Të mos harojmë diktaturën

Nga Astrit Jegeni

DEKLARATA UNIVERSALE E TE DREJTAVE TE NJERIUT

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (DUDNj) është një deklaratë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris.
Deklarata lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për të artikuluar mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë njerëz besonin se ishin të drejta themelore që i takojnë të gjitha qenieve njerëzore.
Deklarata përbëhet nga tridhjetë artikuj, të cilët janë përpunuar gjatë viteve në vijim nga traktate ndërkombëtare, transferta ekonomike, instrumente rajonale të të drejtave të njeriut (ku spikat Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut), kushtetutat kombëtare, dhe ligje të tjera. Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut përbëhet nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, me dy Protokolle opsionale. Këto dy Konventa, të cilat shtjellojnë më tej të drejtat e njeriut, u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB në vitin 1966. Në vitin 1976, pasi Konventat ishin ratifikuar nga mjaftueshëm shtete anëtare për të hyrë në fuqi dhe qysh nga ky moment Karta Ndërkombtëare e të Drejtave të Njeriut mori fuqi në ligjin ndërkombëtar.
Historiku
Kur krimet e kryera nga Regjimi nazist në Gjermani u bënë të qartë pas luftës, konsensusi brenda bashkësisë ndërkombëtare ishte se Statuti i Kombeve të Bashkuara nuk ofronte një mbrojtje të mjaftueshme të të drejtave të njeriut, ndaj ishte e nevojshme një Deklaratë Universale që të specifikonte këto të drejta dhe t’i shtjellonte ato.
Krijimi

Në atë çfarë më vonë u bë e njohur si Holokausti, Regjimi i Reichit të Tretë dekretoi politikat qeveritare që direkt të diskriminoni disa pjesë të shoqërisë: Hebrenjët,Komunistët,
Gabe,l homoseksualët, frimasonët, priftërinjët, kundërshtarët fetarë, dhe njerëzit me aftësi të kufizuara, mes tjerëve. Gjatë periudhës Naziste, mbi njëmbëdhjetë milion (11,000,000) njerëz u vranë në Holokaust, përfshirë gjashtë milion (6,000,000) Hebrenjë dhe tre milion (3,000,000) Polakë. Lufta e dytë Botërore dhe gjenocidi Nazist ishin përgjegjës për rreth 35 milion (35,000,000) të vrarë në Evropë.

Ndërkohë që Deklarata nuk është një Traktat me fuqi kushtëzuese për shtetet, ajo u adoptua me qëllimin e shtjellimit të togfjalëshit “liri themelore” dhe “të drejta të njeriut” që gjenden në Statutin e Kombeve të Bashkuara, Statut që është kushtëzues për të gjitha shtetet anëtare. Për këtë arsye, Deklarata Universale konsiderohet si një përbërës themelor i kuadrit ligjor të Kombeve të Bashkuara. Përveç kësaj, shumë juristë ndërkombëtarë besojnë se Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut bën pjesë në të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe është një mjet i fuqishëm në ushtrimin e presionit diplomatik dhe moral ndaj qeverive që shkelin të drejtat e njeriut. Mbrojtjet e ofruara nga kjo Deklaratë kanë shërbyer si gur themeli për dy Konventat detyruese të OKB-së për të drejtat e njeriut: Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike. Deklarata vazhdon të jetë gjerësisht e cituar nga qeveritë, akademikët, avokatët dhe gjykatësit kushtetues, si dhe nga individë të cilët apelojnë tek parimet e saj për mbrojtjen e të drejtave të tyre si njerëz.
Realizimi universal politik (Kombet e Bashkuara) Ishte lufta e dytë botërore ajo që do të shpejtonte procesin e globalizimit të çështjes së të drejtave të njeriut. Tendencat ishin që jo që kishte ndodhur në këtë luftë, nuk duhet të përsëritej më. Të gjithë njerëzit në botë duhet të gëzonin të drejta dhe liri themelore.
Kjo ishte njëherazi edhe arsyeja kryesore e themelimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo gjë u garantua me nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet shteteve, nëpërmjet të ashtuquajturës Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila u aprovua më 26 qershor të vitit 1945.
Me këtë kartë, të gjitha shtetet anëtare detyrohen për bashkëpunim të ndërsjellë, dhe po ashtu çdo shtet i veçantë është i detyruar të bashkëpunojë me OKB-në, me qëllim që të arrihen qëllimet e saj (neni 56).
Ndër qëllimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara është edhe vënia në jetë e të drejtave të njeriut. Sipas këtij neni, çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara është i detyruar të respektojë të drejtat e njeriut. Anëtarë të organizatës, sot janë thuajse të gjitha vendet e botës.
Për të përkufizuar saktë të drejtat e njeriut, është përpiluar edhe “Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut”, e cila është aprovuar në dhjetor të vitit 1948. Më vonë do të miratohen edhe akte të tjera nga OKB, si : Pakti për të drejtat Civile dhe Politike (janar 1976) ,Pakti Ndërkombëtar për ë Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (mars 1976), etj. Nëse do të futnim në këtë fazë edhe organizatat regjionale për sa i përket të drejtave të njeriut do të përmendim Këshillin e Evropës dhe disa nga aktet më të rëndësishme të kësaj organizate si : Konventa evropiane e të drejtave të njeriut (me protokollet e saj ) , Kartën Sociale Evropiane (me ndryshimet e bëra ) etj.
Më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, tekstin e plotë të së cilës po e botojme në faqet që vijojnë.
Mbas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.
Teksti zyrtar i Deklaratës mund të gjindet në gjashtë gjuhë zyrtare të Kombeve të Bashkuara: angleze, frënge, kineze, ruse, spanjolle dhe arabe.

