Përleshje me armë zjarri gjatë mbledhjes për Primaret e Berishës në Kurbin
Një konflikt i ndodhur në mbledhjen e primareve te Bershës në Kurbin, ka përfunduar në të shtëna me armë zjarri .
Konflikti ka ndodhur mes nënkryetarit Kastriot Marku dhe anëtarit Van Rica.
Konflikti ka nisur pasi 53-vjeçari Rica ishte mbështetës i një tjetër kandidati dhe gjatë debatit ka qëlluar me armë zjarri .
Menjëherë pas të shtënave me armë ai është larguar nga vendngjarja.
Ndërkohë policia në njoftimin zyrtar bën me dije se 53-vjeçari është shpallur në kërkim dhe se po vijon puna intensive për kapjen e tij.
REAGIMI POLICISË:
Kurbin / Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, Policia shpall në kërkim shtetasin V. R.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin shpallën në kërkim shtetasin V. R., 53 vjeç, , për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Shpallja në kërkim e këtij shtetasi u bë pasi, rreth orës 17:30, Policia e Kurbinit ka marrë njoftim për një konflikt, gjatë së cilit,një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku ka rezultar se:
Dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin po zhvillonte një mbjedhje dhe gjatë saj, ka pasur një debat mes shtetasve K. M. ( P), dhe një anëtari, mbështetës i një kandidati tjetër primar, nga ky subjekt politik, për Kurbinin.
Në debat e sipër, shtetasi V. R. ka qëlluar me armë zjarri në korridor dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së subjektit politik.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. R.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën shtetasi V. R., tashmë i shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.