Tarifat e krimit komunist
Nga Nebil Çika
“E vërteta ju bën të lirë “– tha Jezus Krishti! Duket se raporti me të vërtetën, sidomos kur ajo ka të bëjë me krimet e komunizmit, vazhdon të jetë problemi kryesor i shqiptarëve dhe ngërçi më i madh i tranzicionit të stërzgjatur nga diktatura ne demokraci. Këto ditë ka një shpërthim të paparë të një revanshi të autorëve të krimeve të komunizmit dhe pinjollëve të tyre gjenetikë, një përpjekje kriminale për jo vetëm për të justifikuar por edhe për tu mburrur me krimet e tyre duke denigruar viktimat. Jo se më parë nuk ka pasur shfaqje të tilla publike por ky sulm frontal i kriminelëve komunistë ku janë përfshirë institucione, politikanë, media etj. është një revansh i hapur i atyre që në fakt duhet të ishin të akuzuarit jo vetëm publik por edhe juridik për atë që ka ndodhur për 45 vjet diktaturë komuniste në këtë vend.
Vihet re një kthim në argumentin apo justifikimin se këto krime me të cilat ata vazhdojnë të krenohen janë bërë me të drejtën e fitimtarit në luftën civile gjatë Luftës së Dyte Botërorë në Shqipëri që solli edhe vendosjen e diktaturës komuniste. Rishikimi i historisë në kushtet e post diktaturës, fillimi i hapjes së arkivave të Sigurimit të Shtetit dhe të tjera ka sjelle fakte e prova që fitorja e tyre ishte në fakt një vepër e madhe kriminale ndaj popullit dhe kombit shqiptar në të gjitha aspektet. Pikërisht dalja në dritë e kësaj të vërtete historike ka alarmuar autorët e krimeve të komunizmit të cilët tani po humbasin edhe të vetmin justifikim të krimeve të tyre “fitimin e luftës” dhe rrëzimin e pretendimit se kjo fitore e tyre i vendos ata në krahun e drejtë të historisë.
Një nga “provat” që ata sjellin dhe që është përdorur gjerësisht këto ditë është një libër i Dr. Çelo Hoxha “Krimet e komunistëve gjatë luftës,” të botuar 5 vjet më parë nga “Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri” të cilin e drejton Agron Tufa, i vënë personalisht në shënjestër të revanshit komunist. Autorët i referohen vetëm listës emërore të autorëve të krimeve komuniste të përfshirë në libër por jo provave dhe fakteve historike, të nxjerra nga vetë arkivat e komunistëve në bazë të së cilave vërtetohet edhe veprimtaria kriminale e listës në fjalë një përpjekje djallëzore për të manipuluar opinionin publik sipas praktikës së agjitpropit komunist. Dhe në fakt reagimet kanë qenë emocionale megalomanë shpesh herë me logjikën kriminale të komunistëve dhe komunizmit pa asnjë provë e argumentet që mund të vinte në dyshim autorësinë e krimeve të tyre. Sulmi personal dhe arroganca e “fitimtarit” që ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë është në fakt një provë tjetër kundër tyre pasi të njëjtën logjike kishin edhe kur i kryen këto krime kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Denigrimi personal me shpifje e propagandë i historianeve, shkrimtarëve, gazetarëve dhe të tjerëve që kanë trajtuar e trajtojnë zbardhjen e krimeve komuniste është një tjetër aspekt i këtij revanshi të autorëve të krimeve të komunizmit. Njëri prej tyre, një pinjoll por edhe vetë pjesë e makinës së diktuarës komuniste Fastos Tarifa, ish diplomat që nga koha e komunizmit, i shkarkuar për vjedhje të fondeve publike, në sulmin e tij në mbrojtje të të atit të përfshirë ne listën e Çelo Hoxhës theksonte faktin që i ati komunist kishte fituar luftën dhe faktin tjetër që Agron Tufa ishte fshatar argumente që sipas të cilit justifikonin krimet e babit te vet. Nuk dua ti hyj debatit historik pasi Hoxha ka sjellë provat e veta për kriminelët e listës së tij por nuk mund të anashkaloj dot akuzën e të qenit “fshatar” të Agron Tufës. Me sa di un Tufa si shumica e shqiptarëve është lindur në fshat gjë që nuk e ka mohuar kurrë. Por ai është një shkrimtar i njohur e i suksesshëm, një intelektual e qytetar i nderuar i këtij vendi.
Tani të qëndrojmë pak tek ky “qytetari” Tarifa që siç thotë vet ai dhe të tjerët si ai lindën në Tirane pasi i ati i tij terrorist komunist erdhi këtu nga gërxhet e Mashkullorës, me pushkë e urë zjarri në dorë, pushtoi shtëpinë e një qytetari të cilin e pushkatoi, e burgosi, i internoi familjen, e persekutoi për 45 vjet me radhe, i grabiti pasurinë duke kryer të gjitha ato krime për të cilat akuzohet. “Qytetaria” e Tarifës ishte tarifa e madhe e krimeve të komunizmit që shqiptarët, paguan e paguajnë çdo ditë në përballje me ta. Kjo “qytetari” është e ngritur në një pellg gjaku e lotësh të viktimave të krimeve të tyre në një trashëgimi kriminale nga brezi në brez. Por qytetaria, fisnikëria e të tjera cilësi njerëzore nuk kanë lidhje me vendin ku lind por kushtet e edukimit dhe veçanërisht ADN-në. Trifa mburret që i ati i tij terrorist komunist, i vënë në shërbim të serbëve e rusëve armiqve tanë shekullor ishte fitimtari ndërsa i ati i Tufës, Isufi, pinjoll i një familje atdhetare gjithë jetën me pushkë në dore kundër serbeve ishte i munduri i burgosuri politik i diktaturës komuniste. Pra i pari xhelati i dyti viktima. Por Isufi dhe të tjerë si ai dolën kundër Sevos dhe të tjerëve si ai pasi panë që ata ishin me serbët dhe vepronin si serbët për Shqipërinë dhe shqiptarët. Arsye tjetër nuk ka pasur dhe nuk ka. Por me rendësi është ADN –ja të cilin me mbrojtjen e krimeve të të atit Trifa dëshmon se e ka trashëguar plotësisht dhe po të kishte mundësi do të kryente të njëjta krime si ai gjë që edhe e ka dëshmuar me të vetmen gjë që kishte në dorë, duke vjedhur partë e taksapaguesve shqiptar në ambasadë në SHBA. Se mos ju dha mundësia të vriste e burgoste njerëz e nuk e bëri! Por edhe në rastin e Tufës është ADN –ja që spikat e vendos duke e orientuar të vijojë rrugën e Isufit, kundër të keqes dhe padrejtësisë, pavarësisht kostos.
Prandaj këmbëngul se Tarifa e krimit komunist është tarifa më e madhe që shqiptarët kanë paguar e paguajnë për 75 vite me radhë. Siç shkruan edhe shkrimtari i tyre më i shquar Ismail Kadare: “ Problemi i Shqipërisë është kontradikta midis djemve me baballarë kriminelë dhe djemve me baballarë normalë për më tepër të famshëm”, ky është thelbi i konfliktit tonë historik. Prandaj zbardhja dhe ndëshkimi i krimeve të komunizmit është një emergjencë kombëtare realizimi i të cilës do ti jepte fund Tarifës historike të krimit komunist.