Socialistët përzënë nga Laçi Lindita Nikollën me Rilindasit e saj!

ELTON LASKA

Lindita Nikolla, pasi e ndriti punën në Ministrinë e Arsimit dhe studentët e dekoruan me “medaljen e shkarkimit nga detyra”, ka tentuar të organizojë një takim me stukturat e Partisë Socialiste në qytetin e Laçit, por ka dështuar.

Raportohet se jo gjithçka ka shkuar vaj për Lindita Nikollën, pasi përçarja e partisë në disa klane në Kurbin, ka dhënë pasojat e veta dhe socialistët e vjetër, kanë vendosur të mos lejojnë që të zhvillohet ky takim e për pasojë Lindita Nikolla, së bashku me Rilindasit e saj në Kurbin, janë ngujuar ne një lokal peshku në Patok për të zhvilluar mbledhjen.

Në fokus të takimit ilegal, kanë qenë zgjedhjet lokale, pasi Rilindasit kurbinas shpresojnë se edhe në këto zgjedhje, Kurbinin do ta marrin pa garë, por llogaritë i kanë bërë gabim, pasi demokratët kurbinas janë më të mobilizuar se kurrë për një fitore spektakolare në Kurbin. Kjo trevë, ka qenë dhe do mbetet bastion i Partisë Demokratike.

Lindita Nikolla e idhulli i saj Edi Rama prej 5 vitesh denigrojnë dhe përçmojnë Kurbinin dhe krejt qarkun e Lezhës, në tërësi. Kush ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, e di mirë se për çfarë po flas.

Kurbini, që me ardhjen e Rilindasve në pushtet, nuk është në hartën e Republikës së Shqipërisë, sa i përket investimeve publike, teksa shifrat e akorduara për këtë rreth, janë të barabarta me bashki të tipit të Pustecit, Memaliajt apo Urës Vajgurore.
Klanet e Rilindies brënda Partisë Socialiste, nuk janë krijuar për të konkuruar njëra -tjetrën për zhvillimin e Kurbinit, por janë në një betejë të egër, madje edhe publike, për ta plaçkituar e varfëruar deri në themele Kurbinin dhe qytetarët e saj.

Rilindanasit në Kurbin zaptuan me forcë çdo hallkë të administratës dhe ata pak socialistë të ndershëm që kishin mbetur në këtë qytet, i internuan në Gallatë a Malbardhë, me synimin për t’i zhdukur nga administrata dhe partia e marrë peng nga të komanduarit nga Lezha dhe Tirana.

Qytetarët e Kurbinit nuk do t’ia harrojnë lehtë diskriminimin Rilindase Socialiste karshi këtij rrethi, që sot, falë meritës dhe paaftësisë së kësaj qeverie, është ndër më të varfrit në Shqipëri.
Asetet njerëzore dhe natyrore Kurbinit nuk i kanë munguar kurrë, por këto asete duhen evidentuar, ato njerëzore duhen përkrahur dhe ato natyrore duhen zhvilluar.

Zhvillimi i Kurbinit nuk do të vijë nga pengmarrësit dhe përçmuesit e kësaj treve fisnike, por nga djemtë dhe vajzat e reja të këtij vendi, që kanë vendosur të jetojnë aty, të ushtrojnë profesionin dhe të krijojnë familjet aty.

Rruga dhe beteja për rikthimin në identitet të Kurbinit, do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por rezultatet konkrete nuk do të mungojnë.