SHËNIME PRANË „DEMARKACIONIT… !“
Nga Agim Shehu
Ngjarjet në Ballkan janë aq të vrullshme sa, posa fillon të shkruash për njerën, vjen tjetra e të ulet mbi letër. Ndërhyrjet shumë të çmuara dhe ndihmën jetike të botës euroatlantike shqiptarët e duan gjer në adhurim dhe e falënderojnë përjetësisht. Megjithatë, të hyjmë drejt e në temë, veç të mirës së gjerë e të padiskutueshme për kombin e shqiptarëve si pjesë organike e Europës, ato herë herë kanë edhe diçka të papritur gjer në habi, – ta shohin si të dorës së dytë, apo ta kafshojnë atë për fqinjët tanë një çikë më tej dhe nga ajo që ka mbetur. Këtij Kombi të holluar, sado në mes të Europës së qytetëruar, i duhet të përballojë një industri të tërë kurthesh politike që i shfaqen dhe kur s’i pret e që nuk i meriton.. Aq më e rëndë kur brënda vëndit fati i tij, siç po duket tanimë qartë, ka rënë në duar zyrtarësh të dyshimtë si kurrë ndonjë herë. Janë të tillët për të cilët Presidenti Ajzenhauer udhëzonte me kohë: „Asnjëherë nuk duhen vënë në detyra qeverie ata të cilët e kërkojnë këtë me pasion këmbëngulës“.
Nuk ka dyshim se kombi shqiptar si nga historia dhe nga fati, jetën e ka me qytetërimin Perëndimor euro-atlantik. Poeti i madh kombëtar, Naimi, edhe në qendër të Perandorisë Osmane dikur, shpallte botërisht prirjen mbarëpopullore: „Eja o Ditë e Bardhë/ që lind nga perëndon“! (Si një harmoni me mëndjen e Perëndisë, në Shqipëri edhe lumenjtë ecin drejt Perëndimit; lumi në veri që varet i vetëm drejt jugut, thua është marrë vesh me Perëndinë të bëjë punën e kontrollit – mos ndonjë nga shokët poshtë ka prishur drejtim)!
Mes të tjerash, na del pa pritur edhe „Demarkacioni“!! E thënë shqip, t’i falet ende tokë shqiptare Malit të Zi ! Na mori në luftë, t’idhurojmë dhe vetë në paqe!! Treva e ngushtuar tragjikisht e kombit shqiptar mbetet kështu nën kërcënimin e prerjeve të reja – këtu me «demarkacion», më lart – me Mitrovicë e Zajednicë, në Jug me prerje deti e toke…Si t’ia bëjnë që trojeve të mbetura shqiptare nuk i presin dot dhe ajrin! Nëse e çon drejtësinë gjer në fund, Shqipëria ka për të marrë jo për të dhënë. Por jemi të vegjël e pak na dëgjohet fjala. Edhe kjo «pak», – herë herë e kushtëzuar. Nëse shtrohet puna e «vijës» si kufi i ri, shqiptarët përballë këtij « demarkacioni » tragjik e komik, kanë më të drejtë të kërkojnë, të heqin një vijë të tyre në hartë që të përfshijë nga ana shqiptare bie fjala Ulqinin. (Ambasadori izraelit në Tiranë gjatë një bisede tha mes të tjerash se caktimi i Jerusalemit si kryeqytet është i ligjshëm edhe ngaqë ai dikur (para 2 mijë e ca vjetësh!) ka qënë kryeqytet i Izraelit të kohës!) Sikur për ngjashmëri e barazi drejtësie, dhe shqiptarët të thoshnin se dhe Ulqini ka qënë i njohur botërisht kryeqytet i mbretërve ilirë me famë – Teuta, Genci, Agroni e me radhë !…Apo, më e freskët, Janina në pohimet e figurave të shquara të Europës si dhe të vetë grekëve, ka qënë kryeqytet i Shqipërisë…Por qarqet antishqiptare dhe këtij argumenti i kanë dalë përpara: Dikur Ballkani quhej Gadishulli ilir, siç përmëndet në shumë pohime dijetarësh e zyrtarësh të lartë. Në Ljubianë të Sllovenisë mbeta i habitur kur më treguan një majë bregoreje që quhej «ilir» tok me lumin nën të. Për ta fshehur dhe harruar prerjen e Ilirisë shqiptare, Gadishullin e lanë me emrin „Ballkan“, që turqisht do të thotë «Mal». (Konitza bën humor me këtë lojë të Europës: e lexuar turqisht, Mali «Ballkan» do thuhet Mali «Mal». Pranuan pra më mirë emërtimin oriental se shqiptar e kjo, si për mbulim krimi të djeshëm, edhe për prerje të reja të nesërmen, kur të jepet rasti përgatitur prej tyre. Dmth, e kanë të ligjëshme të presin ende Turqinë me emrin « Ballkan » në Europë !
