Sindromi që po na vret …

Nga Shkelqim Selmani

50 vjet na trajtuan si dele të rrethuara me tel me gjemba, ku hijenat, ujqit e çakejtë u vërsuleshin herë pas here deleve të deklasuara e padeklasuara për ti shqyer dhe pastaj të turllosur nga kasaphana i turreshin njeri tjetrit për të kënaqur dëshirat e paranojat e luanit mbret dhe populli i duartrokiste si i marrë ?! 25 vjet na trajtuan si qen që edhe mund të lehim, por jo të kafshojmë dhe ne u tundim bishtin të kënaqur ?! Tani së fundmi po na trajtojnë edhe si budallenj duke na servirur çdo ditë sapunin për djathë. Rama bën avokatira si të Mark Antonit për Sajmirin, Sajmiri nxjerr shkresa të prokurorisë së Katanjës ku na tregon atë që e dimë se ai nuk është proçeduar penalisht nga italianët. Braçja na thotë se e gjitha kjo që kërkon prokuroria shqiptare për arrestimin e Tahirit është një komplot i rrezikshëm antivetting ?! Opozita bën zëdhënësin e prokurorisë duke i prishur punë prokurorisë dhe nuk kalon në veprime konkrete për ta detyruar këtë qeveri mafioze e mizore të largohet me turp e pendesë nga pushteti. Populli rri e dëgjon broçkulla politike dhe pa kuptuar asgjë nga ato që i serviren ndahet e përçahet pro dhe kundra i gatshëm të sakrifikohet jo për të drejtat dhe mirëqënien e tij, por për të mbajtur në kurriz ata që përditë i vjedhin dhe mashtrojnë. Ja kjo është situata tragjikomike, absurde dhe e dhimbëshme e Shqipërisë europiane sot, ku ne kemi fatin e keq të jetojmë me sindromin e Stokholmit. Shqiptarët që po e kuptojnë këtë nëmë dhe nuk e durojnë dot më këtë gjëmë që na ka zënë po humbasin shpresën se Shqipëria mund të bëhet më mirë nga këta politikanë; prandaj mendojnë natë e ditë si të ikin në Stokholm e gjektë për të shpëtuar nga sindroma e Stokholmit. Edhe unë po e mendoj, sa nuk është vonë …

sh.s.s. 24/10/2017