PROTESTA NUK ESHTE KURRE DESHTIM

 

Nga Lirim Nezha

Nuk e kuptoj se si,përkrahësit e opozitës,më së shumti ata që nuk patën kohë që sot të jenë në protestë,e anatemojnë protestën dhe e quajnë atë një dështim.
Protesta nuk është domosdoshmërisht orteku që merr përpara qeveritë,por mjet për të treguar reagimin e opozitës dhe mbështetësve të vet ndaj asaj që ata e quajnë të paligjshme dhe e shohin sit e tillë.Kjo ndodhi edhe sot,përkundër të gjithë atyre që prisnin të ndodhte cudia.Të gjithë jemi dëshmitarë të protestave shumë të mëdha që nuk kanë sjellë dot rrezime qeverish.PD ka protestuar më 14 shtator 1998 pas vrasjes së Azem Hajdarit ,por qeveria e Nanos rifilloi punë edhe pse në të vërtetë u detyrua të braktiste zyrat.
Ne jemi dëshmitarë të një proteste gjigande të opozitës që fajësonte qeverinë Berisha pas shpërthimit në Gërdec,por kjo nuk mjaftoi të lëkundte pozitat e qeverisë.
Ne kemi qenë dëshmitarë edhe të protestës super të dhunshme të 21 Janarit,e megjithatë qeveria vijoi punën.
Zgjodha si shembuj vetëm tre nga protestat më të bujshme të politikës shqiptare që nuk kanë prodhuar dot rënie qeverish.
Pikërisht me këto argumenta besoj se protesta e sotme e opozitës nuk mund të ndalte dot dhunën e kartonave e as vijimin e punës së qeverisë,pavaarësisht faktit të legjitimitetit të saj të rrënuar.Demokracia funksionon me votë ,me numra,dhe numra për ta ndalur fuqinë e kartonave opozita nuk ka.Por kjo nuk do të thotë se opozita duhet të ndalë së bëri opozitë me të gjitha mënyrat demokratike.Protestat janë një ndër format e presionit demokratik dhe kjo e sotmja ishte një ndër to.Nuk besoj se demokratët kanë besuar se nga sot do të mund të cenonin balancat e pushtetit.Të gjithë e dimë se kjo është e pamundur,por gjithashtu nuk mund të heshtim përballë pakushtetueshmërisë së zgjedhjes së kryeprokurorit.
Mua as nuk më pëlqen ta paragjykoj zonjën e zgjedhur në detyrën e kryeprokurorit përmes dhunës së kartonave.Madje shpresoj shumë që kjo zonjë të jetë vërtetë një “Silvia Konti” dhe të cojë përpara drejtësisë cilindo shkelës të ligjit,politikan ose jo.Madje shpresoj të jetë edhe një “parangall” i fuqishëm për të mbajtur “peshq të mëdhenj”.Por cka na bën dyshues është mënyra antikushtetuese e zgjedhjes dhe mbeshtetja e fortë politike e eksponentëve të PS-së.
Kjo gjë më bën jo vetëm mua dyshues,por krejt opozitën e cila,gjithsesi,përballë zgjedhjes së bërë sot nga kartonat mavi ,nuk ka asnjë arsye të ndihet e humbur.
Opozita ka në dorë vetëm mjetet e presionit publik.Këtë bëri sot dhe këtë pritet të bëjë edhe në vijim.Derisa të mund të lëkundë pozitat e pushtetit,jo përmes dhunës,por përmes tërheqjes së demokratëve dhe simpatizantëve,përmes bindjes me fakte dhe motivimit të shqiptarëve për të mos e pranuar më qeverisjen nga droga dhe krimi.

Orikum,18.12.2017