Kjo mëndje që del si përgjigje, nuk ka të bëjë me popullin dashamirës malazez me të cilin shqiptarët si popull e si shtet në përgjithësi sot po kalojnë në fqinjësi të mirë europiane. Fjala është për zikzaket e politikave që ngarkesat e diplomacisë e kanë më të lehtë t’ua ngarkojnë në kurriz shqiptarëve. Mbi të gjitha, kërkesa « demarkacion » merr formën e urdhërit nga «lart», dhe ti, si i varur nga lart, duhet të bindesh poshtë! Sovraniteti i shtetit këtu ka rënë. Në mungesë argumentesh me biseda të çiltëra si miq e partnerë strategjikë, vazhdohet me oferta si në lodra fëmijësh: «Po firmosët «demarkacionin», do t’ju lëshojmë «Vizat» për Europë! Politika kthehet në tregëti! Po vëndet që s’kanë «demarkacione», si e marrin vizën?.. Kur miratimi i kërkesës i kërkohet një vëndi, dmth ai vënd ka të drejtë ta pranojnë si dhe ta kundërshtojë. Vjen natyrshëm pyetja mes të barabartësh: nëse dhe Shqipëria do të kërkonte një «demarkacion» të saj për një pjesë vitale të kombit grabitur nga fqinjët me gjak e terror, a do ta miratonin lart këtë «demarkacion» Shqipërie gjersa e drejta ligjore e historike është e barabartë për të gjithë? Hygoi thotë: „Madhështia e një populli nuk varet nga sasia e njerëzve, ashtu si madhështia e një njeriu nuk varet nga gjatësia e trupit“. Po aq bukur e thotë për Shqipërinë viktimë publicisti francez Viktor Frobin te revista «Je Sais Tout» (Unë Di Gjithëçka): «Dekania e racave dhe shteti më i vogël“! E botoi si akuzë ato ditë kur zhvillohej thertorja në Konferencën e Londrës.
Këtë shkrim ma nxiti një kronikë e herët që më ka bërë shumë përshtypje, te një personalitet i shquar e zyrtar i lartë francez. Siç dihet, me Kongresin e Berlinit që nga figurat e shquara humane u quajt „varri i kombit shqiptar“, nisi udhën coptimi i tij. Me trojet e tij të lashta sa historia, Europa cinike e kohës ushqeu kulishët e saj sllavë e grekë. Këtë thertore e shoqëroi me heshtje zyrtare, si të qe një veprim i qetë për rregullim kufijsh, kurse figura të shquara si Dora D’Istria thirrën me zë të fuqishëm revolte: „Është mbjellë era, s’ka si të mos korret stuhia. Europa ka vdekur…“. Në Hartën e Kongresit të Berlinit shtruar mbi tavolinë qe shënuar (siç e tregon Sami Frashëri): në mes – Topi i rëndë Krup. Rreth tij – parullat cinike shkruar si me dhëmbë ujku dhe zbukurime gjarpëri: „Forca e mund drejtësinë“. Më tej – „Sa të lumtur janë ata që kanë fituar!“. Në katër cepat e Hartës, skicuar kryqi fetar (pohim i hapur, se po vazhdonin një Kryqzatë fetare). Shqipëria qe viktima e saj.
