Rama sulmon prokurorinë pse i kujtoi arrestimin e Sanader
Kryeministri Edi Rama, ka sulmuar sot Prokurorine e Krimeve të Rënda, per shprehur në media menjëherë pas fjalës së tij përpara grupit socialist, lidhur me kërkesën për hetim të deputetit Saimir Tahiri.
Prokuroria deklaroi: S’na intimidon. “I kujtoi kryeministrit arrestimin e Sanader”
Përmes një deklarate për mediat të lëshuar nga zyra për shtyp e Kryeministrit, thuhet se Rama mbron pikëpamjen se detyra e organit të prokurorisë nuk është as të dëgjojë politikën, as të replikojë me politikanët, as të publikojë në media opinionet e saj, për çfarë thotë një politikan a një tjetër.
Po ashtu organi i akuzës, sipas kryeministrit, as ka detyrën dhe as i’a lejon etika e funksionit të vet, të ushqejë debatet politike me komunikata që ngjajnë si të shkruara në selitë e partive politike.
Rama shpreh po ashtu keqardhjen, që organi i akuzës pretendon se ka konstatuar përpjekje për intimidim në fjalën e mbajtur sot prej tij.
“Në fakt, kreu i qeverisë dhe lideri i shumicës parlamentare, vetëm ka dhënë opinionin e grupit parlamentar, bazuar në raportin e Komisionit të Mandateve dhe Rregullores dhe, padyshim, në paraqitjen aspak serioze prokurorisë në seancat publike të atij komisioni”.
Kryeministri i rikujton me këtë rast organit të prokurorisë se ligjvënësit nuk janë noterë të kërkesave të këtij organi, po kanë detyrimin kushtetues t’i lexojnë ato, të dëgjojnë sqarimet e përfaqësuesve të organit në fjalë dhe, padiskutim, të gjykojnë mbi to.
Prandaj ai, përsërit apelin që Prokuroria e Krimeve të Rënda të bëjë punën që i ngarkon kushtetuta e Shqipërisë dhe legjislacioni shqiptar, dhe gjykimet mbi politikën t’ia lerë publikut.
“Duke nxitur një hetim sa më të shpejtës, serioz dhe shterrues për çështjen që lidhet me Saimir Tahirin, si edhe duke besuar sinqerisht se me pranimin e kërkesës së prokurorisë nga ana e saj, shumica parlamentare i ka dhënë organit të akuzës një mbështetje të fortë për t’i shkuar deri në fund hetimit, kryeministri i Shqiperisë i uron këtij organi punë të mbarë” përfundon deklarata.
Deklarata e prokurorisë për te cilën reagoi kryeministri
Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika.
“Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi.
Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë.
Prokuroria për Krime të Rënda është e bindur se i gjithë faktori politik shqiptar, i mbështetur edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, hartuan Reformën në Drejtësi, duke pasur si guidë të suksesshme përvojën kroate e rumune, të cilat i ndihmuan për t’u integruar në Bashkimin Europian.”
Nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë e cila nuk do të përballohet me sukses.
Gjithësesi, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet e saj, si për rastin konkret, ashtu edhe për çështje të tjera të krimit të organizuar dhe grupeve të strukturuara kriminale. Deklaratat politike dhe, sidomos presionet indirekte me procesin e Vetingut, nuk mund dhe nuk do të mund të cënojnë proceset hetimore.”