SHPIRT I LIRË

 

 

Nga Visar Zhiti:

Romani “Il pero fiorì a dicembre”, i shkrimtarit dhe mikut Shpend Sollaku Noé, i porsabotuar në Itali, mbërriti dhe tek ne, përtej oqeanit, në Washington, në shtëpinë tonë. Teksa na dha ngazëllimin për një arritjeje dhe një suksesi tjeter shqiptar në fushën e letrave, në një vend të rëndësishëm të kultures europiane e botërore, (romani është shkruar drejtpërsëdrejti në italisht, forcë e talentit të autorit), na solli dhe emocionet e forta të dramës gjysmëshekullore shqiptare, një afresk vuajtjesh dhe qëndrese njerëzore. Saga e një fëmije – protagonistit të romanit, është dhe histori e qytetit të tij, Beratit, dhe e gjithë kjo është projeksion i vetë Shqiperisë nën diktaturë, ku shembeshin ëndrrat si lulëzimi i dardhave, i kërcënuar nga erërat dhe ngricat e dhjetorit. Eshtë dhe biografi e Autorit, e brezit të tij. Rritja ishte e pamundur të shmangej. Shpendi do të sulej qiejve të poezisë, përtej kafazit mbytës të rrethanave. Ndërkohë koha përgatiste veten për ndryshimet e mëpastajme, ku Shpendi do të ishte me protagonistët. Flatrat ishin sprovuar dhe qenë berë te forta, me ato arrihej në bregun tjetër, ku ishte ëndrra, po përtej mbetej dhembja, të dyja të dashura për atë që ka vendosur të shkruajë e të shkruajë, prandaj dhe fjalët e fundit të ketij romani voluminoz janë: “…ormai era libera”. Eshte fjala për një pjesë të shpirtit. Këtë dhe ka sjellë Autori në veprën e tij më të fundit… shpirt të lirë.