Për të zbatuar vendimin e Kongresit, në Shqipërinë e Veriut te Mali i Zi i „Demarkacionit“ të sotëm u dërgua personaliteti i shquar francez D’Estournelle de Costant, dijetar, Senator dhe Nobelist. Ai u ndodh menjëherë në një mjedis të panjohur që i bëri shumë përshtypje e që ishte krejt ndryshe nga sa qe paraqitur nga shpifjet kundër shqiptarëve si komb. Le të lëmë autorin të flasë vetë në Kujtimet e tij tepër të çmuara e të ndershme:
“Në Shqipëri arrita një ditë pas Kongresit të Berlinit. Atje gjeta një vënd që menjëherë më rrëmbeu zemrën. Dallova menjëherë një bujari e një ndershmëri të çuditëshme. Një popull që meriton nderimin, dashurinë e ndihmën tonë. E kemi lënë Shqipërinë të zhytet përherë e më thellë në pështjellime e anarki…Shqipëria ka të drejtë të jetojë. Populli i saj është europian…“ E më tej, po me atë pasion e revoltë njerzore dhe nga lartësi zyrtare: „Në Shqipëri e kam kuptuar për herë të parë se në botë ka jo vetëm qënie të gjalla, po dhe popuj që kanë nevojë për ndihmë e të cilët njeriu nuk mund t’i lëshojë dore pa i ardhur turp nga vetja. Pata, pra fatin e mirë që në pranverën e vitit 1879 të emërohesha sekretar i Komisionit për caktimin e kufijve mes Shqipërisë së Sipërme dhe Malit të Zi….Ne erdhëm për të cënuar e për të cunguar truallin shqiptar në fitim të Malit të Zi… »
Pra Europa zyrtare dërgon delegatë për të prerë trojet shqiptare që t’ia falte fqinjit të tyre. (Më pas Kral Nikolla iu qa më tej Europës me elegjinë komike: „Po s’më dhatë dhe Shkodrën, do vras veten!“) Akt i denjë për humor estrade.
Akti më i vogël sot është që, kur jepet rasti për gjykime të së kaluarës me recidiva të sotme, të paktën të kërkohet falje mbi bazën e të vërtetës historike e gjenetike. Kur ke vullnet të mirë sidomos brënda një bashkësie të ngushtë europiane, dëshmitë e sakta gjënden gjersa trojet shqiptare janë mbytur me gjak shqiptarësh të pafaj në vatrat e tyre. Më prill 1919 Sekretari i Shtetit amerikan, Robert Lansing njofton Shtëpinë e Bardhë: „Gucia, Plava, Gjakova, Peja, Pozhuri dhe Rozhaja kanë qënë skena terrorizimi dhe vrasjeje…për shfarosjen fizike të banorëve shqiptarë të kësaj krahine…“. Aty u vranë zyrtarisht e me pabesi dhe figurat e shquara të kombit shqiptar, Isa Boletini me të afërmit e tij, Çerçiz Topulli, Muço Qulli etj. Këtë ia kemi lënë historisë. Por ç’ndodh më tej ?
Shqiptarëve u kërkohen troje të reja nën emërtimin e ‘qytetëruar’ – «Demarkacion» (Vijëkufiri)! Shqiptari nuk i është dredhuar kurrë flijimit për miqtë apo për ngjarje të përbashkëta me të, kundër çdo armiku të përbashkët. Por çdo gjë me drejtësi e barazi. Kurse zyrtarët fqinjë kushtëzojnë te Europa orekset e tyre prej fëmije pa e afruar në kujtesë të kaluarën: «Nga shqiptarët duam dhe një copë, ndryshe s‘vimë në Europë»!…Dhe për fat të keq, Europa zyrtare herë herë trysninë e bën te fqinji që e ka më të përkulur qafën…Për fatin më të keq, zyrtarët tanë të veçantë janë gati që për të mbrojtur veten nga ligësitë e pafund, të falin gjithëçka gjersa kështu mendojnë krerë të Europës apo herë herë më larg.
Këtu nuk mohohet që Shqipëria është e lidhur ngushtësisht, siç thamë, me Europën, e sidomos me Shtetet e Bashkuara…Por kjo nuk do të thotë që dhe çdo nëpunës i tyre është në çdo kohë e për çdo gjë përfaqësues i përsosur i shtetit që e dërgon. Tek e përgjithëshmja herë herë jeton dhe e veçanta – vetja e tij me lidhjet apo shijet e veta…Franca u angazhua tërësisht në luftën kundër genocidit serb mbi Kosovën. Por ushtaraku i lartë i saj në shtabin e NATO-s, me nostalgjinë e njohur franceze për Serbinë, i tregonte fshehur Beogradit pikat ku do sulmonte NATO-ja…U lirua Kosova, mirëpo me sa duket nga nostalgjia për Beogradin, ministri Kushner shpejtoi e shkoi si «për rregullim qeverisjeje» në Mitrovicë; kurse aty krijoi vatrën serbe e cila do arrinte ku ka arritur, një tumor i ri Beogradi për shkërmoqjen e Kosovës. (E thotë saktë e bukur publicisti diplomat Shaban Murati – Kushner demostroi një „diplomaci atletike“)-. Më tej, kërkesa për Zajednicën (Bashkësinë) serbe është skica fillestare për Republikën Serbe në mes të Kosovës.
