Shkurti i përgjakur komunist dhe lejfeni Veliaj
Nga Sebastjan Zonja
Përkujtimi i “4 Shkurti” pa pllakatën se cili fatkeq humbi jetën
Në vitin 1951, diktatura e instaluar në Shqipëri po bënte kalimin drejt sovjetikëve, pasi më herët kishte qenë në një marrëdhënie dashurie me jugosllavët e Titos. Nga dokumentet e bëra publike, në takimin e mëhershëm me Stalinin, ky i fundit siguroi diktatorin tonë Hoxha për kufijtë e jashtëm duke i thënë se për to kujdesej Moska, por Enveri duhej të forconte vidat brenda. Kësisoj mund ta kuptojmë ngarendjen diktatoriale për shuarjen e çdo lloj rezistence që i dilte përpara miqësisë së re që po çimentohej fort.
Paradoksin e ndryshimeve të linjave që bënte diktatura dhe propagandës masive e tregon ky humor që tregohej nën zë:
“Tre vetë kishin rënë në burg në vitin 1950. Pyesin të parin dhe ai tha se kishte sharë Koçi Xoxen. I dyti tha se kishte rënë në burg se kishte mbrojtur Koçi Xoxen. Kur pyetën të tretin, ai tha se ishte dora vetë Koçi Xoxe”.
Kaq paradoksale është diktatura, sa për çdo ngjarje dhe personazh që nuk ishte afër orekseve të diktatorit duhej të rishkruhej historia. Prandaj historianët e asaj shkolle kishin dhe kanë ende shumë probleme me parashikimin e të shkuarës, se ajo mund të ndryshonte nga momenti në moment.
Gjithë këtë hyrje e bëmë për të folur dhe sjellë paralele mes dy ngjarjeve tragjike të shkurtit – njëra në shkurtin e vitit 1944 dhe tjetra në shkurtin e vitit 1951.
1.
Stisja e një ngjarjeje terroriste si ajo e hedhjes së dinamitit në ambasadën sovjetike solli Masakrën e 26-27 shkurtit 1951. Aspekti i parë i ngjarjes është politik, i dyti juridik.
Në aspektin politik, diktatura stisi këtë akt terrorist me dorën e mashës së saj të Sigurimit të Shtetit për të eleminuar disa kundërshtarë të regjimit dhe për të pompuar lidhjen e fortë me aleatët e rinj sovjetikë.
Vendimi për këtë masakër u mor në mbledhjen e 20 shkrutit të vitit 1951 në Byronë Politike. Byroja, me propozim të ministrit të Brendshëm të kohës, Mehmet Shehu, ra dakord se masat që duhej të merreshin, ku doli edhe thënia lapidare “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”. Nga dokumentet e kohës rezulton se të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe diktatorin Enver Hoxha ishin dakord me këto masa.
Ministri i Brendshëm do të thoshte: “Listat i kemi gati. Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte “.
Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq.
Sot, emrat e atyre të pafajshmëve që u pushkatuan pa gjyq, për një vepër që s’e kishin bërë, nderohen me një pllakatë.
Kush ishin 22 intelektualët e pushkatuar:
1. Sabiha Kasimati, 38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vendosi të kthehej në atdhe. Punoi në Institutin e Shkencave, duke dhënë kontribut në këtë fushë.
2. Tefik Shehu, 39 vjeç, i lindur në Gjakovë. Diplomuar në Zagreb për Ekonomi, Financë dhe Drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë, por pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945-ën u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, ishte urdhër i prerë për t’u pushkatuar.
3. Pjerin Guraziu, 45 vjeç, lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën Tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938-ën. Pas luftës, shef Finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946.
4. .Jonuz Kaceli 43 vjeç, u lind në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulturë, art etj. Ai u dërgua në gropën e vdekjes, pasi ishte vrarë më parë nga torturat.
5. Anton Delhysa, 47 vjeç. U lind në Prizren. Specialist ndërtimi që kreu me rezultate të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulcit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të Shkollës Teknike të Fulcit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës drejtoi punimet për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për Spitalin në Gjirokastër, për fabrikën e tullave në Vorë etj.
6. Haki Kodra, 30 vjeç. U lind në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për Ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940-ën në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik, deri në vitin 1951 kur u pushkatua.
7. Gafur Jegeni, 41 vjeç. U lind në Dibër. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935-1937, komandant i kufirit bregdetar në Shqipëri. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria.
8. Myftar Jegeni, 36 vjeç. U lind në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët. pasi e arrestuan e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi si llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë.
