Paloka: SHISH i kapur nga Rama po pengon komisionin Tahiri , ja ç’po ndodh…
Nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka, i cili kryeson komisionin hetimor për çështjen Tahiri, akuzoi SHISH për pengimin e punës së këtij komisioni. Paloka tha se anëtarët e Komisionit nuk po pajisen me çertifikatë sigurie nga SHISH.
“Personi që ka kthyer përgjigje shprehet se nuk mund të jepet çertifikata e nivelit tepër sekret në një kohë kaq të shkurtër. Në fakt ne nuk kemi kërkuar këtë çertifikatë, kemi kërkuar çertifikatën që është dhënë gjithnjë, çertifikata e përkohshme për rastet kur është kërkuar, dhe është pikërisht për këto raste që jepet me urgjencë, me verifikimet e duhura sigurisht”, shprehet Paloka.
Nënkryetari i Kuvendit, njëherëz edhe i PD-së, theksoi se përgjigjia e dhënë nga Kreu i komanduar i SHISH-it, Helidon Bendo, duket se është dorë e kryeministrit.
Madje, referuar lëvizjes të të gjithë kupolës drejtuese të SHISH dhe zëvendësimit të tyre me të tjera emra, Paloka akuzoi Ramën se ka kapur SHISH për të penguar hetimin e nisur për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në vendin tonë.
“Jo rastësisht janë ata drejtues të Shërbimit Informativ, të cilët kanë hartuar gjithë raportet që lidheshin me trafikun e drogës në Shqipëri dhe kryesisht me emrat e drejtuesve të policisë të implikuar në këtë trafik droge. Arrijmë në konkluzionin që Edi Rama ia arriti të marrë edhe Shërbimin Informativ në duart e tij”, theksoi Paloka për News 24.
Pas lëvizjeve të fundit dhe refuzimit për të pasur akses në raportet sekrete të Shërbimit Inteligjent për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, Paloka është skeptik për faktin se komisioni të cilin ai drejton do të çojë para drejtësisë përgjegjësit.
“Hetimet të fillojnë nga kreu i ekzekutivit te Tahiri dhe drejtuesit e policisë shqiptare. Ajo që është edhe më skandaloze, është fakti që personat që kanë zëvendësuar këta drejtues të Shërbimit Informativ sipas të gjithë informacioneve që vijnë nga mediat, janë ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit. Kjo pra është ta marrë në dorë krejtësisht shtetin një njeri i papërgjegjshëm si kryeministri Edi Rama”, tha ai.