Skuadrat “artistike” të pushkatimit !

Nga Nebil Çika

Një nga pikat e projektit ligjit për dekomunistizimin dhe ndalimin e simboleve të komunizmit në Shqipëri është edhe ndalimi propagandës letrare artistike të diktaturës komuniste në letërsi e arte.
Ka një debat këto ditë hapur nga media ku janë përfshirë shumë autorë të tyre që kundërshtojnë këtë nismë ligjore me lloj, lloj justifikimesh edhe pse janë në konflikt interesi. Projekt-ligji i paraqitur nga deputetët e PD parashikon ndalimin e shfaqjes publike të atyre “veprave artistike ” që glorifikojnë diktaturën dhe krimet e sajë, luftën e klasave dhe denigrojnë kundërshtarët e tyre politikë duke shtrembëruar historinë e realitetin të ngritura mbi narrativë mashtruese, fyese dhe kriminale .
Nuk bëhet fjalë për letërsi e art por për propagandë kriminale në shërbim të pushtetit të komunistëve, bandës politike më kriminale në historinë tonë kombëtare.
Shumë nga këto vepra kriminale kanë synuar një shtresë të caktuar të popullsisë, armiqtë e komunistëve , të pasurit, klerikët, intelektualët perëndimorë e deri tek grupet armiqësore, brenda llojit, gjë që në ligj përcaktohet si gjenocid .
U përpoqën të justifikonin me art krimet e komunizmit duke ja paraqitur publikut vrasjet , torturat, burgjet dhe kampet e internimeve si “dënime të drejta e për të mirën e popullit “. Glorifikuan diktatorin dhe diktaturën , komunizmin dhe komunistët , Sigurimin e Shtetit, spiunin, anti-njeriun ose njeriun e ri komunist pa asnjë vlerë humane e kombëtare .
Me një fjalë, letërsia ,arti e kultura, komuniste ishte në në fakt, lozha propagandistike e Enver Hoxhës. Fakti që ata shkrimtarë e artistë që guxuan të devijojnë nga linja ideologjie e PPSH në punët artistike e tyre persekutuan pa mëshirë dhe veprat e tyre u ndaluan, është prova më e madhe që askush nuk mund të bënte, të prodhonte dot art e kulturë jashtë kornizës ideologjike kriminale komuniste e që ky art ishte në fakt një gjenocid kulturor. Producenti i vetëm i ture ishte PPSH dhe ajo është pronari i tyre sot. Të gjithë ata që i realizonin këto vepra, me dëshirë apo jo, ishin punëtorë të sajë, jo pronarë të tyre siç po përpiqen ta paraqesin veten sot.
Për të kuptuar arsyen pse ne këmbëngulim në ndalimin me ligj të propagandës komuniste nëpërmjet letërsisë dhe artit po ju sjell disa arsye e shembuj që opinioni mos të bjerë viktimë e autorëve të tyre që vazhdojnë ti mbrojnë ato edhe sot.
” Prefekti” është një nga veprat kriminale artistike të realizimit socialist.
Një komedi politike e ekranizuar ku denigrohet me emër dhe mbiemër një kundërshtar politik i diktaturës Qazim Mulleti dhe familja e tij e disa të tjerë përfshi edhe fëmijët.
Një mashtrim në planin historik se paraqet si injorant një nga intelektualët me të mirë të Tiranës, i shkolluar më Austri, folës i disa gjuhe të huaja, humanitar dhe patriot.
Autorin e sajë Besim Levonjën dhe shumë komunistëve të tjerë i kishte shpëtuar nga burgu.
Në këtë “vepër” ai dhe familja e tij paraqiten si injorantë, të korruptuar , tradhtarë e te tjera përfshi edhe djalin e tij që ishte në shkollë fillore kur vepra u vu në skenë !
“As Stalini në Bashkimin Sovjetik nuk lejon vepra artistike me emra e mbiemra real”- tha mësuesja ruse e Reshitit, djalit të Qazim Mulletit, kur mori vesh që nxënësi i sajë ishte personazh real i kësaj vepre propagandistike terroriste.
