“RI-HIPOTEKIMI I PD”

Zenel Hoxha

Në 11 dhjetor në stadiumin Air Albania do të ketë një tubim që të mbledhurit dhe organizatori do ta quajnë Kuvend të PD. Kjo është logjika e organizatorit informal të veprimtarisë që kërkon të mbledhë anëtarë të Partisë më shumë nga sa mund të ketë delegatë. Ky është një tubim i turpshëm për fatin e një partie politike që mbush 31 vite jetë politike si forcë kryesore e vendit.
Ky tubim dhe jo kuvend është për arsye dhe qëllim të pastër individual të politikanit që shkëlqen në tranzicion dhe shfaqet i dalë kohe në normalitet. Ky politikan që kërkon të rikthehet nga pensioni politik me një lojë hipokrite, kërkon hapur të rihipotekojë PD. Por kjo nuk mund dhe nuk do të ndodhë.
Miku dhe mbrojtësi më i madh dhe më i fuqishëm që ka demokracia dhe kombi shqiptar ia ka vendosur zyrtarisht shenjën dhe çertifikimin e të dënuarit. Kjo nuk është e lidhur me skenën apo me skenarët që gatuan në ndërgjegjen dhe tek mbështetësit e vet miopë. PD është forca që duhet të sillet dhe respektojë institucionet e veta dhe jo të rikthejë në historinë politike të saj insinuata apo gjendje parashoqërore. Ardhja në Shqipëri e Zv. Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit Gabriel Escobar është një sinjal i mëtejshëm se PD dhe Shqipëria nuk mund të shohin veçse nga e ardhmja.
PD nuk mund të ketë nënshtrime ndaj individësh me kult, por duhet të mbajë përherë dhe sidomos sot kultin e demokracisë dhe të lartësuarit si institucion me përgjegjësi dhe shërbim për demokracinë dhe fatin e kombit.
Themelues i PD
Anëtar i Komisionit Nismëtar të PD
Kryetar i parë i PD për Tiranën
I palëkundur nga Programi Kombëtar Dhjetor 1990
8.12.2021