Shqipnia e sotme , një shoqni me ndergjegje të randueme

 

Nga Prof. Dr. Romeo Gurakuqi *

70 vjetori i eliminimit të Grupit të Deputetëve të Kuvendit të ish Republikës Popullore të Shqipërisë, sot është një moment reflektimi për gjithshka ndodhi në këtë vend në tre vitet që pasuan 29 nëntorin e vitit 1944, me ardhjen në pushtet te klikes së diktatorit Hoxha, menjëherë pas luftës dhe përpjekjeve të verteta, të partizanëve të mirëfilltë, të rinisë antifashiste, djemve dhe vajzave që luftuan me armë në dorë për një Shqipëri më të vertetë demokratike dhe një popull të lirë. Komunistët që hynë me 17 nëntor 1944 në Tiranë dhe me 29 nëntor 1944 në Shkodër e në të gjithë Shqipërinë, vepruan si dhunues të vertëtë në votrat e këtyre qyteteve paqesore, deri atëhere, vatra komunitetesh të paqesore dhe normale të Shqipërisë, që djemtë dogmatikë nuk i njihnin, madje i urrenin.
Kultura qytetare shqiptare, përbënte një kulture krejtësisht të përkundërt me rendin e tyre të mendimit, të cilen ata do ta shkatërronin së bashku me bazamentin social që e kishte ndërtuar e ushqyer për dekada e shekuj.
Eliminimi i deputetëve me pikëpamje e qendrime më indipendente në raport me bllokun e njësuar komunist brenda përfaqësisë së Frontit Demokratik në Kuvend, i një numri intelektualësh dhe teknicienësh të lidhur artificialisht me ata në procesin e montuar politikisht, ishte veç pjesa fundore, rrethi i tete i goditjes e shkatërrimit të shoqërisë shqiptare paraekzistuese, asaj shoqërie që kishte themeluar shtetin shqiptar, institucionet kryesore politike dhe juridike, institucionet arsimore, kulturore dhe vetë Tiranën si kryeqytet. Deputetët nacionalistë, të Frontit Demokratik, u pastruan në mënyrën më barbare, duke u cilësuar si armiq të popullit, pasi misioni i kopertures tashmë kishte përfunduar dhe ata përbënin veç pengesë në ritmet e instalimit të plotë të një diktature me orientim të mirëfillte pro jugosllav dhe pro sovjetik.
Para këtij pastrimi, Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe kishin ndërmarrë, përmes një plani të saktë purifikues, eliminimin, me gjyq dhe pa gjyq, të të gjithë elitës pararëndëse të vendit dhe gjithë strukturës shoqnore dhe politike të Shqipërisë së para vitit 1945. Shqipëria, një vend i cunguar territorialisht, i prapambetur bujqësor, me një analfabetizëm të përmasave të pakrahasueshme në Europë, me një elitë kulturore, arsimore profesionale të shkatërruar nga lufta dhe nga revolucioni rural komunist, huazonte një sistem konstitucional diktatorial sovjetik. Klasa politike që do ta implementonte këtë kuadër institucional dhe reformat politike, ekonomike dhe sociale që vinin të imponuara nga kjo strukture e re, ishte e përbërë nga një numër djelmsh dhe vajzash të reja, aderues të pikëpamjeve komuniste, të pashkolluar, një pjesë prej tyre edhe në gjendjen e analfabetëve funksionalë, të cilët nuk njihnin kompozitat reale të vendit të tyre. Për një pjesë të madhe të muajve të parë të ardhjes së tyre në pushtet në Tiranë, komunistët në drejtimin e qeverisë qendrore, u përqendruan në neutralizimin e opozitës të vërtetë dhe hipotetike, përmes një lufte të mirëfilltë, të drejtuar përmes parullave të “drejtësisë revolucionare”.
Kjo udhëheqësi në një vit e gjysëm nga ardhja në pushtet, pasi mundi ushtarakisht kundërshtarët e dizenjuar politikë të klasës drejtuese tradicionale, arriti të dobësonte mjaftueshëm çdo kundërshtarë politik, përmes këtyre institucioneve të reja politike që ata ndërtuan në harkun kohor nga ardhja në pushtet deri më mars 1946.