Në nga “kryeveprat” kinematografike të komunizmit mbahet fillmi “Koncert në vitin 1936” .
Subjekti i sajë është ,Kongresi i Lushnjës ku skenaristi dhe regjisori janë munduar të përmbysin realitetin historik . Në film paraqitet sikur kongresin e bënë të varfrit , buqët, berberët, tellallët, hamallët etje dhe bejlerët donin ta sabotonin atë .
Në qendër të këtij denigrimi propagandistik, komunist vihet një figurë e shquar patriotike Nebi Sefa, firmëtar i pavarësisë dhe organizator kryesor i Kongresit të Lushnjës.
Në një debat publik me regjisorin e këtij filmi i thash : Ne se ju më gjeni një anëtar të Kongresit që nuk është bej , bajraktar, kapedan, klerik ,intelektual,un tërhiqem nga pretendimi im. Kolonën zanore të këtij filmi “Himni i Kongresit” e ka shkruar një Bej, Ferit Vokopola ,poet, firmëtar i pavarësisë i pushkatuar nga komunistët !
Edhe sot këmbëngul për këtë .
Kemi parë me dhjetëra filma, drama e kemi lexuar po ka shumë libra që denigrojnë klerikët veçanërisht ata katolikë .
I paraqesin si armiq tradhtarë, si injorantë, imoralë e mashtruese ndërkohë që fenë besimin në Zot e cilësojnë si helm, opium për popullin .
E gjithë kjo propagandë për të stimuluar luftën e PPSH ndaj fesë dhe klerikëve, ndalimin kriminal të besimit në Zot dhe justifikuar persekutimin gjakatar të klerit dhe besimtarëve. Të gjithë e dinë që klerikët ishin e kundërta e asaj që paraqiste propaganda komuniste në art e letërsi.
Sot ne kemi një shenjtore, klerike ,murgeshë Shën Terezën ,kemi edhe 40 kandidatë për shenjtorë në proces iluminimi të gjithë klerikë të vrarë e të persekutuar nga komunistët me të cilët krenohemi si komb.
Por njëherazi këtij zhvillimi në Shqipëri vazhdojnë të shfaqen filma e të jenë në qarkullim vepra letrare e artistike që i denigrojnë ata .
Çfarë duhet të besojë publiku i pa informuar ai që nuk ka jetuar diktaturën apo keq ai që i di klerikët ashtu siç thotë propaganda komuniste, veçanërisht në art e kulturë .
Si mund t’ia shpjegosh një fëmije që shikon këto filma që realiteti është krejt e kundërta që ai sheh ?!
Si mund ti thuash atyre që Gjergj Fishta është një gjeni i kombit, kur sapo ka lexuar ato që Kadare apo shkrimtar tjetër komunist ka shkruar për të ?
Po kështu me të ashtuquajturit “diversantë” që ishin në fakt luftëtarë të organizuar nga aleatët anglo-amerikane për të çliruar Shqipërinë nga komunizmi.
Ata paraqiten në filma si “armiq e tradhtarë si terroristë dhe familjet e tyre si armike të popullit” . Tani këta janë të dekoruar nga Presidenti i Republikës si heronj të lirisë e demokracisë? Cilën anë duhet të besojë publiku në se vazhdon të bombardohet çdo ditë me propagandën kriminale e mashtruese të artit komunist?!
Intelektualët perëndimorë të Shqipërisë ishin në fokus të propagandës kriminale artistike të diksturës komuniste.
Një prej këtyre veprave, letërsi e ekranizuar e Dritëro Agollit ka në qendër një personazh të njohur botërisht si Sali Protopapa, që në fakt është Sejfi Protopapa, një ish drejtues i Ballit Kombëtarë në LDB, një nga shqiptarët me të ditur e më të famshëm në Botë . Fizikan me famë botërore , shkencëtar i NASA , një nga 5 autorët e programit amerikan të ” Luftës së Yjeve “. Propaganda komuniste në letërsi edhe art parqet Protopapën si injorant, dallkauk, pijanec, kriminel etje . a mund te konsiderohet arat një mashtrim i tillë ?!
