
Trump anulon takimin e nivelit të lartë me Korenë e Veriut
Shtëpia e Bardhë njoftoi përmes një deklarate se është anuluar takimi mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreno-verior Kim Jong un. Presidenti Donald Trump postoi më pas një koment në Twitter ku shkruan se “shumë gjëra mund të ndodhin dhe ka gjasa që një shans i madh na pret në të ardhmen. Por mendoj se ky është një hap shumë i ndjeshëm prapa për Korenë e Veriut dhe për gjithë botën”.
Presidenti po ashtu paralajmëroi se forcat e armatosura amerikane janë “më të përgatitura se kurrë” së bashku me aleatët koreano-jugorë dhe japonezë, nëse Koreja e Veriut ndërmerr “ndonjë akt të papeshuar apo të papërgjegjshëm”.
Presidenti Trump shprehu shpresën se udhëheqja e Phenianit do të bashkohej me komunitetin e vendeve.
Vendimi i Shtëpisë së Bardhë vjen pas komenteve të sotme nga autoritetet në Phenian, që u shprehën se Koreja e Veriut është e gatshme për të dyja: ballafaqim bërthamor, ose për bisedime në tryezën e negociatave. Po sot Pheniani u shpreh me terma fyese në adresë të Nënpresidentit Mike Pence, duke e cilësuar si një “politikan kukull”. Në letrën e tij drejtuar udhëheqësit koreano-verior, Presidenti Donald Trump shkruan se revoltimi dhe armiqësia e hapur e shfaqur në deklaratat e fundit të Phenianit, e bën të papërshtatshëm për momentin zhvillimin e takimit të shumëpritur.