PD: Prokuroria të merret me Fatmir Xhafajn

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të marrë në përgjegjësi penale ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj duke e akuzuar për falsifikim të dokumenteve dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë publikë.

Në një dalje publike sërish nga selia e PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi u shprehën se: “Çdo vonesë, çdo ditë e mosveprimit të saj ndaj fakteve dhe provave të bëra publike për kryerjen e veprave penale nga ministri i Brendshëm e bën këtë organ përgjegjës ligjërisht”

PD thotë se ndryshimi i ligjit nga Fatmir Xhafaj për të shpëtuar vëllanë e tij Agron Xhafa është bërë në dhunim të standarteve europiane

“Fatmir Xhafaj ka shkelur ligjin, dhe ka falsifikuar aktet parlamentare. Këto vepra të rënda penale I ka ndërmarrë për në shërbim të vëllait të dënuar për trafik ndërkombëtar droge.”

Ata replikuan dhe me kolegët socialistë, Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja.

Alibeaj: Mashtruan sot në mënyrë të pacipë, për t’i ardhur në ndihmë Fatmir Xhafajt, të kapur në flagrancë duke falsifikuar ligjet e Reformës në Drejtësi për të shpëtuar të villain e dënuar për trafik droge. Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja, dhe cdo kamikaz i Xhafës dhe Ramës nuk mund të fshehin të vërtetën kriminale: Faktet dhe dokumentet zyrtare të publikuara dje e tregojnë qartë. Ndryshimi u kontrabandua nga Fatmir Xhafaj, me një qëllim të vetëm: I vëllai t’i shpëtojë drejtësisë. Ky është një krim i dënueshëm nga ligji shqiptar.

Në përpjekjen të dëshpëruar për të mbuluar këtë krim, Xhafa dhe kamikazët e tij kanë shpallur se shpëtimi nga vuajtja e dënimit për Agron Xhafaj, të dënuar si trafikant ndërkombëtar droge është standart europian. Agron Xhafaj duhet t’i shpëtojë drejtësisë, për shkak se kështu thotë Konventa Europiane e Ekstradimi???

Nuk ka shqiptar që beson këtë gënjeshtër të trashë. Nuk ka shqiptar që beson se në Europë kur dënohesh me 7 vjet e dy muaj burgim për trafik droge nuk bën asnjë ditë burg.

Jo, ky nuk është standart Europian, ky është standarti mafioz Xhafaj, ku njëri vëlla merret me drogë dhe dënohet, vëllai tjetër përdor pushtetin politik si Ministër dhe si kryetar i komisionit të ligjeve për ta shpëtuar nga dënimi.