Si i përndiqte Sigurimi i Shtetit kulakët
Nga Av. Xhafer Sadiku
Në raportin e pushtetit socialist me ish kulakët, asgjë nuk ka ndryshuar: pushteti i bijve është edhe më i egër se i etërve. Më i egër pasi që jetojmë në një kohë tjetër, ndërsa urrejtja e tyre nuk është zbutur.
Krahasojeni sjelljen e tyre sot, me këtë pjesë të një raporti të Sigurimit të Shtetit drejtuar Partisë, në vitin 1970:
“Gjatë punës agjenturalo-operative dhe studimit të materialeve që janë në ngarkim të përpunimeve dhe kontigjenteve nga radhët e kulakëve, është bërë diferencimi në bazë të rrezikshmërisë së tyre, janë nxjerrë kryesorët dhe në drejtim të tyre janë forcuar masat agjenturalo-operative. Nga të gjithë punëtorët operativë është punuar për të ngritur më tej vigjëlencën e masës në drejtim të kulakëve, për të siguruar kontroll dhe informacion mbi ta. I gjithë elementi kulak njifet nga populli si në fshat, në sektorët e NBSH ashtu edhe nga punëtorët në ndërmarrjet e ndryshme ku ata punojnë. Përveç punës që është bërë me anë të agjenturës, është punuar edhe me njerëz të zgjedhur, besnikë të partisë dhe pushtetit, për të kontrolluar lëvizjet e kulakëve, lidhjet me njeri tjetrin…
” AMPB, Fondi 72, viti 1970, dosja 310, f. 2. “Raport mbi gjendjen e punës sonë në drejtim të veprimtarisë armiqësore të elementit kulak”.