“Të ndryshojë vettingu”, Bylykbashi: Ligji bie ndesh me frymën e Kushtetutës
Partia Demokratike ka shfrytëzuar diskutimin në Këshillin e Legjislaciont të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për rregullimin e disa neneve në ligjet e reformës në drejtësi, për të kërkuar sërish ndryshimin e vettingut dhe listën për KLP dhe KLGJ. Për vettingun, argument i demokratëve është se pavarësisht faktit që gjykata e la në fuqi ligjin, në arsyetimin e vendimit përcaktohen rregulla që duhen reflektuar, ndërsa në lidhje me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë, demokratët kërkojnë heqjen e filtrave për kandidatët që zgjedh parlamenti në këto institucione.
Opozita kërkon sërish ndryshimin e ligjit të vettingut dhe atij për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Rikthimin e këtij debati, Partisë Demokratike ja mundësoi diskutimi në Këshillin e Legjislacionit, i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për rregullimin e ligjeve bazë të reformës në drejtësi.
Demokratët për ligjin vettingut theksojnë se pavarësisht faktit që gjykata e la në fuqi, në arsyetimin e vendimit përcaktohen rregulla që duhen reflektuar, ndërsa në lidhje me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë demokratët kërkojnë heqjen e filtrave për kandidatët që zgjedh parlamenti në këto institucione.
Bylykbashi: Arsyetimi ndryshon mënyrën e zbatimit konkret të procesit të vettingut, vendos kufizime absolute për organet jokushtetuese të përfshira në vetting dhe u jep dominancë dhe prioritet organeve të vettingut që të jenë ato që e drejtojnë, kontrollojnë, procesin drejtëpërdrejtë.
Alibeaj: Produkti që ka dalë është ai që po gatuhet tek goglat, o bashkëpunëtor sigurimi, o nuk paguajnë taksat dhe tatimet, o nuk kanë edhe eksperiencën e duhur, të dekriminalizuar madje, ky është produkti i hidhur i një procesi legjislativ të njëanshëm dhe pa konsensus dhe jashtë frymës së Kushtetutës.
Por socialistët nuk janë dakort me ndërhyrje të thella në ligj, ndërsa deputetja Vasilika Hysi tha se ndryshimet të prekin vetëm nenet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese.
Hysi: Nëse do të ketë ndonjë çështje që e bllokon procesin është tjetër gjë, por ajo që ju thatë 80 nene është zhbësh reformën dhe ti bësh ligjet nga fillimi.
Nga 7 ligjet bazë të paketës së reformës në drejtësi, vetëm vettingu u mirtua me konsensus të plotë opozitë-mazhorancë. Sot Partisë Socialiste i duhen 84 vota për të bërë ndryshimet e nevojshme, ndaj konsesusi politik është i detyrueshëm.
/Ora News.tv/
Tags