DEKLARATA E PERGJITHSHME MBI TE DREJTAT E NJERIUT
HYRJE

Mbasi njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë; mbasi mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut ka çuar drejt akteve barbare, të cilat kanë ofenduar ndërgjegjen e njerëzimit, dhe mbasi krijimi i botës në të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës, të besimit dhe lirinë nga frika e skamja është proklamuar si dëshira më e lartë e çdo njeriu; mbasi është e nevojshme që të drejtat e njeriut të mbrohen me dispozita juridike, kështu që njeriu të mos jetë i shtrënguar që në pikën e fundit t’i përvishet kryengritjes kundër tiranisë dhe shtypjes; mbasi është e nevojshme që të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis kombeve; mbasi popujt e Kombeve të Bashkuara vërtetuan përsëri në Kartë besimin e tyre në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerën e personit të njeriut dhe barazinë midis burrave dhe grave dhe mbasi vendosën që të nxitin përparimin shoqëror dhe të përmirësojnë nivelin e jetës në liri të plotë; mbasi shtetet anëtare u detyruan që, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, të sigurojnë respektimin e përgjithshëm dhe zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore; mbasi kuptimi i përbashkët i këtyre të drejtave dhe lirive është më i rëndësishëm për realizimin e plotë të këtij detyrimi;

ASAMBLEJA E PERGJITHSHME
shpall këtë
DEKLARATE TE PERGJITHSHME MBI TE DREJTAT E NJERIUT

Si ideal të përgjithshëm të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm shoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë Deklaratë, të përpiqet që, me anë të mësimit dhe edukimit, të ndihmonte në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohej njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vetë shteteve anëtare , ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën administrimin e tyre.

Neni 1. Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi.

Neni 2. Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër. Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës ose që gjindet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit.

Neni 3. Gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak.

Neni 5. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit, veprimit ose dënimit të egër, jonjerëzor ose poshtërues.

Neni 6. Gjithkush ka të drejtë që t’i njihet kudo personaliteti juridik.

Neni 9. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose internimit.

Neni 12. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare në jetën, familjen, banesën ose korrespondencën vetjake, si dhe sulmeve kundër nderit dhe prestigjit personal. Gjithkush ka të drejtën të mbrohet nga ligji kundër ndërhyrjeve ose sulmeve të tilla.

Neni 13. 1. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të çdo shteti.
2. Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë këtu edhe të vetin, si dhe të kthehet në vendin e vet.

Neni 18. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht, besimin ose bindjen e vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare.

Neni 19. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë.

Neni 20.
1. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mbledhjes dhe bashkimit paqësor.
2. Asnjeri nuk duhet të detyrohet të bëjë pjesë në ndonjë bashkim.

(Shënim nenet e Deklarates janë dhënë te shkurtuara por jane ne sikronim me materialin e me poshtëm Aj)

Tirane me 1.04.2018
Astrit Jegeni