Në fillim të vitit 1946, pas dështimit të qartë të procesit të njohjes së regjimit nga Aleatët Perëndimorë, pasi formalizuan koperturen legale të pushtetit me zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, dhe mbledhjes së Asamblese Kushtetuese në janar –mars 1946, radha u kishte ardhë pengesës së fundit në rrugën e njësimin me politiken e PKJ: deputetëvë me pikëpamje indipendente, që nuk korrespondonin me linjën e fortë të Enver Hoxhës dhe klikës së tij. Deputetët, u ndërlidhën rastësisht, në funksion të një alibie komplotiste, me ato pak intelektualë që kishin mbetur pa u decimuar fizikisht nga regjimi në dy vitet e para. Përpjekjet e deputetëve indipendentë duhen ndarë, nderuar dhe perjetësuar, ndryshe nga vepra e udhëheqësisë komuniste, që e futi Shqipërinë në rrugë pa krye pas luftës. Merita e tyre qendron në faktin se ata, atëherë kur nuk mendohej, arritën të shfaqnin një qendrim të ndryshëm, që përmbante mesazhin e qartë të shkëputjes nga rruga pa krye antikombëtare ku ishte futur pa kthim regjimi.
Eliminimi i tyre, vuajtjet e familjarevë të tyre, u shtoheshin kalvarit të qindra e mijëra banorëve të Tiranës dhe qyteteve kryesore të vendit, që ishin targetuar në pararëndje.
E mora fjalën këtu, jo vetëm si deputet i Parlamentit, por edhe si përfaqësues i atyre mijëra familjeve të Tiranës se asaj kohe shkatërrimtare, që u debuan dhe u deportuan pas çdo procesi politik. Shumë syresh pësuan kalvarin e vrasjeve dhe dhunës pa mbarim, nisur nga kjo kohë e vendosjes së regjimit të terrorit. Brezat e sotëm, mbase ende sot nuk e kanë të qartë, se në vitet 1945-1948, e gjithë klasa e mesme e shoqërisë së kryeqytetit të vendit, që nuk arriti të largohej nga Shqipëria para ardhjes së komunistëve në pushtet, ose u eliminua fizikisht, ose deportuan pa të drejtë kthimi në shtëpitë e tyre. Tirana pas kësaj kohe ishte një qytet me pamje të ndryshme shoqnore, e shkëputur tërësisht nga koha e themelimit dhe ndërtimit te pare shtetnorë. Banorë të rinj kishin zaptuar ilegalisht pronat dhe vatrat familjare të të gjithë klasës së mesme të kryeqytetit. Dhe kjo nuk është e shkruar në librat e historisë, akoma edhe sot.
Pas vitit 1946 dhe 1947, ndërprerja e evolucionit dhe progresit institucional, arsimor, kulturor dhe ekonomik të Shqipërisë, ishte tashmë një dukuri e qartë, rezultat logjik i përshpejtimit dhe egersisë që pat procesi i vendosjes së diktaturës komuniste në këtë vend.
Koçi Xoxe ka qenë dora e parë në shërbim të Enver Hoxhës në spastrimet e rrugës drejt pushtetit të pakufizuar dhe përforcimit të strukturave politike të një kaste nepotike, të përkufizuar krahinarisht.
Shqipëria e drejtuar nga Enver Hoxha, Koçi Xoxe, pas dakortësisë së lënies së Tokave të Lirueme nën Serbi dhe Jugosllavi dhe pas bashkëpunimit në internimin masiv dhe masakrimin pa dallim të djelmnisë së Kosovës, do të futet në një udhë pa krye në politiken e brendshme e atë rajonale ballkanike, që do ta vendosë atë vend, pas vitit 1945, në njollën e zezë të diktaturave më të errëta të historisë bashkëkohore europiane, nga e cila nuk do të dalë lehtësisht asnjëherë.
