PD sërish akuza Hysenit: Grabitja e tokës me firmën Ramës, skemë kriminale shtetëore

Partia Demokratike vijoi sërish sot me akuzat ndaj deputetit socialist Alket Hyseni. Deputetja Albana Vokshi në një dalje për mediat tha se grabitja e tokave në bregdet nga Hyseni për të ndërtuar resorte turistike me firmën e Edi Ramës është skemë kriminale shtetërore.

Për Vokshin, peshk më të madh se kryeministri drejtësia nuk ka ku të gjejë dhe është rasti ideal për t’u dhënë shqiptarëve shpresën reale për një drejtësi jopolitike, që punon për qytetarët dhe jo për pushtetarët.

Deklarata e plotë

Alket Hyseni, deputet i Partisë Socialiste e ka grabitur pronën në bashkëpunim me ish -kryerregjistruesin e Vlorës, Rezart Elmazi. Alket Hysenin dhe Rezart Elmazin ilidh koha kur të dy kanë qenë pjesë e Task Forcës për evidentimin e pronave të tjetërsuara në Bregdetin e Jugut nga Vlora në Dhërmi. Alket Hyseni, sot, deputet i Partisë Socialiste, në kohën e tjetërsimit të kësaj prone ka qenë Kryetar i Task Forcës, ndërsa Rezart Elmazi ishte anëtar i saj. Kjo do të thotë se të dy kanë qenë në dijeni të konfliktit për pronën, e cila i ka kaluar Alket Hysenit nga një përson iI burgosur një vit më parë për fallsifikim dokumentash pronësie. Transaksionet me pronën e tjetërsuar në emër të Alket Hysenit janë bërë në kohën kur Rezart Elmazi është emëruar nga Edi Rama drejtor i hipotekës në Vlorë.

Sa për ilustrim, Rezart Elmazi, ishte në listën e 100 zyrtarëve më të korruptuar që Edi Rama publikoi para zgjedhjeve, por lista e zezë vlejti sa për propagandë zgjedhore, sepse Edi Rama e ka shpërblyer duke e sjellë në një vatër po aq të madhe korrupsioni, Drejtor të ALUIZNI-t në Tiranë.

Por asgjë nga këto nuk do të ndodhte, nëse pjesë e skemës mafioze për grabitjen e pronave në bregdet nuk do të ishte Edi Rama. Partia Demokratike publikoi të dielën dy dokumentat që provojnë se kryeministri që bërtet se po bën shtet ka dhënë leje për ndërtimin e një resorti turstik mbi pronën e grabitur, duke mos marrë parasysh vendimin e Gjykatës për pezullimin e çdo veprimi me pronën. Leja e Edi Ramës është dhënë për llogari të mikut ndërtues Gon Papuli dhe deputetit Alket Hyseni, që deri pak muaj më parë drejtonte Zyrën Kundër Pastrimit të Parave, prej nga ka mbikqyrur edhe transaksionet financiare të bankës së gruas së kryeministrit.

Peshk më të madh se kryeministri drejtësia nuk ka ku të gjejë dhe është rasti ideal për t’u dhënë shqiptarëve shpresën reale për një drejtësi jopolitike, që punon për qytetarët dhe jo për pushtetarët.

Sokol Sadushi

Paralizimin e Gjykatës Kushtetuese në kushtet kur mungojnë gjyqtarët e pranon në një intervistë të posaçme për Ora News edhe ish-anëtari i kësaj gjykate konstitucionalisti Sokol Sadushi, aktualisht drejtor i shkollës së Magjistraturës.

Sokol Sadushi: Është krijuar një ngërç për shkak të mungesës së katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese sepse sipas ligjit gjykata duhet të funksionojë të paktën për të filluar seancat me 6 gjyqtarë dhe vendimarrjet i merr me 5. Aktualisht ajo ka 5 gjyqtarë, kështu që ka ngërç.

