Protesta ,opozita arrin “fitoren e pare” .Basha: Anulimi i 30 qershorit nuk është fundi i betejës

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit e cilësoi si një hap të vogël përpara. Në protestën e 8-të kombëtare të opozitës, ai e quajti largimin e Ramës të panegociueshëm.

Fillim i protestës në mbrëmjen e të shtunës (8.05.2019) përkoi me shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Presidenti i Republikës, Ilir Meta shfuqizoi dekretin për zhvillimin e tyre në 30 qershor duke hapur rrugën e kompromisit dhe pjesëmarrjes së opozitës. Në një deklaratë të publikuar në prag të fillimit të protestës, Presidenti Meta paraqet si arsye kryesore të shtyrjes së zgjedhjeve “mbrojtjen e parimeve kushtetuese që është më e rëndësishme se çdo afat ligjor” si edhe qëndrimin e tij konform „betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar”.

“Kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve njëpartiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cënohet kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020”, thekson Meta në deklaratën e tij.

Basha: Largimi i Ramës i panegociueshëm

Mijra protestues nga e gjithë Shqipëria kërkuan largimin e Kryeministrit Rama me parullën ”Rama IK”. Krahas flamurit kombëtar, në duart e protestuesve dominonte edhe flamuri i BE, i Gjermanisë dhe SHBA. Parullat i bënë jehonë edhe publikimit pak ditë më parë në gazetën bulevardeske gjermane” Bild” të skandalit të përgjimeve. Në gjuhën gjermane në parulla falenderohej gazetari gjerman i “Bild”, Peter Tiede që publikoi përgjimet e dosjes 339.

. Pas manifestimit të nisur para selisë së Qeverisë, manifestuesit u transferuan para hyrjes së parlamentit, duke ju përgjigjur ftesës së kryetarit demokrat Lulzim Basha. Brenda një kohe shumë të shkurtër, grupe manifestuesisht nisën të lëshonin shashka, tymuese dhe fishekzjarrë drejt policisë së rreshtuar në hyrje të godinës. Policia u përgjigj shpejt me hedhjen e gazit lotsjellës dhe ujit për të shpërndarë turmën.

Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje drejtuesve të opozitës të ndërpresin protestën dhe manifestuesve të shpërndahen paqësisht. Zoti Basha dhe drejtuesit e opozitës u tërhoqën pas disa minutash, drejt selisë së Partisë Demokratike, prej nga kreu demokrat përsëriti dhe një herë se “beteja vazhdon” dhe se “zgjidhja e vetme është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi I një qeverie kalimtare që të përgatisë zgjedhje të parakohshme”. Vendimi i presidentit Meta për të anulluar datën e zgjedhjeve, është parë si një “fitore e parë” e opozitës.

Ndërsa zoti Basha fliste nga selia e PD-së, një grup manifestuesish qëndroi para selisë së parlamentit. U desh rikthimi i sekretarit të përgjithshëm demokrat Gazmend Bardhi dhe eksponentit të LSI-së Petrit Vasili, që edhe ata të largoheshin më pas, ndërkohë që gardhi i policisë kishte avancuar drejt manifestuesve.

Facebook Forum