Rikthim në vendin e krimit
Nga Nebil ÇIKA
Dje dhjetëra ish-të përndjekur politikë përcollën për në banesën e fundit bashkëvuajtësin e tyre Lirak Bejko, që humbi jetën si pasojë e vetëflijimit në grevën e urisë që organizuan disa ish-të përndjekur pak kohë më parë në Tiranë. Homazhet dhe ceremonia e përcjelljes, organizuar nga familjarët dhe bashkëvuajtësit e të ndjerit Bejko në hollin e Institutit të Integrimit të ish-të përndjekurve politikë, respektoi standardet e kodit moral të shqiptarëve dhe sigurisht do të kishte qenë edhe më fisnike nëse nuk do të tentohej të përdorej sërish nga politikanët. Pa dyshim që prania në këtë ceremoni e politikanëve, në mënyrë të veçantë e drejtuesve më të lartë të së majtës ish-komuniste, prishi disi paqen, për të cilën ata që përcillen për në përjetësi, por edhe ata që u dhemb shpirti nga kjo përcjellje, kanë aq shumë nevojë. Prania e Edi Ramës, Pandeli Majkos, por edhe e dhjetëra trashëgimtarëve juridikë, politikë e gjenetikë të diktaturës komuniste u justifikua nga fisnikëria e manifestuar prej familjarëve të të ndjerit Bejko, të cilët një ditë më parë kishin deklaruar se në homazhe nuk do të pengonin askënd të vinte, madje “as hasmin”. Ishte pikërisht ky përcaktim (“as hasmin”) që justifikoi në njëfarë mënyre praninë e hasmëve ish-komunistë të ish-të përndjekurve politikë jo vetëm në ceremoninë mortore të Lirakut, por edhe në atë seli-simbol të ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë. Qëndrimi i z. Rama në hollin ku ishte vendosur arkivoli ngjan aq shumë me fragmentet shekspiriane të “Magbethit”, gjë që për shumë prej të pranishmëve ish-të përndjekur politikë duhet të ketë qenë me të vërtetë shume i rëndë. Në murin e hollit paranë arkivolit të të ndjerit Bejko përballë njerëzve që vinin ta nderonin atë ndodhet e vendosur një miniekspozitë fotografike me portrete të dhjetëra antikomunistëve të dënuar me vdekje dhe të ekzekutuar nga pushteti i asaj partie që z. Rama dhe të tjerët e trashëgojnë sot në të gjitha aspektet. Por jo vetëm kaq. Një prej portreteve të ekspozuara në këtë miniekspozitë është ai i poetit antikomunist të varur nga diktuara në vitin 1999 – Havzi Nela. Siç dihet, sot nga opinioni publik një nga autorët e varjes së Havzi Nelës është edhe Kristaq Rama, ish-anëtari i Presidiumit të Kuvendit Popullor komunist, një nga krimet që e kategorizon komunizmin shqiptar, më të egrin e më të përgjakshmit në Europë. Çdo qenie humane në kushtet e z. Rama, me pak shpirt e dinjitet, do ta kishte të pamundur të ishte sot atje para viktimave të babait të tij biologjik dhe të nënës juridike e politike – të partisë që ai drejton. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka si të ndodhë me ata që ende vazhdojnë të ekzistojnë politikisht, por jo vetëm, si zgjatim i asaj strukture kriminale të quajtur PPSH, të ngritur mbi gjakun eshtrat dhe sakrificën e Havzi Nelës dhe të mijëra kundërshtarëve të tjerë të diktaturës, shpirtrat e të cilëve patjetër kanë qenë të pranishëm në atë përcjellje të njërit prej tyre – Lirakut. Besoj se shumë prej të pranishmëve në homazhet e Lirakut ka pyetur veten se si është e mundur një pafytyrësi politike e morale si kjo. Të mos turpërohesh nga krimet që kanë bërë baballarët gjenetikë e politikë, është një fenomen i njohur në Shqipërinë e mbushur me dhjetëra raste të tilla (shumica e drejtuesve aktualë të PS-së), por ballafaqimi me gjakftohtësi me kujtimin vizual të këtyre krimeve është pa dyshim një qëndrim që mund të këtë asnjë lidhje me ndjenjat që veçojnë qeniet humane nga gjallesat e tjera të kësaj bote.
“Rikthim në vendin e krimit”, ky fenomen i konsideruar gjerësisht nga kriminalistika, mund të jetë i vetmi shpjegim për atë që ndodhi dje në selinë e të përndjekurve politikë në Tiranë në mes të ditës, përpara dhjetëra kamerave e sidomos qindra viktimave, që ndoshta krejt rastësisht i kanë shpëtuar litarit të babait të z. Rama apo baballarëve të tjerë të diktaturës komuniste në Shqipëri. Ky veprim i djeshëm i kreut të PS-së, por dhe “koincidenca” të tjera, siç janë rikthim publik në krye të saj i djemve të Bllokut apo ringjallja e taksës progresive të 1945-s të dajës Spiro Koleka janë fakte e prova që duhet të ngjallin frikë. Zoti Rama ka kohë që po flet për një “rilindje”, retorikë që deri tani nuk duket se është marrë seriozisht nga shqiptarët. Rilindjen e kujt synon ky? Po të kemi parasysh zhvillimin e djeshëm, por dhe ngjarje, veprime e ide të tjera të ndodhura apo të hedhura më parë në të njëjtën linjë, besoj se shqiptarë normalë, por dhe partneret ndërkombëtarë, duhet të shqetësohen seriozisht. Por ajo që ndodhi dje dhe veprime e sjellje të tjera si kjo kanë ndoshta edhe anën e tyre pozitive, pasi prej veprimeve si ky i “rikthimit në vendin e krimit” ata që nuk e duan komunizmin dhe diktaturën e tij kanë mundësinë të hapin sytë e të shohin realitetin sa nuk është vonë. Një person që ka guximin apo edhe paturpësinë ta bëjë një gjë të tillë në papushtetin dhe mjetet e të parëve të tij politiko-gjenetik, imagjinoni çfarë mund të jetë i aftë të bëjë nëse vjen ndonjëherë në pushtet. “Bëmë baba të të ngjaj”, – thotë, jo pa të drejtë, një proverb popullor.
*Ky artikull është botuar 11/11/2012