SMAILIADA

Nga Eerl Kodra

Kur flasim për letërsinë shqipe, në përfytyrimin tonë na dalin Ismail Kadare, Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Asdreni, Rexhep Qosja, Lasgush Poradeci, Ndre Mjeda, Fishta, Fan Noli – pastaj vjen skalioni i dytë – Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Konica, Koliqi, Martin Camaj; dhe nëse duam të vazhdojmë listën me skalionin e tretë; Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Frederik Reshpja e ndonjë emër tjetër nëse duam të bëjmë një listë sa më përfaqësuese.
Kaq është lista, që fillon diku nga fundi i shekullit të 19 – fillimi i shekullit të 20 – listë të cilin e mbyllim po me Ismail Kadarenë. Të tjerët lëvizin nëpër të njëjtën hapësirë, por që nuk arrijnë të rezonojnë më shumë, ose mjaftueshëm sa të tërheqin vëmendjen e askujt.
Pse ndodhë kjo?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, është e nevojshme që disa gjëra të thuhen ashtu siç janë. Emrat e sipërcituar janë autorë të mirënjohur të letërsisë, mu për shkak se një pjesë e tyre “themeluan” letërsinë shqipe, por edhe se përgjatë më shumë se një shekulli është folur, shkruar dhe përmendur vetëm ata dhe vepra e tyre. Bukur shumë – ata e meritojnë plotësisht – por duket krejt e paarsyeshme që të mos shkruhet, flitet ose përmenden edhe autorë të tjerë, të shkruhen studime dhe monografi edhe për të tjerët, dhe mbi të gjitha, t’u bëhet pak vend – nëse e meritojnë sigurisht – edhe të tjerëve.
Para tre ditësh (10 Qershor 2022) u mbajt në Prishtinë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare e ASHA e Kosovës dhe e ASHSH me titull “Kritika dhe studimet letrare shqipe në Shekullin e XXI”.
Konferenca pasqyroi me vertetësi gjendjen reale të kritikës letrare, sepse paradoksalisht, ajo provoi në mënyrë eksplicite se studiuesit dhe akademikët vazhdojnë studimet në mënyrë të përqëndruar tek të njëjtët emra autorësh, për të cilët është folur dhe shkruar prej një shekulli – dhe me sa duket – do vazhdojë edhe në Shekullin e 21-të.
Me sa duket autorët (domethënë kritikët akademikë dhe profesorë) vazhdojnë punën të palodhur me Naimin, Ismailin, Lasgushin, Migjenin, etj, për t’i zbërthyer akoma më shumë, sepse kështu ata na provojnë se ne të tjerët edhe pas 122 vitesh nuk meritojmë të njohim ndonjë autor tjetër – përveç Naimit (dhe Ismailit).
Në Tiranë dhe në Prishtinë gëlojnë kafenetë nga poetë të frustuar dhe shkrimtarë me nerva, ndërsa Katedrat e Gjuhës dhe Letërsisë në të dy universitetet studiojnë me vetmohim Naimin dhe Ismailin. Asnjë centimetër më këtej se viti 1990 – me dy tre përjashtime të vogla – përveç rastit special Kadare. Ai studiohet dhe vazhdohet të studiohet, të shkruhen libra, kumtesa, monografi, pastaj përsëri libra, kumtesa dhe monografi, për të vazhduar përsëri e përsëri.
Të krijohet ideja se Naimi sapo është zbuluar si talent i rrallë i poezisë, ndërsa Ismaili është më i madh se Viktor Hygo, Shekspiri dhe Balzaku të marrë së bashku.
Por kujdes – asnjë emër pas vitit 1990.