Si e pësuan komunistët që mbronin kulakun

Nga Av Xhafer Sadiku

Myrteza Kadiun nga katundi Gurrë e Madhe në Rrethin e Klosit e kishin shpallur kulak. Populli dhe komunistët e zonës nuk ishin dakord, madje kishin lëshuar 32 deklarata në favor të tij. Myrteza Kadiu në vitet e Mbretërisë kishte qenë toger i xhandarmërisë dhe ish drejtor i burgut të Fierit. Kishte patur sjellje të mira me popullin dhe të burgosurit. Në 1944 populli i fshatit e kishte zgjedhur kryetar të Frontit Nacionalçlirimtar dhe anëtar të këshillit të lokalitetit. Ishte njeri me influencë, gjë që e pranonte edhe sekretar Tahiri.
Bëri lutje për t’i hequr cilësimin kulak, por regjimi e refuzoi. Në një shkresë që mban firmën e Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH, Gogo Nushi, midis të tjerave lexojmë:
“… ndaj anëtarëve të partisë që kanë lëshuar deklarata në favor të Myrteza Kadiut, të mbahet qëndrim. Gjithashtu të sqarohen fshatarët e Gurrës së vogël dhe të madhe të cilët edhe këta kanë lëshuar deklarata të njëllojta që Myrteza Kadiu ka të gjitha konditat dhe tiparet e kulakut prandaj dhe është cilësuar”.