9. Manush Peshkëpia, 39 vjeç, poet, patriot, me origjinë nga Gjirokastra. U lind në Vlorë. Kritikët e letërsisë e rendisin krah me Fishtën, Poradecin, Koliqin, Kutelin etj.
10. Reiz Selfo u lind në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera.
11. Qemal Kasaruho, 49 vjeç. U lind në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja. Në vitet ‘20-‘40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave. Ndërkohë, mori pjesë në luftën kundër pushtuesve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut.
12. Zyhdi Herri, 35 vjeç. U lind në Tiranë. Studioi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Ç. Pas luftës, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” në Tiranë.
13. Gjon Temali, 47 vjeç. U lind në Shkodër. Në vitet ‘40 studioi për Farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës.
14. Petro Konomi, 30 vjeç. U lind në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi, në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Ç. Pas luftës u emërua në ATSH.
15. Niko Lezo, 50 vjeç. U lind në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ka kryer Universitetin e Tuluzës në vitin 1921. Më 1923-shin ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940-ën arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës punon sërish kimist në laboratorin tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë.
16. Pandeli Nova, 59 vjeç. U lind në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare.
17. Thoma Katundi, 64 vjeç. U lind në Katund të Korçës. Ish-“Vatran” në SHBA.
18. Mehmet Shkupi, 58 vjeç. U lind në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish-pronar me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës. Dyshohej si “agjent” i legatës franceze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste.
19. Ali Qoraliu, 61 vjeç. U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës, ka përkrahur Ballin Kombëtar.
20. Fadil Dizdari me origjinë nga Shkodra, u lind në Kavajë, Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. U arrestua dhe u pushkatua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit Popullor”.
21. Hekuran Troka, 32 vjeç. U lind në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “terrorist”.
22. Lluka Rashkoviç, 51 vjeç. U lind në Mal të Zi. Ka ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh. Jashtë çdo rryme politike.
Shpriti i tyre u prehtë në paqe!
2.
Një ngjarje tjetër e rëndë që ka ndodhur në shkurt është masakra e datës 4. Sipas historiografisë komuniste janë 84 persona të ekzekutuar. Kjo shifër asnjëherë nuk është vërtetuar me emra, edhe pse ka 30 vjet që arkivat janë të hapura. Qytetarët janë të interesuar për historinë e ngjarjeve që kanë shenjuar rrugëtimin tonë, ngjarje të cilën ish-presidenti Meta e ka cilësuar si më kriminalen të ndodhur ndonjëherë, si një nga krimet më të egra çnjerëzore. Për sa kohë e cilësojmë si më të egrën të ndodhur ndonjëherë, duhet t’i dimë faktet se si ka ndodhur e pse ka ndodhur, e kush humbi jetën. Pse i fshehin?
Ka një tabor historianësh propagandistë që na kanë ngelur nga ajo kohë, të cilët nuk kanë respekt viktimat e kësaj ngjarjeje. Asokohe shumë komunistë vepronin me grupe ilegale, duke bërë edhe akte banditeske dhe atentate terroriste, siç ka qenë marrja peng e gocës së Mon Kukaleshit, vetëm 10 vjeçe.
Një akt tjetër i paprecedentë i këtyre grupeve bandite, teksa pushteti i kohës i cilësonte organizata terroriste, ishte vrasja e disa elementëve kombtaristë, irredentistë apo nacionalistë.
Këta banditë nuk mund të jenë asnjëherë të respektuar si Qemal Stafa, Tutulanët apo të tjerë.
Ngjarja më e zhurmshme e banditëve ishte ajo 3 nëntorit të vitit 1943, kur guerriljet komuniste të Shkodrës ekzekutuan me anë të një atentati, përpara Kafes së Madhe, Major Ndrec Prengën, Qarkomandantin e Xhandarmërisë, dhe nënkolonel Adem Boletinin, djalin e patriotit të madh Isa Boletini.
Të dy do të niseshin vetëm pak ditë më pas për në Mitrovicë, në kuadër të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, për të mbrojtur kufijtë e shtetit shqiptar me troje të lirueme.
Vallë, kush e instruktoi Vasil Shanton dhe ilegalët e tjerë për të vrarë këta dy ushtarakë shqiptarë?
Masakra e 4 shkurtit është veshur me një sfond të fortë propaganidistik të mbetur nga koha e dikaturës, por sot pas kaq dekadash disa të vërteta duhen thënë, së paku emrat e fatkeqëve që humbën jetën.
