Raporti i Europol, Alibeaj: Pa arrestimin e “peshqve të mëdhenj” nuk çelen negociatat
Duke marrë shkasë nga raporti i Europol sipas të cilës, Shqipëria ishte burimi kryesor i kanabisit në Evropë, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se ky raport tregon se nuk është opozita që po i nxin faqen vendit dhe se kanabisi është burimi kryesor i tregut të drogave prej 24 miliardë eurosh në BE.
Alibeaj: Droga dhe krimi që Shqipëria eksporton në Bashkimin Evropian janë arsyeja kryesore që Shqipërisë i mohohet prej tre vjetësh hapja e negociatave”, theksoi Alibeaj.
Ai tha se vendet e BE-së kërkojnë luftë kundër drogës dhe krimit të organizuar dhe të nxirren para drejtësisë të paprekshmit.
Alibeaj: Rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian kalon vetëm nga nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vagjush Dakos, Qazim Sejdinit, Agron Xhafës, Habilajve dhe Balilajve me shokë.
Deklarata e plotë:
Më 6 Dhjetor, ditën kur Edi Rama fajësoi opozitën se po i nxinte faqen vendit me akuzat për drogën, EUROPOL konfirmoi se Shqipëria vazhdon të mbetet burimi kryesor i trafikut të kanabisit në Bashkimin Evropian.
EUROPOL eshte agjensia ligjzbatuese që mbështet 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Raporti i tij thotë se:
1. Tregu i drogës në Bashkimin Europian është 24 miliardë euro,
2. Se kanabisi përbën pjesën më të madhe të tregut që kontrollohet nga organizitatat kriminale,
3. Se Shqipëria është burim kryesor i trafikut të kanabisit dhe
4. Dhe se pastrimi i parave nga tregtia e drogës është rritur.
Raporti i EUROPOL rikonfirmon se nuk është opozita ajo që po i nxin faqen vendit, por është qeveria e Edi Ramës që ka lejuar dhe ka përfituar nga trafiku i kanabisit drejt Europës.
Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë vendi kryesor mikpritës i biznesit për shkak të taksave të ulëta, lehtësive ligjore, luftës kundër korrupsionit dhe sigurise juridike! Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit!
Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë një nga vendet e Ballkanit jo vetëm anëtar i NATO-s, por edhe një vend që negocionte për anëtarësim në Bashkimin Europian! Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit!
Shqipëria në 4 vjet të Edi Ramës u bë burim i pastrimit të parave nga tepsia e madhe e parave të drogës, pjesën më të madhe të së cilës e zotëron Edi Rama. Dhe këto para duhen larë e pastruar për të financuar blerje të reja politikanësh e votuesish.
Droga dhe krimi që Shqipëria eksporton në Bashkimin Europian janë arsyeja kryesore që Shqipërisë i mohohet prej tre vjetësh hapja e negociatave.
Vendet e Bashkimit Europian po kërkojnë përditë luftë kundër drogës dhe krimit të organizuar dhe nxerrjen para drejtësisë të të paprekshmëve. Ato po e thonë fare qartë se nuk do t’i hapin negociatat, nëse në Shqipëri nuk shkatërron organizatat kriminale të trafikut dhe nese nuk nxirren para drejtësisë politikanët që e lejuan dhe bashkëpunuan me krimin.
Rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian kalon vetëm nga nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vagjush Dakos, Qazim Sejdinit, Agron Xhafës, Habilajve dhe Balilajve me shokë.