Sesion i ri parlamentar nis me “sherr” te vjetër , palët të ndara për reformën në drejtësi
Pushimet e verës nuk kanë afruar në qëndrime palët politike kur bëhet fjalë për drejtësinë. Në prononcimet për mediat pas Konferencës së Kryetarëve, përfaqësues nga mazhoranca dhe opozita shfaqën hapur dallimet mes tyre.
Krerët e grupeve parlamentare të PD dhe LSI u shprehën për ta rimarrë reformën nga e para.
Spaho: Ngrita çështjen e reformës në drejtësi që ka dështuar. Jemi pa gjykatë kushtetuese, pa gjykatë të lartë, pa gjykatë të apelit, pa KLGJ, pa KLP, pa KED. Për 11 gjyqtarë dhe prokurorë për të cilët ONM kanë ngritur pretendime serioze për mosplotësimin e kritereve të vettingut.Sa i takon zgjidhjes, PD që në 2016 ka paraqitur propozimin që sikurse u miratua Kushtetuta me konsensus edhe 7 ligjet e reformës në drejtësi të miratohen me konsensus.
Vetëm një u miratua me konsensus. Së fundi kemi propozuar rishikimin e paketës së 6 ligjeve, nuk mund të zgjidhen vetëm me shkollën e Magjistraturës. Kandidatët duan 2 vite të mbarojnë shkollën dhe niveli i njohurive të tyre dhe eksperienca e punës nuk është e atillë sa të punojnë në organe kaq të rëndësishme.
Vasili: Ky sesion i ri parlamentar për fat të keq fillon me të njëjtën shenjë konflikti si sesioni i shkuar me shkaktar dhe përgjegjës të vetëm këtë qeveri. Instrumenti i vetëm është përballja ballore me këtë mazhorancë, çdo kompromis është në dëm të lirisë dhe pronës. Rivendosja e shtetit ligjor duke rimarrë reformën në drejtësi, pasi vettingun po e konteston edhe ONM.
Por nga ana tjetër, Ulsi Manja i PS-së tha se deputetët e opozitës iu dukën sikur vinin nga dasma.
Manja: Mua mu duk sikur ishin deri në vonë në ndonjë dasmë, meqenëse ishte dhe ditë e dielë.Jemi për zbatimin deri në fund të reformës në drejtësi siç ka paraparë Kushtetuta dhe ligjet e vendit.