Pse Gjykata Supreme ka rëndësi për shqiptarët dhe jo vetëm

Nga Ermal Ngjelina
Ka një parim pune për sociologët e kësaj bote; Dukuritë sociale shfaqen fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe pastaj kalojnë në vendet e tjera perëndimore europiane për tu përhapur më vonë në të gjithë botën.
Parimi i mësipërm i punës duhet të jetë dhe për profesionet e tjera, por po i nis këto radhë me socialogët sepse ashtu siç premtova pak ditë më parë, kur ju informova për largimin e Ruth Bader Ginsburg nga Gjykata Supreme, po rendis disa nga arsyet pse emërimet në këtë gjykatë janë të rëndësishme për shqiptarët.
Në fakt ato janë të rëndësishme për të gjithë botën, dhe në jemi pjesë e kësaj bote (pavarësisht se ti që po lexon nuk ndan të njëjtin opinion me mua për pjesën e dytë të fjalisë).
Gjykata Supreme jep verdiktin përfundimtar për çështjet më të rëndësishme sociale në SHBA. Si e tillë ajo krijon precedente të cilat shumë vështirë të kundërshtohen në praktikë dhe paralelisht krijon trendin social.
Në vitin 1994, unë raportova në gazetë deklaratën në parlament të zonjës Rushen Golemi, deputete e PD-së, që bëri thirrje për të drejta ligjore për komunitetin e homoseksualëve në Shqipëri.
Personalisht u çudita se çfarë lidhje kishin homoseksualët me të drejtat ligjore, ndërsa doktoreshë Golemi u çudit që për deklaratën e saj do gjendej hapësirë në gazetë (madje ndihej pak ngushtë që rezultoi të jetë e para të bëjë një thirrje të tillë në parlamentin shqiptar).
Por në ditën e sotme Facebook njeh diku tek 60 lloj seksualitetesh kur hap një profil personal, ndërsa Lali Eri kujdeset qe homoseksualët të marrin kredi të buta strehimi.
Nga viti 1994 për të arritur në statusin e ditëve të sotme qëndron në mes ish anëtari i gjykatës supreme Anthony Kennedy, i cili pavarësisht se u emërua nga presidenti Regan qëndroi në mbështetje të ligjshmërisë së martesave të homoseksualëve.
Por tema e mësipërme është asgjë përpara faktit qe Gjyka Supreme krijon precedent duke u shprehur për zgjedhjen e presidentëve të SHBA si në vitin 2000 Bush kundër Al Gore. Apo për marrëveshje tregtare shumë trilionë dollar siç ishte Partneriteti Tregtar i Paqësorit TPP. Apo edhe për vizat siç ishte rasti i vendeve të lindjes së mesme që u ndaluan të marrin viza prej presidentit aktual Trump.
Por gjithçka që rendita mësipër ndikon më pak në jetën e qytetarëve të kësaj bote, krahasur me faktin që çdo avokat, prokuror dhe gjykatës i kësaj bote i referohet precedentëve të Gjykatës Supreme në mbrojtje të çështjes që përfaqëson, qoftë përpara gjykatave, qoftë përpara parlamenteve në rastet e nismave ligjëvënëse.
Pra me pak fjalë precedentët ligjorë të Gjykatës Supreme, (por edhe të gjykatave të tjera që nuk janë pjesë e SHBA) merren si modele që përcaktojnë kufijtë e raportit të individit me shtetin.
Thënë ndryshe, kjo është mënyra se si merr trajtë nga faktorë të jashtëm jeta jote që lexove deri në këtë pikë por edhe jeta e atij tjetrit që ndaloi leximin që në radhët e para të këtij artikulli.