Të përndjekurit e Shkodrës: Nderojmë luftën nacional -çlirimtare, jo kriminelët e sajë
DEKLARATE PER SHTYP
Në mbledhjen mujore të datës 16.05.2019 Shoqata e te Përndjekurve Politikë Shkodër ,analizoi debatin publik të hapur prej deputetit socialist Spartak Braho kundër drejtorit të Institutit të studimeve të krimeve të komunizmit, Z. Agron Tufa në lidhje me vlerësimin ose mosvlerësimin e luftës nacional çlirimtare të formacioneve partizane komuniste si dhe krimet e bëra prej tyre mbi popullsin e pafajshme shqiptare gjatë luftës së dytë botërore të publikuara nga ISKK dhe doli me perfundimin si më poshtë:
Shoqata respekton dhe nderon luftën nacional çlirimtare të të gjithë formacioneve që luftuan kundër pushtuesve të huaj gjatë luftës se dytë botërore; të partizanëve komunistë, të formacioneve balliste, reparteve legaliste si dhe të atyre të pavarur ( Muharrem Bajraktarit etj.)
Shoqata gjithashtu respekton dhe përkulet me nderim për të gjithë ato shqiptarë patriotë të cilët dhanë jetën e tyre në luftë dhe përpjekje kundër okupatorëve të jashtëm, pavarësisht prej bindjeve të tyre politike, çka do të thotë se kërkon që të shpallen ‘ Dëshmorë të atdheut ‘ edhe ato persona që nuk bënin pjesë në formacionet komuniste partizane, por që dhanë jetën kundër okupatorëve si pjesë e formacioneve balliste, legaliste ose të pavaruara.
Duke qenë thellësisht të bindur se ‘ e verteta dhe vetëm e verteta ‘ si pjesë themelore e ‘Kujtesës historike ‘ mund të ndikojë pozitivisht drejtë unifikimit të bindjeve të brezit të ri shqiptar, pra drejtë nji situate përespektive të dëshirueshme ku shqiptarët mund të jene mendërisht dhe moralisht të bashkuar për interpretimin e çështjeve madhore të historisë së tyre , Shoqata gjenë rastin të deklarojë se dënon ashpër krimin komunist të bërë prej partizanëve komunistë kundër vëllzërve të tyre shqiptar gjatë luftës së dytë botërore, qëndrim që përputhej me teorinë bolshevike të marrjes me forcë të pushtetit pas largimit të ushtrisë gjermane prej territorit Shqiptar. Faktet dhe dokumentët e shumtë arkivorë që janë publikuar kohët e fundit kryesisht nga Instituti i Studimeve të krimit Komunist, por edhe prej studjuesve të tjerë, provojnë pamëdyshje sa më sipër.
Me qenë se ndodhemi para një situate ku ish drejtuesit e Partisë Komuniste Shqiptare, përgjegjës kryesore të krimit komunist gjatë luftës së dytë botërore dhe gjatë sundimit diktatorial të Enver Hoxhës nuk kërkuan kurrë falje popullit shqiptar për krimet e bëra nga diktatura, e vetmja rrugë në favor të një mirëkuptimi shoqëror mbetet vetem publikimi dhe edukimi me të ‘ verteten historike ‘ i brezit të ri’ , bazuar në dokumentë arkivor autentikë.
Sipas këtij këndveshtrimi Shoqata gjenë rastin të përgëzojë dhe të falënderjë ISKK si dhe studjuesin Z. Çelo Hoxha që i bëri të ditur mbarëshqiptarëve emërat e atyre drejtuesve të formacioneve partizane ose jo, që bënë krime terroriste gjatë luftës së dytë botërore mbi popullin shqiptar. Në të njëjten kohë neve e shohim të udhës të deklarojmë se sa më sipër nuk përlyen sakrificat dhe gjakun e atyre që e luftuan okupatorin dhe që ishin pjesë e formacioneve partizane te drejtuara nga komunistët sepse sipas informacionit të berë publik nga vetë komunistët si dhe nga shoqatat e veteranëve mbi numrin e formacioneve partizane, jemi në dijeni se kanë qenë 70.000 luftëtarë partizanë që morën pjesë në luftë kundër pushtuesit, pra ndër 70.000 partizanë rezultojne vetëm 265 kriminelë, kryesisht drejtuesa të indikriminuar me doktrinën komuniste !
Së fundi bëjmë me dije të gjithë opinionit publik se Shoqata e konsideron debatin e hapur, në lidhje me sa më sipër, si nji dukuri të re pozitive për shoqërinë shqiptare. Jemi të mendimit se vetëm debati publik i hapur ” mund të ” ja heqë petën lakërorit” dhe shqiptarët e kryesisht brezi i ri, më së fundi mund të arrijnë të kuptojnë të vertetën, e fshehur qëllimisht deri sot , të krimit komunist në Shqipëri
Kryetari
Zenel Drangu
Shkodër, 16.05.2019