Shkodra ra! Zoti na ruajt!

Nga Nebil Çika

Shkodra ra!  Dje diktatura e Rilindjes ka marrë kalanë e fundit të rezistencës historike e aktuale në mbrojtje të lirisë e demokracisë duke prerë në mes shumë shpresa shqiptarësh.
U dhunua, u shtyp, u arrestua, u burgos e ndoshta edhe u tradhtua si në 1944. Me forca ushtarake, armë gaz lotsjellës, skafandra, mijëra trupa policore e ushtarake. Një pushtim i vërtetë në të gjitha aspektet.
Por rënia e Shkodrës nuk është rënia e një qyteti apo e një bashkie. Është rënia e një simboli, e rezistencës 75 vjeçare. Është rënia e Shqipërisë. Shqipërisë tjetër, Shqipërisë normale që nuk e duron dot tiraninë, e cila më shumë se kudo, demonstroi ekzistencën e saj pikërisht në Shkodër. Nuk e di çfarë ndodh, por Shkodra ra.
Reagimi i djeshëm i dëshpëruar ndaj sfidës, që tirania qeveritare i bëri Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, nuk ishte ai që pritej. Sigurisht që shkodranët kanë pasur arsyet dhe të drejtën e tyre për të reaguar në këtë mënyrë, se në fund të fundit askush nga ne nuk e ka të drejtën ti kërkojë Shkodrës dhe shkodranëve të sakrifikojnë vetëm ata për lirinë e demokracinë. Por bazuar tek ajo që ata kanë bërë në 75 vjet, shumë njerëz patën shumë shpresë që Shkodra nuk do të binte edhe këtë herë, përkundrazi, andej do të niste furia e lirisë për të gjithë vendin. Kjo nuk ndodhi, sigurisht jo për faj të Shkodrës e të shkodranëve.
Shkodra dje më 20.06.2019 më ngjante si Shkodra e vitit 1912-1913 ku e rrethuar nga malazezët të ndihmuar nga fuqitë e mëdha lëngonte por rezistonte. Shkodra dje ngjante si në vitin 1944 kur e pushtuar nga forcat sllavo-komuniste të përkrahura nga aleatet perëndimorë rezistonte me dëshpërim. Shkodra dje ngjante me 2 prillin e vitit 1991, ku përgjakej në mbrojtje të lirisë e demokracisë. Përballë me Shkodrën dhe shkodranët antikomunistë të prirë nga Ademi, Arifi e të tjerë antikomunistë sërish e njëjta tirani e drejtuar nga Rama, Koleka, Ruci, Bushati etj, si në vitin 1991.
Dje mijëra shqiptarë ishin me sytë nga Shkodra në pritje të zbythjes së parë të tiranisë që po instalohet. Po çfarë ndodhi që Shkodra ra?! Sigurisht që qëndresa e Shkodrës si ajo e gjithë Shqipërisë është e vështirë, por dje ndodhi diçka që nuk pritej.
Rënia e Shkodrës është pa dyshim lajmi më i keq për ata që janë bërë pjesë e rezistencës ndaj tiranisë. Është lajm i keq për mijëra shqiptarë që kanë dalë në rrugë në përgjigje të thirrjes së opozitës për protestë. Është një lajm i keq për qindra të arrestuar e të ndjekur penalisht politikë. Është lajm i keq për të gjithë ata shqiptarë brenda e jashtë vendit që besojnë ende tek liria e demokracia, tek dinjiteti njerëzor. Duhet të jetë një lajm i keq edhe për ata që kanë marrë përsipër organizimin dhe drejtimin e rezistencës ndaj tiranisë drejtuesve të opozitës dhe veçanërisht Lulzim Bashën. Rënia e Shkodrës ashtu si në 1944 mund të jetë prologu i një tiranie tjetër e bijve po aq të zezë e të përgjakur sa ajo 45 vjeçare e etërve.
Rënia e Shkodrës është një kambanë alarmi një mundësi për të llogaritur sërish shanset e vazhdimit të rezistencës ndaj tiranisë dhe suksesit të saj, një sinjal ndoshta për të rishikuar filozofinë, politikat, mjetet, metodat strategjitë e aksionit që po u ofron shqiptarëve si reagim politik e qytetar ndaj qytetarisë.
Pyetja që çdo njeri normal i bën vetes sot është: A është mjaftueshme rezistenca paqësore , me “gra e fëmije për dore”, përballë dhunës ushtarake e policore, a mjaftojnë fjalët e sloganet për lirinë e demokracinë përballë gazit lotsjellës, shkopinjve të gomës prangave dhe dhunës e arrestimeve politike?! Sigurisht që askush nuk e do luftën dhe përplasjen sociale, por a mund të pengohet dot tirania pa to? Të gjitha këto pas rënies së Shkodrës janë në diskutim. Sigurisht përgjegjësia e vendimmarrja i takojnë opozitës dhe liderit të saj të cilat i kanë thirrur shqiptarët në rrugë dhe kanë premtuar fitoren.
Por Shkodra nuk ishte fituar. Ishte një rënie, një pushtim. Shkodra është një pësim që mund të kthehet në mësim, sidomos për opozitën dhe liderin e saj. Tik -Taku dhe numërimi mbrapsht kanë filluar dhe vlejnë njësoj për të dyja palët në fushë beteje. 30 qershori është shumë pranë dhe me shumë gjasa fati i Shqipërisë e shqiptarëve varet nga ajo se çfarë do të ndodhë atë ditë. Basha është sot njeriu që ka marrë përsipër fatet e lirisë dhe shqiptarët i janë përgjigjur çdo thirrje të tij. Në se ai do të lejojë që atë ditë të rikthehen votimet komuniste, e sigurt që nuk do të jetë vetëm fundi i tij. Por pas rënies së Shkodrës mendoj se askush nuk mund të garantojë dot që e keqja e madhe mund të rikthehet, mund të ndodhë.
Zoti na ruajt!