PSE U LARGUA ABAZ KUPI NGA KESHILLI NACIONAL-CLIRIMTAR
Nga Av. Xhafer Sadiku
Nga njoftimi i Abaz Kupit që mban datën 19 nëntor 1943, drejtuar Kryesisë së Këshillit Nacional Clirimitar, marrim vesh të dhëna me interes historik. Kështu, në mbledhjen e Pezës më 16 shtator 1942, Abaz Kupi kishte deklaruar: “Jam bashkuar me ju me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue çdo okupator; po të formohen Partira, Unë jam me Mbretin ZOG I”.
Në 25 qershor 1943, ishte Abaz Kupi që propozoi bashkimin e Frontit Nacionalclirimtar me Ballin Kombetar dhe të gjithë të bashkuar të luftonin kundër okupatorit. Propozimi i tij u pa i arsyeshëm dhe u vendos delegimi i Ymer Dishnicës, Mustafa Gjinishit, Myslim Pezës dhe i Abaz Kupit, për marrëveshje. Balli iu përgjigj pozitivisht dhe dërgoi Mit’had Frashërin e Hasan Dostin. Të dy palët u takuan në Tapizë dhe përgatitën mbledhjen e përgjithshme në Mukje.
Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, Abaz Kupi shkruante: “Duke qenë përpara kësaj ngjarje të pa pëlqyer, Unë me shokët e mij pamë se bashkimi i tyre është i pamundur dhe vendosëm shpalljen e Legalitetit, siç ka qenë para datës 7 prill 1939”. Këtë vendim ata ia njoftuan më 28 tetor 1943 Këshillit Nacional Clirimitar.
Këshilli NCl caktonte datën 20 nëntor për tu takuar. Sipas Abaz Kupit, letrën e morën me vonesë, më 15 nëntor 1943, kur ishte caktuar data 20 nëntor 1943 për Kongresin e Legalitetit.
-Ne jemi gati, -theksonte Kupi, -që të pranojmë një datë pas dëshirës s’uaj për një pjekje në ndonjë vënd të përshtatur.
Sic dihet, ata nuk u takuan madje Partia Komuniste i shpalli luftë jo vetëm Ballit Kombëtar por edhe Legalitetit.