Pazari që lidh „demarkacionin“ me „vizat“ të kujton një ngjarje të kaluar si komedi sipër dramës. Në Konferencën e Londrës në një rast Gjakova në debat e sipër iu la Shqipërisë. Përfaqësuesi rus kundërshtoi rreptë për aleatin serb gjer buzë luftës, dhe Grej u tha me humor zbutjeje: „Shqipëria e varfër do detyrohet ta shesë, e ju dhe Gjakovën e merrni lehtësisht me parà“! Grej qe i bindur se bënte lojë tragjike kundër shqiptarëve, e këtë e pohonte të paktën në Kujtimet e tij pas 14 vitesh, 1927 duke bërë vetëqortimin historik:
„…Jam i bindur se kur të mësohen të gjitha faktet, ky Vendim do kritikohet me shumë të drejtë nga ata që e njohin vëndin e që kanë dijeni dhe dëshirën e popullsisë vëndase. Por…duhej shmangur me çdo mënyrë një përplasje e hapët mes Fuqive të Mëdha. Pra, nëse Marrëveshja rreth Shqipërisë u krye pa prishur harmoninë mes Fuqive të Mëdha, ahere ky qe një sukses i vërtetë nga pikëpamja e interesit jetik të paqes në Europë.„
Ky gjykim, sado i vonuar e vlen jo vetëm të rilexohet publikisht, por dhe të nxirren mësime prej saj. Në mos të rregullohet pa vonesë diçka e keqe e së kaluarës, të paktën të mos përsëriten, duke u prerë udhën veprimeve të ngjashme që në embrion.
I kërkohet Kosovës gati me urdhër, që aty të nisë punën Gjykata Speciale! Ende s’ka dalë e qartë, me ç’logjikë e për ç’arsye gjykata Speciale e Europës të nisë nga viktima e jo nga fajtori ? Ky veprim a nuk krijon idenë se të dy palët janë fajtorë të barabartë në faj e në krime, dhe këtë udhëheqja serbe e ledhatuar e ka shprehur publikisht?! Në ç’vënd tjetër në botë ka ndodhur kjo praktikë!? Ku ka ndodhur si në Kosovën martire, që Kuvëndi të ketë deputetë pa popull, pa elektorat si të hedhur me parashutë nën emërtimin imagjinar „Lista Serbe“! Ku ka ndodhur që vëndi viktimë i cili ka vuajtur vite e shekuj genocidet më të përgjakshme në histori, kur fiton lirinë, të mos ketë Ushtrinë e vet për mbrojtje të mëtejme në çdo rrethanë, kur vrasësi shekullor të vazhdojë të forcohet lirisht me të gjitha armatimet e kohës përballë viktimës së tij? Si mund të spjegohesh, që populli viktimë i mbyllur e i shtypur gjatë si në rreth ferri te vatra e tij, i vetmi ai, ende nuk ka të drejtë të dalë lirisht me viza qytetërimi nëpër Europën e qytetëruar!? Për çfarë faji e ç’dënim duhet të lajë më tej?!…Gjermania nën nazizmin i solli aq të zeza Europës, e megjithatë, pasi qe ndarë në fillimet, u bashkua më pas me vullnetin e saj. Nuk u tha gjëkund se ndalohet bashkimi i dy pjesëve. Pse për Kosovën shpallet zyrtarisht se nuk i lejohet bashkimi me nënën nga e cila e preu vetë Europa dhe e përgjaku me krime aq gjatë Beogradi? Kush e sqaron, pse ky kusht i habitshëm e i palogjikshëm!? Po të shihet te shqiptarët një Hartë e së kaluarës apo të dëgjohet një zë që të tregojë se ku ka qënë e shtrirë Shqipëria me emërtimet Ilir, Epir, Kaoni, Maqedoni etj. vihet ulërima e fqinjëve e miratuar shpesh dhe nga qortime dënimi prej përfaqësues Europe, se shqiptarët po kërkojnë Shqipërinë e Madhe! Nuk kemi të drejtë as ta kujtojmë të kaluarën tonë. (në të vërtetë është frika e hajdutit kur ndjen se po i zbulohet vjedhja)! 1Shqiptari kujton vatrat e tij të zhuritura apo të grabitura, kujton varret e të parëve që e thërresin dhe nga fundi i dheut. Pse nuk bërtasin, bie fjala për „Britani të Madhe“, kur ajo madhësinë e ka dhe nga troje të huaja…etj!
