Rama tallet me holandezët : Më vjen të qesh, vinë në mëngjes dhe ikin pasdite
“Po të kishte negociata për tu bërë pjesë e SHBA, nuk e di, do të kishte qenë më e lehtë se nuk do duhet të bindnim 27 koka.”
Nuk dihet nëse do të ishte më e lehtë me Presidentin amerikan Donald Trump, por për kreun e qeverisë shqiptare do të ishte më e lehtë anëtarësimi në SHBA sesa në vendet anëtare të BE, që siç tha ai, ja kanë nxjerrë ujin e zi Shqipërisë për plotësimin e kritereve.
Edi Rama: Kam shumë besim që BE nuk do të jetë i padrejtë me Shqipërinë pasi ka angazhuar makinerinë më monstruoze të provimeve që ka jo kontinenti por globi, që është Komisioni Europian.
Në Ditën e Europës, Rama nuk ia kurseu një përgjigje edhe Holandës si një nga vendet skeptike për të vendosur pro hapjes së negociatave.
Edi Rama: Më vjen për të qeshur kur vijnë delegacione me fakt fajding (fact finding). Vijnë në mëngjes e ikin pasdite për të mbledhur fakte. Më takojnë mua, ca deputetë, takojnë dhe mikun tim të shtrenjtë me të cilin na bashkon, sigurisht në rrugë të ndryshme dashuria për Holandën, Lulzim Bashën, dhe largohen dhe mbledhin fakte. Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen brenda gjysmë dite, ndërkohë KE është një ushtri ekspertësh dhe burokratësh të panumërt që hanë fakte, pijnë fakte, flasin fakte, dhe dëgjojnë vetëm fakte.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, “Gjemania, Franca, Holanda, Europa na detyrohen ne që të na japin mundësi thjesht të vazhdojmë thellimin tonë”.