëpunimit në të ardhmen mes Vatrës dhe Institucioneve Amerikane, vazhdimin e dialogut Kosovë- Serbi nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Federata Vatra qëndron fuqishëm në mbrojtjen e Integritetit territorial të Kosovës dhe hedh poshtë kategorikisht idenë e Asociacionit. Vatra kërkon nga SHBA dhe Ambasadori Amerikan në Prishtinë Z.Jeffrey Hovenier të shtojë rolin dhe peshën e tij në unifikimim të spektrit politik në Kosovë për interesa kombëtare dhe diskutoi rreth nevojës që të shihet një mundësi përafrimi të kuadrit ligjor dhe lehtësirave për kontrata pune për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri e viset e tjera shqiptare për në Shtetet e Bashkuara. Vatra këmbëngul në fuqizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë, Kosovës e Institucioneve të Shtetit Amerikan.