Thamë, me Gjykatën Speciale, Europa do njohë kriminelët. Shumë mirë. Por zyrtarë të caktuar të Europës a e kanë të kufizuar rezen e Njohjes së kriminelëve vetëm te shqiptarët? Kryekrimineli që drejtoi genocidin e përgjakshëm mbi çamët, Zerva, menjëherë pas Lufte u caktua Ministër. Shtetet e Bashkuara, pasi u njohën dhe me Gjyqin e Nurenbergut ku ai doli hapur bashkëpunëtor me nazistët, kundërshtuan fort caktimin ministër të tij, e ai u hoq. Mirëpo sot kryegjaksori Zerva është ngritur Monument në Athinë e në Janinë me dorën shtrirë drejt Shqipërisë së Jugut. A e shohin këtë zyrtarët euroatlantikë kur vizitojnë Greqinë e që i shoqëron dhe krimineli-monument!? ? Nuk ka vënd aty për Gjykatë Speciale të mëtejme?!
Edhe më tej, për oreksin e shfrenuar të saj ndaj fqinjit viktimë, dhe kjo pasi Greqia ka pasur gjithmonë përkrahjen në tërësi të Europës zyrtare. Këtë tanimë e pohon hapur se krijesa e saj fantazmë Vorio-Epir (dmth Shqipëria e Jugut) është „Greqi“!. Për të mbrojtur veten, Shqipërisë i duhet të luftojë e vetme (aq më keq me një udhëheqje në tërësi e errët e antikombëtare. Genocidi u njoh si Krim Lufte. Rezoluta 26 e Lidhjes së Kombeve përcakton më hollësisht: „Parandalimi dhe dënimi i Genocidit , artikulli II dhe III (1948) jo vetëm genocidin fizik, por dhe „Synimin për të shfarosur dhe asimiluar forcërisht, tërësisht apo pjesërisht, një grup tjetër kombëtar, etnik, racor apo fetar“. Greqia zyrtare këtë po bën me shqiptarët duke i blerë, korruptuar apo kërcënuar si emigrantë hallemëdhenj. Këtë bën Kisha greke me teorinë e saj të çuditëshme e të shpifur, se „çdo ortodoks është grek“, e këtu nis genocidi i saj kriminal. Këto besoj i dinë përfaqësuesit euro-atlantikë, dhe shqiptarët këtu presin qëndrimin e tyre. Shqipëria ka nevojë për ndihmën në ekonomi, reformat shoqërore e demokratike,,,Por mendoj se ka edhe më shumë nevojë sot për ndihmë kombëtare kundër fqinjëve shovenë që janë hedhur në sulm prej pushtuesi‘.
Pas Luftës II Bot. një zyrtar amerikan, Pepper, i ngrohur nga grekët në SHBA dhe i papërgjegjshëm, një çast Korçën ia afronte Greqisë! Autoriteti i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Senatori Hurt, ish ambasador, iu përgjegj mes të tjerash rreptësisht aq sa bëri bujë: „Korça është shqiptare. Është qyteti më amerikan në botë…Qytetarët e saj duan ta bëjnë çdo gjë sipas modës amerikane. A doni ju t’i fusni qytetarët shqiptaro-amerikanë nën zgjedhën greke?…“ (gjykimi i mrekullueshëm amerikan vlen ende edhe për sot).
Pas rrëmbimit të trojeve shqiptare, Europa e kohës si arbitër i kënaqur më 14 nëntor 1913 del me Traktatin e Athinës ku në nenin 6 thotë „Greqia detyrohet të respektojë të drejtat pasurore e fetare të popullsive që mbetesn nën juridiksionin e shtetit grek“ (të tilla i nxori dhe për trojet shqiptare në Toplicë, Kurshumli e me radhë nën masakrat serbe). Por ato u harruan shpejt. Viktimat u bënë edhe më tej viktima. Krimi i të dy palëve, Beograd e Athinë, sulmoi më thellë nga veriu e nga jugu gjer në zemër të kombit shqiptar. Krimi dhe intrigat e tyre u ushqyen dhe nga miratimi në heshtje i shumicës së metropoleve politike të Europës, sidomos Rusia, Franca e Anglia. Shqipëria e pafaj, gjithënjë e pafat.