Ku është arti e kultura në këto vepra terroriste !
Nga ana tjetër këto vepra e paraqesin Shqipërinë komuniste si vendin me të lumtur e më të begatë në botë ndërkohë që këtu mbizotëronte terrori e uria, ndalohej e shkelej çdo e drejtë themelore e njeriut, vendi ishte i rrethuar ne tela me gjemba dhe mbushur me burgje e kapme internimi ku fëmijët e cilësuar si armiq të pushtetit komunist liheshin të vdisnin nga uria e torturat .
Personazhet pozitive të këtyre veprave ishin diktatori , komunistët, komisarët , sigurimi i shtetit, spiunët e çdo kush në shërbim të diktaturës komuniste.
Në thelb, arti e kultura komuniste në Shqipëri ishte një program gjenocidi dhe përgjegjësi kryesor i krimit më të madh të komunizmit, ndërtimit të njeriut të ri, pa asnjë vlerë humane, ndërtimin
e anti-njeriut që e vuajmë edhe sot .
Diktatorin dhe diktaturë, të dashur për turmat, popullin e izoluar e të pa informuar e bëri propaganda e ngritur në art dhe kulturë.
Roli i artit dhe kulturës komuniste në luftën e klasave ishte dhe është i madh .
Ne se një trup gjykues jepte një vendim me vdekje apo një skuadër pushkatimi e ekzekutonte atë kjo merret fund me vdekjen e viktimave.
Në art e kulturë këto vendime pushkatimi vazhdojnë përjetësisht pasi synojnë pushkatimin moral të viktimave të krimeve të komunizmit edhe pas vdekjes synojnë mbulimin dhe justifikimin e krimeve . Autorët e veprave propagandistike komuniste në art e kulturë, janë pjesë e vazhdimësi e atyre skuadrave komuniste të pushkatimit dhe po aq përgjegjës sa ata me armë në dorë për këto krime.
Nga këto debatet në vite për këtë çështje vetëm njërin prej tyre kam parë të ndjehet i penduar e të kërkojë ndjesë për krimet komuniste në art e kulturë, Timo Flloko, i cili deklaroi pra disa vitesh pati guximin të bëje një “mea culpa” kur tha se : “duhet ti kërkojmë ndjesë popullit për krimet tona në art e kulturë “.
Të tjerët ose heshtin osevazhdojnë të mbrojnë veprimtarinë e tyre kriminale.
Ashtu si në krimet e drejtpërdrejta të komunizmit ku autorët e tyre, drejtues të diktaturës , komunistë , gjykatës, prokurorë, hetues , anëtarë të skuadrave të pushkatimit, sigurimsa e spiunë ethe nuk pendohen dhe nuk kërkojnë ndjesë për krimet e tyre edhe autorët e krimeve në art e kulturë bëjnë të njëjtën gjë.
Ku është ndryshimi midis tyre ?!
A e meritojmë këta me këtë veprimtari e sjellje të trajtohen si elitë kulturore ?!
Po veprat e tyre terroriste mund të konsiderohen si art e kulturë ?! Bota ka praktikat e asjë të trajtimit të krimeve propagandistike në art e kulturë dhe ne projekt – ligji janë marrë praktikat më të mira evropiane të trajtimit të krimeve në art e kulturë të nazizmit dhe komunizmit pas rënies së tyre në Gjermani dhe Evropë . Rezistenca e autorëve të krimit në Shqipëri është e kuptueshme dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as ata të artit e kulturës. Por drejtësia nuk vendoset nga autorët e krimeve por nga ata që i gjykojnë ata.
Në këto kushte autorët e krimeve duhet të japin llogari e të presin vendimin e atyre qe kanë të drejtë ti gjykojnë për krimet që kanë bërë .
Kjo vlen edhe për kolegët e mi në media të cilëve iu rekomandoj të trajtojnë me të njëjtin standard çdo krim dhe çdo autorë të tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për krimet politike të komunizmit, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid që nuk parashkruhen nga ligji shqiptar dhe ai ndërkombëtar.
n.ç