I gjithë thesari intelektual që Shqipnia trashëgoi pas Luftës së Dytë Botnore, pikërisht ata që e krijuen Shqipninë, ato që vendosën mbi baza kombëtare sistemin arsimor dhe shkencor, themeluesit e jurisprudencës shqiptare, filozofët mendjendritun të vendit, ministrat ma të ndershëm të shtetit shqiptar, ata të cilët mbajtën nalt emrin e shqiptarit europian, në rrethanat nga ma të vështirat, u eliminuan me një të rënë të lapsit nga diktatori dhe rrethi i tij.
Kredot e deshmorëve të lirisë së kësaj kohe ishin Shqipnia, Demokracia dhe Liberalizmi. Ata besonin në lirinë, dhe shpresonin që pas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria do të bahëj nji vend demokratik dhe i lirë europian
27 vite pas ranies së diktaturës, ende në këtë vend nuk asht dokumentue e ndëshkue krimi i së kaluemes komuniste, “nuk asht ba “spastrimi shpirtnor”, rrefimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë të diktaturës.
Ne ende vazhdojmë të jemi një vend ku nuk janë “hedhë bazat e nji shoqnie të lirë e të qytetnueme”. Fatkeqësisht sot ende pushteti hesht para krimit të djeshëm, mbrojtësit publikë të kriminelëve bëjnë avokatin në media lirshëm, “jemi nji shoqni që nuk ka krye ende spastrimin ligjor të paligjshërisë së djeshme”. Madje, ne jemi një vend, ku pasardhësit e establishmentit që kryen decimime të tilla, ripërtërijnë politika të kamuflueme përjashtimore ndaj çdokujt që u përket familjarisht dhe politikisht ish elitës; jemi një shoqëri që nuk reagojmë kur Kryeministri aktual vendos me imponim në krye të institucionit sovran ministrin e fundit të brendshëm, të asaj diktature që vrau njërëz në kufi dhe dogji dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Shqipnia e sotme kështu e ndërtuar mbetet ende “një shoqni me ndergjegje të randueme, thellësisht të traumatizueme nga zbulimi i pjesshëm i krimeve”. Ndoshta këtu duhet të kërkojmë një pjesë të arsyeve pse e vjetra ka arritë të mbijetojë, të modifikohet, dhe të forcohet ekonomikisht e politikisht. Për mendimin tim kjo ndodhi sepse të vjetres iu dha frymë pikërisht në kohën e duhur, kur ajo duhej të jepte shpirt.
Ata që kanë marrë përsipër të ndërtojnë ekipin e ri administrativ dhe frymën ligjvanëse të Shqipnisë së vitit 2017, duhet të dalloheshin për maturi, shmangie të diletantizmit dhe militantizmit ordiner, ndërtimin e strukturave të qendrueshme demokratike, të mbështetuna në arritjet ma të mira të Shqipnisë. Por ky nuk eshte rasti i tyre. Kjo mbledhje e sotme e Kuvendit është një thirrje për: “Ndjekjen e kultit të vlerave tradicionale”, “nderimin e personalitetit njerëzor” dhe “institutit familjar”, “të lirive shoqnore e politike”, “respektimi i të drejtës së pronësisë private”, “të të drejtës së popullit për vetvendosje politike”, “karakterin laik i shtetit dhe nderimi i lirisë së ndërgjegjes”, “ndalimi i hakmarrjes politike në procesin e ridemokratizimit të vendit”. Ekipet e reja administrative dhe ligjvanese të Shqipnisë së vitit 2017 nuk mund të jenë ma për së dyti të nderthuruna me trashigiminë e diktatorëve, ministrave dhe prokurorëve të së djeshmes tragjike, ashtu sikurse nuk mund të jenë të mbushuna me deshtakë mediokër e meskinë që vlojnë nga rihakmarrja per Etërit gjakatarë që vranë deputetët e vitit 1946-1947.

*Deputet i PD-se . Fjala ne seancën parlamentare ne kujtim te 70 vjetorit te pushkatimit te Grupit te Deputeteve