Për të ngritur dallgët e kundërshtimit ndaj pushtuesit nazistë, Rusvelt e Çurçilli shpallën më gusht 1941 Kartën e Atlantikut, ku në pikën 3 thuhet: „Mbështesim të drejtën e gjithë popujve për rikthimin e të drejtave sovrane gjer në vetqeverisje gjithë atyre që këto të drejta ua kanë rrëmbyer me forcë“. Shqipëria e coptuar ishte rasti më tipik. Për këtë, u mblodhën mëndjet e ndritura atdhetare me Nolin e Konitzën në krye, dhe zgjodhën si figurën më të denjë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një unitet, Mbretin Zog (çuditërisht, të nesërmen e bisedave nga krerët shqiptarë, Konitza u gjënd i vdekur në shtrat)! U fitua Lufta, dhe jo vetëm që për Shqipërinë nuk u kujtua njeri për ‚premtimin‘, por në të kundërt, si gjithmonë mbarimi i luftës për Europën ishte dhe fillimi i luftës së re të veçantë kundër dhe asaj Shqipërie që kish mbetur. Beogradi dhe Athina, pothuaj të pashqetësuar nga Fuqitë e Mëdha, diku dhe të përkrahur prej tyre siç e kanë pohuar vetë si fakt apo pendesë, sulmet e tërbuara i bënë me krime gjer në genocid. Përfaqësuesit e Europës a i kanë dëgjuar dhe sot thirrjet histerike, se nuk ekziston çështja çame, kur vetëm në Shqipëri janë mbi 300 mijë!? Një popull martir ka mbi 70 vjet që endet refugjat i pashëmbullt në botë, larg vatrës së tyre dhe varreve të të parëve, kurse dhe para kësaj tragjedie të një populli të tërë fisnik e paqësor Europa në tërësi hesht!? Si qëndron e qetë sipër kësaj heshtjeje të cilat ia çvlevtësojnë parimet e rregullimit me paqe të botës!?
Edhe më keq: Ka mbi 70 vjet që Greqia mban Gjëndjen e Luftës me fqinjin e vet, Shqipërinë. Dmth pohon e pranon që jemi armiq! Mirë mëndja e tymosur greke se e tillë ka qënë dhe mbetet, me orekse qëni dhe pabesi dhelpre. Por si e pranon këtë Europa zyrtare!? Dhe më tej: Pakti i Natos në pikën 5 thotë se, nëse një antar i NATO-s sulmohet nga një anë tjetër, Nato-ja do t’i vejë në ndihmë! Bukur. Por ne me Greqinë jemi të dy në NATO, dhe pyesim natyrshëm: nëse na sulmon fqinji, me cilën anë do vejë Nato pasi të dy jemi antarë të saj !? Këtë pyetje e kam botuar më parë, e s’është dhënë përgjigje. I takon shtetit të Tiranës te marrë përgjigje për këtë paradoks të pashembullit të shekullit..
Habitë pa përgjigje janë zinxhir. Me trokitjen e ‚demokracisë‘ në Shqipëri, nga veriu në jug e paralel me dy gishtat përpjetë, filluan të lëviznin në një katrahurë përmbysjesh si në kaoset e Biblës kazmat e shkatërrimit. Gjithëshka rrafsh, gur mbi gur. Mirë të zotët që po deheshin nga gëzimi teorik dhe iu turrën çdo vlere, çdo ndërtimi e pasurie, edhe pemëve të urta e fabrikave bujare, dhe armatimit të vetëmbrojtjes…po përfaqësuesit e huaj të botës euro-atlantike, ambasadorë e me radha, kur e shihnin këtë kataklizmë të çmëndur të një populli afër çmëndinës nga dehja e premtimeve, si nuk kundërshtuan me një fjalë: „Po ç’po bëni, o të lajthitur e të uritur! Po jeni jashtë qytetërimit e „demokracisë!“ Ambasadorët e SHBA-së të cilët që në fillimet, me gjithë ndihmën shumë të madhe e jetike të tyre, i kishin para syve shkatërrimin histerik të vëndit me parullën mashtruese marrë nga Athina e Beogradi – Niveli 0! Vjen Ceku i Bardhë! Si nuk thanë të paktën se po gënjejnë krerët tuaj! Amerika nuk i ka premtuar këto shpikje! Përkundrazi, krerët teorikë të shkatërimit i merrnin për krahu, i çonin vizitë në Amerikë e gjetkë…U zgjatnin jetën dhe pushtetin në sy të shqiptarëve…
