Sali Berisha, maloku/ fshatari më i famshëm.
Nga Indrit Vokshi
Lexova një mender shkrim të Bledi Mane, ku i shkrunte Edi Ramës:
“Kur ti luaje te parku i lodrave per femije te rruga e Elbasanit, ai atje tej (Berisha) mes bjeshkësh zihej me kelyshet e ujkut te murrmë sepse u vidhte ushqimin.”
Nuk do shpenzoja kohë nga jeta për të komentuar mbi kte, nëse s’do e dija se ky mendimi se dikush i cili është rritur në lagje urbane, shihet si krijesë më e lartë se dikush i rritur në mal, veçprej faktit se u rrit në lagje, është bajagi i përhapur.
E para, ka dy lloje fshatarësh, fshatarë që fshatin e identifikojnë me mizerje ngaqë iu kujtohet në nënvetëdije e në mënyrë primordiale mizerja shekullore ku të parët e tyre kanë jetuar ndaj qytetin e quajnë arritje, ka edhe fshatarë të cilët fshatin e quajnë krenari, diçka qetësuese, identitare se edhe pse mund të kenë jetuar në varfëri ekonomike, nuk kanë jetuar në varfëri morale e dinjiteti në fshat.
Mbi kte premise pra ngrihet idea se ai që ka lindur në qytet në hierarkinë e gjallesave vlen më shumë se ai që ka lindur e jetuar në fshat. Dhe po mbi kte, ngrihet edhe furia për ta sha tjetrin duke i kujtuar varfërinë, qepën, bukën thatë, trikon e leshit. Kjo sepse varfëria e tjetrit iu kujton varfërinë e tyne dhe kjo i tmerron, iu duket sikur po i kthen përsëria atje tek varfëria ku ishin, kurse të tjerët që mund t’mos kenë qenë të varfër e shajnë sepse edhe ktyne iu duket si kërcënim. Ndërkohë dikush tjetër varfërinë e sheh si fat të përkohëshëm, si diçka që vuhet derisa kalohet dhe varfërinë e tjetrit, po njëlloj. S’ka diçka për turp ktu.
Kta skllevër e shohin si arsye për t’u sha dikush që ka ardhur nga malet në Tiranë dhe i është nënshtruar regjimit por, nuk e shohin si problem rregjimin që i kishte dënuar shqiptarët me varfëri, izolim dhe me një sistem të tillë që edhe për të fituar të drejtën e studimit duhet t’i nënshtroheshe rregjimit të etërve të atyne që luanin parqeve të Tiranës. Kta janë skllevrit, mazohistët, ata që iu pëlqen rrahja me kamxhik nga padroni.
Sa për kte punën e primatit të atyne që kanë lindur në qytet, po qëllon që kto kohë po lexoj një libër i cili analizon dinastinë austriake të Habsburgve, ndoshta shpia më e vjetër mretnore e Europës mas Burbonëve, ma merr mendja. Fmit e tij perandori i çonte në fshat që të rriteshin me qenin, patën, pulën, kalin, lopën e me çdolloj kafshe e shpendi. Mandej iu akordonte msuesit për t’iu msuar piano, letërsi, gjeografi, latinisht etj. A ka mret në botë që ka jetuar në lagje e rritur në apartament parafabrikat? Se besoj.
Tashti vjen pytja, cila lojë mund të ketë qenë më interesante, ajo me kalamajt tek rruga e Elbasanit apo ajo me kalamajt në male, bjeshkë, kafshë, se fundja lojna janë? Kjo i mbetet pikpamjes së secilit. Mirpo ky mendim injorant, po krejt injorant i cili vlerën e personit e cakton mbi kriter gjeografik dhe jo duke shqyrtuar personalitetin e formimin e tij është thjesht mendim skllevërisht që e mendojnë veten të çliruar.
Personalisht nuk kam lindur as në fshat as në qytet. Kam lindur në qytezë ku kam pasur edhe lojnat midis pallateve tek lagjja por edhe mundësinë për t’iu qasur fshatit duke dalë larg kodrave. Kam pasur një shpi të lezetshme me 500 metra oborr ku kisha hurma, kumbulla, tanë rrushi, mbaja qen, mace. Kur dola në pallat dhe aq më tepër në Tiranë, filloi të më duket gjithçka e pamjaftueshme. Dhe tashti po të kisha mundësi do ndërtoja një shpi në ndonjë fshat ose më saktë në fshatin ku stërgjyshim im (rahmet pastë) ka lindur, atje në Rrafsh të Dukagjinit në Kosovë dhe do shëtisja mbi ato mijëra metra fusha toka tonat, me shpresën se diku do më dilte një ujk apo arushë i cili pasi ka lexuar shkrimin e këtij tipit është prekur në sedër pse luan me arusha e ujq dhe, vendos të zbresë në Rrafsh.
Shkurt, Shqipërinë e dominon një rrace e keqe plebejsh që arsye ka frustrimin, shkak mllefin, logjikë sharjen dhe identitet ka nënshtrimin.