Çelësin e zgjidhjes së ngërçit sipas Sadushit e mban Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por më parë duhet që anëtarët e KED të kalojnë vettingun.

Sokol Sadushi: Nëse do ti referohemi Kushtetutës, duhet patjetër që Këshilli i Emerimeve në Drejtësi, organi i shortuar në fillim të vitit, duhet patjetër që të kalojë vettingun me qëllim që ky organ të ketë mundësi të bëjë vlerësimin e kritereve dhe rankimin e kandidatëve që janë të mundshëm për të qenë nesër anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Përsa kohë që ky organ ende nuk ka kaluar vettingun ky ngërç duket se do të vazhdojë. Si rregull duhet të nisë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ky është formulimi kushtetues. Pas KED, duke iu referuar ligjit për vettingun është Gjykata Kushtetuese organi i parë, është Gjykata e Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm.

Ky qëndrim i konstitucionalistit Sadushi është i ndryshëm nga ai i politikanëve të maxhorancës dhe opozitës, të cilët kanë sugjeruar si zgjidhje të shpejtë emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses dhe më pas të kalojnë filtrin e vettingut.

Sokol Sadushi: Përsa kohë kemi të bëjmë me një organ të ri nuk mund të mendojmë që ky organ i ri të bëjë një rankim, të ushtrojë veprimtarinë përsa kohë nuk e ka kaluar vetë vettingun. Nëse do të ndodhte që të zgjidheshin nga KED kandidatët për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese unë mendoj se do të ishte një ngërç tjetër.

Për sa i takon ecurisë së procesit të vettingut, Sadushi paralajmëron vendimarrje të shumta në muajin prill dhe këmbëngul te cilësia.

Sokol Sadushi: Procesi i vettingut po ecën mirë, një proces që është ndryshe nga të gjithë herët e tjera, nuk kërkon shpejtësi, nuk kërkon nxitim dhe për rrjedhojë ky do të kërkojë dhe kohën e vet për të qenë vendime të pa cënueshme lehtësisht nga kushdo. Nga kjo pikëpamje unë mendoj se procesi i vettingut ka filluar dhe besoj se muaji prill do të ketë vendime më të shumta nga çfarë kishte muaji mars.

Vdekja misterioze e gruas në Tiranë, i vëllai denoncon kunatin për dhunë

Tiranë, 51-vjeçarja ndërron jetë në spital

Kunati denoncon për dhunë 54-vjeçarin “Më rrahu motrën”

Policia: Vdekja, aksidentale. Burri e ndihmoi

Një 51-vjeçare ka humbur jetën në spital, si pasojë e atakut kardiak. Por vëllai i saj ka bërë kallëzim penal ndaj kunatit 54-vjeçar, pasi thotë se motra vdiq për shkak të dhunës që ai ushtronte në familje.

Katër ditë pasi ishte dërguar me urgjencë në spital, një 51-vjeçare ndërroi jetë në ambientet e QSUT.

Policia thotë se vdekja u shkaktua nga ataku kardiak, ndërsa vëllai i 51-vjeçares me inicialet A.Gj kallëzoi penalisht kunatin për dhunë në familje.

Sipas denoncimit në polici të regjistruar në datën 23 mars, kunati shfaq pretendimin se 54-vjeçari me inicialet I.Gj, kishte ushtruar dhunë sistematike psikologjike dhe fizike ndaj motrës, ndaj ajo në datën 21 mars u rrëzua në rrugën “Margarita Tutulani” dhe u dërgua në spital.

Nga policia mësohet se nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e 51-vjeçares, ndërsa ishte bashkëshorti ai që e dërgoi në spital, sapo e pa të shtrirë në rrugë, pasi i kishte rënë të fikët nga ulja e tensionit.

Çështjen tashmë po e trajton Prokuroria e Tiranës, e cila ka grumbulluar të gjitha materialet, ndërsa 54-vjeçari, i cili ka mohuar akuzat për ushtrim dhune, po hetohet i lirë.