Shoferi i ministrit të Brendshëm gjendet i vrarë me plumb në kokë
Shoferi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është gjetur i pajetë me plumb në kokë brenda garazhit, të caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme.
Viktima është Shkëlzen Qordja, 31 vjeç.
“Sot rreth orës 09:30 të mëngjesit, në garnizonin e Gardës së Republikës është gjetur i pajetë brenda garazhit, të caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, gardisti me detyrë funksionale shofer i Ministrit të Brendshëm, shtetasi Sh.Q., 31 vjeç. Trupi i pajetë u konstatua nga punonjës të Gardës.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është duke punuar për të qartësuar shkaqet e ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave” thuhet në njoftimin e Gardës së Republikës të shpërndarë rreth orës 12:10 minuta të ditës së sotme.
Vrasje apo vetevrasje?
Gardisti është gjetur me plumb në kokë por momentalisht nuk dihet nëse kemi të bëjmë me vrasje apo vetëvrasje.
“Viktima është gjetur në automjet, tip Hyundai në vendin e shoferit dhe afër tij është gjetur pistoleta, arma e shërbimit. Në vendngjarje ndodhen drejtues të policisë së Tiranës dhe të Policisë së Shtetit. Po merren më pyetjet personat që kanë takuar së fundmi”
Burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se 31 vjeçari nuk ka qenë i pezulluar.
Janë shoqëruar për tu marrë në pyetje efektivët e Gardës që konstatuan trupin e pajetë të 31 vjeçarit i cili punonte si shofer i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.