Thirrjet antishiptare në Bularat të Gjirokastrës , arrestohen 6 grekë 

Policia shqiptare ka ndaluar 6 minoritarë grekë si organizatorë të bllokimit të trafikut për më shumë se 10 minuta në aksin Gjirokastër-Kakavijë.

Mes të arrestuarve janë ekstremisti i njohur, i cili është kryetar i Bashkimit Qendror të Epirit të Veriut, Babis-Harallambos Karathano dhe shtetasi Anestis Kacis.

Ndërkohë, mediat greke raportojnë se në pranga kanë rënë edhe Thoma Stefo, ish-kreu i Këshillit drejtues të OMONIA, Kristo Duçi, ish-kreu i komunës Dropull si dhe Andrea Kurti.

Për tu interesuar për të arrestuarit, në komisariatin e Gjirokastrës ka shkuar kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Gjithçka ndodhi pas ceremonisë së varrimit, ku rreth 500 shtetas grekë, mes tyre shumë ekstremistë, lanë fshatin Bularat për tu kthyer në Greqi.

Ata bllokuan aksin rrugor duke protestuar me të njëjtat thirrje antishqiptare të lëshuara edhe gjatë ceremonisë mortore.

Vetë banorët thonë se bllokimi i rrugës ishte planifikuar duke bërë thirrje për drejtësi për shtetin shqiptar.

Aksi nacional Gjirokastër-Kakavijë është zhbllokuar me ndërhyrjen e forcave të rendit.