Përse rinia rri gjithë ditën në kafene?

 

Akuzojmë rininë si dembele. Si pasive, hipokrite dhe për estetikën ekstreme që reflekton në të veshur dhe në të sjellur. E akuzojmë si bashkëpërgjegjëse që hesht ndaj cdo padrejtësie që i bëhet shoqërisë shqiptare. Po arsyen përse e bën këtë e kemi kërkuar ndonjëherë? Po, por e kemi kërkuar në hulli të gabuara.

Personalisht mendoj se rinia e bën këtë prej shembullit që jep politika dhe përfaqësuesit e kulturës dhe arsimit shqiptar. Si rininë, si politikën dhe mësuesit apo profesorët e tyre i ndeshim në të njëjtët ambiente frekuentuese. I hasim përballë, përbri, paralel njëri-tjetrit. Rinia, edhe pse me portofolin bosh e shijon kafenë, makiaton apo birrat e famshme në të njëjtën kafene me profesorët apo drejtuesit e shtetit. Që të dyja palët hynë të parfumosura dhe të qeshura. Rinia ndesh fytyrat e tyre cdo ditë. Politikanët dhe profesorët e tyre hynë të veshur si mos më mirë, duke mbajtur canta të zeza prej lëkure dhe të shoqëruar prej atyre njerëzve me të cilët ata bëjnë ato pazare të pështira që edhe e detyrojnë rininë ose tia mbathë nga koka këmbët. Teksa deputetët apo profesorët mbyllin pazaret e hajdutërisë së pronës publike rinia zgërdheshet e kapardiset. Teksa politika dhe profesorët e tyre pëshpërisin dhe firmosin kontratat e grabitjes së Shqipërisë rinia numëron gllënjkat e kafesë. Duan që ajo të mos mbarojë shpejt. Duan të jenë të pranishëm në të njëjtët ambiente luksoze. Nuk duan të jenë të përjashtuar prej piacës së hajdutërisë. Rinia ka qenë shpesh dëshmitare sesi bashkëqytetarët e tyre, deri dje të varfër, me një të rënë të lapsit e ndryshojnë jetën e tyre në mënyrë radikale. Grumbullojnë pasuri për pesë breza brënda 4 viteve. Të njëjtin fat duan të kenë edhe të rinjtë shqiptarë. Jetës t’i japin tisin e luksit që dinë t’i japin politikanët dhe profesorët e tyre. Të pasurohen duke pirë kafe, bërë pazare në tavolinë. Të punojnë 1 orë në ditë dhe llomotisin 7 orë në ditë.

Ndaj edhe ata ndjekin shembullin e tyre. Bëjnë të pamundurën për të qenë në kafenetë e famshme që edhe janë shndërruar varrmihëset e Shqipërisë dinjitoze dhe të vlerave. Sakrifikojnë të rinjtë për të qenë pjesë e kafeneve. Mundohen boll për të pirë kafe pranë grabitësve të Shqipërisë. U vjedhin portofolin gjyshit dhe gjyshes. Flirtojnë pa pikën e turpit me vëllezërit dhe motrat apo prindërit e tyre emigrante vetëm e vetëm që t’iu japin një grusht me euro për të paguar kafenë e famshme. Ata janë mëse të bindur se një ditë fati do t’i buzëqeshë ashtu sic u buzëqesh profesorëve apo timonierëve të Shqipërisë. E ardhmja e tyre e bardhë ose e zezë gatuhet në ato kafene.

Ata të rinj që nuk arrijnë ta kopsisin të ardhmen e tyre duke rrotulluar paketin e marlboros mbi tavolinën luksoze, ia mbathin larg Shqipërisë. Ikin me dëshirën që të mos kthehen më kurrë në ato kafene të cilat zakonisht c’personalizojnë të riun shqiptar. E bëjnë pirat, hajdut, dembel apo shëmbëlltyrën e qytetarit më të urryer dhe hipokrit të botës. Ata që i shpëtojnë tutelës së saj e kuptojnë se ajo, kafeneja shqiptare është bordelloja më e ndyrë e botës. Sepse nëse në bordello paguan 50 euro për të bërë seks, atje, seksin për një natë e shpërblen me mijëra euro, pa qenë nevoja të derdhësh djersën e ballit apo shtrydhësh tullumbacet e mendjes. Prostituta është Shqipëria. Dhe menaxherët e saj në plan të parë janë politikanët, profesorët dhe rinia e saj, që flirton në distancë duke shpresuar që të bëhet në të ardhmen pjesë e prostituimit e mëmëdheut dhe atdheut të tyre.

Rezart Palluqi
Holandë, janar 2019