Më e rëndësishmja – shqetsimi për pronën. Te Manifesti i Partisë Komuniste Marksi thotë prerë: „Teoria jonë mund të përmblidhet me dy fjalë – rrëmbimi i pronës“. Nuk ka më qartë. Prona është baza e patundur e shtetit demokratik. Po grabite pronën e popullit, je shtet komunist dhe këtë s’ta mbulojnë dot parullat dyfytyrëshe demokratike!! Shqiptari është veçanërisht i lidhur me pronën e tij, aq sa me tokën nënkupton Atdheun – „Dheu i atit“, apo dhe më fort, e dyzuar gjer në flijim si për mëmën – „Mëmëdhe – Dheu i mëmës“ („Mëmëdhe quhetë toka…“). Qeveritë shqiptare që vetëquhen „demokraci“ ua kanë rrëmbyer si vazhdimësi e Marksit dhe e komunizmit pronën e vet shqiptarëve. Gjer tani, për këtë grabitje janë vrarë rreth 8 mijë vetë. Më e keqja, varri rri hapur për të ardhmen brez pas brezi pasi asnjë s’ta fal tokën tënde, që do të thotë falje e shkelje e shpirtit të të parëve…Zyrtarët e BE-së tek bëjnë kërkesa për BE etjera oferta, si është e mundur që kërkesë të parë të mos vënë si kusht të padiskutueshëm Ligjin universal për pronën e trashëgueshme e të patjetërsueshme!? Si të kuptohet kjo, kur ndodhen para tragjedisë së zbuluar të shqiptarëve për pronën e tyre! Duke mos gjetur arsye, të duket, për fat të keq se dikujt i pëlqen kjo gjëndje e Shqipërisë si eksperiment i një varianti mes Europës për studime sociale, ekonomike etj. Si ta spjegosh më tej?!
Lloi tjetër: Për t’iu afruar Europës, ajo të dërgon kushtet si provim. Dhe ti përgatitesh. Mirëpo nga pas ke dhe kërkesa të papritura nga një shtet tjetër, sidomos fqinj, që s’kanë lidhje me Europën po me interesat e ngushta të tyre.. Kështu për të vonuarit e gjysëm të ftuarit, ëndëra për Europë ka dy rrugë, njëra si drejtësi dhe tjetra për tregëti. Pushteti i një ankese „private“ është i barabartë me pushtetin qëndror të BE-së, Psh me kushtet e Athinës, Shqipëria për çdo hap zyrtar drejt BE-së duhet të shesë një pjesë Shqipërie! Gjer tani ka arritur të mbjellë trojet shqiptare me varrezat e ushtrisë pushtuese greke! Fantazia e tyre vazhdon…A duhet ta shohë me qetësi miratimi këtë marrëzi bota euro-atlantike? Po sikur Athinës me lak në fyt nga kriza ekonomike, t’i thuhej se po të falim miliarda që të shpëtosh, veç dhe ti të na bësh një shërbim që na duhet si strategji e përbashkët – ta njohësh Kosovën ! Nuk di, çfarë do pengonte këtu !?
Në tërësi, sot shqiptarët ndjehen të gënjyer nga Diktatura dhe, ende më keq, të çgënjyer nga ‚Demokracia‘. Njerzit e mënçur të cilëve u dhimbset Atdheu, gjykojnë më afër fjalët profetike të Konitzës: „Nëse ndonjëherë Shqipëria vdes, mbi varrin e saj të shkruhet epitafi: ‚E bënë idealistët, e mbrojti rastësia, e varrosën politikanët,“. Megjithatë, në ndërgjegjen kombëtare të shumicës së shqiptarëve zotëron përkufizimi madhështor i La Martinit: „Ky komb është i pavdekshëm. Kjo është toka e heronjve të të gjitha kohëve“.
Këtij gjykimi homerik i është përgjegjur publicisti i shquar Vangjel Korça – Nirvana: „Flaka e atdhetarizmit është shuar e ka mbetur vetëm hiri i ngurosur…Ata që flenë, duhen zgjuar. Ata që mungojnë, duhen krijuar“. Fjalë – thirrje si për ditët e sotme.