Shembja e tre shkollave në Kamëz ,nxënësit dhe prindërit në kaos

Shembja e tre shkollave në Kamëz krijon “kaos” për nxënësit dhe prindërit: Ka ngelur të zhdukemi nga ky vend
Vendimi për shembjen e tre shkollave në Kamëz, ka shkaktuar një ‘kaos’ të madh sa i takon lëvizjes së nxënësve të cilët duhet të zhvendosen nëpër shkolla të ndryshme. Prindërit janë detyruar të lënë punën për të regjistruar fëmijët e tyre ndërsa thonë se e kanë të vështirë të paguajnë për koston e transportit të fëmijëve në shkollat e tjera.

Fëmijët nga klasa e katërt deri në të nëntën, do të transportohen nga ana e bashkisë drejt shkollave, Isa Boletini dhe Vëllazërimi. Ndërsa për klasën e parë dhe klasën e tretë, nuk është gjetur asnjë zgjidhje. Disa prej prindërve kanë deklaruar se transferimin e shkollave e kanë marrë vesh vetëm të premten dhe u është dashur të linin punën për të regjistruar fëmijët e tyre në shkolla.

“Çunin e vogël e kam këtu, dy të tjerët i kam në shkollën tjetër. Unë jam me qera, të tre fëmijët i kam në shkollë. Unë nuk po ja dal dot. Sot kam marrë leje tek puna, se do i çoj vetë, kurse më tej, nuk e di kush e mban përgjegjësinë për fëmijët këtu. Unë personalisht nuk jam lajmëruar fare që kjo shkollë do shembet. Ka ngel më mirë të zhdukemi nga ky vend sepse nuk e kemi asnjë lloj të ardhme”– u shpreh njëri prej prindërve.