PD publikon provat: Vëllai i Fatmir Xhafajt i dënuar me 7 vjet burg në Itali
Partia Demokratike ka publikuar disa dokumenta që tregojnë dënimin e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Në një dalje për mediat nga selia blu, deputeti i PD Enkelejd Alibeaj dhe këshilltari juridik i PD, Gazmend Bardhi thanë se Agron Xhafaj është dënuar në Itali me vendim të formës së prerë me 7 vjet e dy muaj burg.
Enkelejd Alibeaj: Ministri i Brendshëm është në dijeni që vëllai i tij Agron Xhafaj është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në Itali dhe se nuk ka vuajtur asnjë ditë nga ky dënim i dhënë duke jetuar i lirë nga 2013 e në vijim në Shqipëri, ku i vëllai ishte i pushtetshëm.
Vendimi u lexua nga keshilltari juridik i PD, Gazmend Bardhi.
Gazmend Bardhi: Nga shqyrtimi i dosjes penale të Agron Xhafajt që sapo na është dorëzuar dhe ka mbërritur në PD rezulton se me vendimin nr 2232, datë 25 shtator 2012 të Gjykatës së Kasacionit, Gjykata e Lartë e Republikës së Italisë është rrëzuar ankimi i shtetasit Agron Xhafaj duke lënë në fuqi dënimin e tij me 7 vjet e 2 muaj burgim të dhënë me vendimin e datës 12 tetor 2008 gjykatës së shkallës së parë Lece, lënë në fuqi me vendimin e gjykatës së Apelit Lece të datës 25 janar 2011. Për pasojë Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është dënuar me vendim të formës së prerë.
PD ngre 7 pyetje për ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj:
1. A e ka përfshirë Fatmir Xhafaj vëllain e tij Agron Xhafaj në listën e personave me rekorde kriminale?
2. Pse ai jeton i lirë në territorin shqiptar, ndërkohë që rezulton i dënuar për trafik droge në Itali dhe nuk ka vuajtur asnjë ditë të dënimit të tij?
3. A është ai person i skeduar dhe nën vëzhgim nga Policia e Shtetit për shkak të aktivitetit të tij të mëparshëm në trafikun e drogës?
4. A është familja “Xhafaj” një nga familjet mafioze që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë?
5. A ka operacioni “Forca e Ligjit” ka efekt mbi vëllain e Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj të dënuar për trafik droge, apo ai është i paprekshëm sa kohë Ministër i Brendshëm dhe drejtues i operacionit është Fatmir Xhafaj?
6. Pse nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij ligjore Ministri i Brendshëm, për të kërkuar identifikimin e këtij shtetasi dhe për të verifikuar nëse është apo jo i dënuar?
7. Pse nuk ka kërkuar nisjen e procedurave për arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij në Itali, siç ka vepruar për shtetas të tjerë