Për shembull, vetëm pak muaj më parë se të ndodhte kjo maskër, grupi i banditëve të Tiranës që kishte në krye Myslym Ketën kishte ndërmarrë një akt që mund ta cilësojmë mirëfilli terrorist, duke vrarë 18 djem lumjanë e lurianë te gazermat në Tiranë, te zona e quajtur “Rrapi i treshit”. Ata ishin duke larë teshat e tyre në vijën e ujit, sepse ishte ditë e dielë , teksa me 5 bomba dore, banditët hynë dhe ua hodhën ato për t’i lënë të vdekur.
Grupi u kap, ishte i madh, ndërsa për të mos i pushkatuar ndërhyri vetë Qazim Mulleti, ku pasi u liruan, ai tha shprehjen: “Ne kap kamunist e shlo, ata kap prej nesh e vrit. Kush marohet ma par?”
Kronikat e kohës në gazetën “Tomorri” apo në gazetën “Bashkimi i Kombit” shkruajnë për këtë ngjarje.
Ndërkohë, në fletushkat e qarkoret e tyre, komunistët e cilësonin si ngjarje të madhe vrasjen e shqiptarëve, edhe pse s’i preknin me dorë ata 30 e pak nazistë që lëviznin nëpër Tiranë.
Prandaj nuk kemi një numër të saktë se sa nazistë u vranë nëpër betejat imagjinare të komunistëve me ta, por dimë saktësisht se kë vranë ata kur hynë në Tiranë, e sa kufoma shqiptarësh lanë nëpër rrugë e te hotel “Bristoli”.
Ministria e Brendshme e kohës kishte marrë një njoftim në rrugë operative se po organizohej një aksion për të djegur institucionin dhe për të ekzekutuar funksionarët e ministrive. Për procedurë vihen në lëvizje autoritetet. Në Tiranë, afër zonës së njohur si “Përroi i Palpoçes”, xhandarët e kohës bien në kontakt me një grup komunist që i sulmon me armë. Tiranasit e vjetër e dinë këtë ngjarje, pavarësisht se nuk e treguan dot për vite të tëra. Dy policët e patrullës mbesin të plagosur dhe po transportoheshin për në spital, teksa autoambulanca e tyre kryqëzohet me një autoambulancë tjetër që vinte nga fronti grek me ushtarë nazistë të plagosur. Pikërisht aty ku sot është “Zogu i zi”, ky njësiti i banditëve sulmoi autoambulancat për të vrarë dy policët shqiptarë dhe, sipas asaj që transmetohet gojarisht, 3 ushtarët nazistë të plagosur. Në autoambulancat e Kryqit të Kuq mbetën të plagosur rëndë shoferët dhe murgeshat që shërbenin si infermiere. Kjo ngjarje zgjoi menjëherë revoltën e autoriteteve të kohës, të cilët urdhëruan gjetjen dhe ekzekutimin e personave që kishin organizuar këtë atentat.
Edhe pse Shqipëria kishte shpallur kursin e Neutralitetit, të njohur nga Gjermania naziste, Turqia apo Zvicra, vende neutrale gjithashtu, kurs mbi të cilin qeveria e kohës bëri të mundur shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri, sërish, nazistët ishin një fuqi pushtuese të cilët duheshin luftuar.
Por pyetja për propagandistët është se pse duhej që të thyheshin rregullat e luftës dhe të goditej Kryqi i kuq, apo të vriteshin xhandarët shqiptarë?
Fundja, irredentistët shqiptarë ishin në pushtet, balli dhe legaliteti ishin të lidhur me britanikët, ndërsa komunistët me sovjetikët.
Sërish duhet të theksojmë se fatkeqët që humbën jetën atë ditë nuk i dimë, sepse emrat e tyre historianët komunistë kanë dashur që të mos na i tregojnë, të mos i përjetësojnë me një pllakatë, ku të shkruhet emër e mbiemër.
Udhëheqësit e këtyre çetave ilegale, tipi Myslym Ketës dhe Vasil Shantos, që s’e kanë për gjë që nën urdhërat serb të vrasin Adem Boletinin dhe patriotë të tjerë që do të niseshin në frontin anti-jugosllav të luftonin krah Shaban Polluzhës e Xhemë Gostivarit, sot kanë emra shkollash e rrugësh.
Ju lutem, vërini emrat e atyre fatkeqëve që humbën jetën në “Masakrën e 4 shkurtit”! Emrat e kryebanditëve i vutë nëpër shkolla, ndërsa ato të fatkeqëve që humbën jetën, i groposët në honet e thella të harresës.
Shpriti i tyre u prehtë në paqe!