Pak seriozisht për ketë vajzën që u përlot.

Nga Indrit Vokshi

Dje në drekë shoh që më kishin ardhur disa mesazhe, me komentin “Ça mendon ti..” – “Më thuaj si tu duk..”. I shoh titujt “Vajza i përloti të gjithë..” – “Fjalimi brilant..” etj. Nuk e hapa videon se kisha punë por, mendova, hajt, kanë çu studentë në parlament, mirë bëjnë, le t’iu japin mundësi për të hequr emocionet e për të shpërfaqë idetë politike. Se fundja nuk më intereson a qe nisma e shokut Gramoz apo e kujt, kur janë nisma të mira. Gjeta kohë dhe e hapa videon. U përgatita për të dëgjuar fjalim politik, masi lexova që shkollimin e kish’ në LaSapienza, se edhe pse nuk mendoj se domosdoshmërisht kush shkollohet jashtë ka edhe koncepte politike, besoj tek talenti personal. Thashë, ok. Talenti. Gjatë kohës, po vrisja mendjen si i ka përlotur! Mendova se i ka përlotur të tjerët me fjalë por, ajo ish’ përlotur vetë dhe i kish’ përlotur me përlotjen e vet. Kur t’ia nisi vajit, thashë çka pati? Pse? Se nuk qan robi se s’ka rrugë fshati. Dmth me perversitetin tim mendor e kapa që është aktrim. Se shyqyr Zotit edhe shamia i qëlloi në xhep gati për me fshi lotin. Masanej pashë që në fjalim kishte dalë disi e palyer e pa rregulluar, jo si tek fotoja me Niko Peleshin ku ishte kuruar. Dhe u habita, meqë kjo ka qenë kandidate për deputete me partinë e Bamirit, mendova pse nuk është përlotur asokohe në takime elektorale e të merrte disa vota por, e përloti Bamirin me rezultatin, duke e bërë edhe më të padobishëm për Edi Ramën. Fillova t’iu kthej mesazhet miqve. Asgjë domethënëse – u thashë. O po si thua kështu ti? – mu përgjigjën. Pse – u them – çfarë ka interesante në fjalim? O po ti je njeri që nuk emocionohesh, ajo kërkoi rrugë dhe ujë, ajo e tha aty atë që të tjerët nuk guxojnë, pati guxim të dalë atje e ta thotë. Këtu më kërceu pak damari. Ujë e rrugë – thashë – ka 25 vjet që kërkojnë shqiptarët por nuk janë përlotur as populli e as gazetarët prej ktyne kërkesave. E sa për guximin, pse mendoni se ajo pati guximin që nuk e kanë të tjerët? Keni qenë ju në fushata elektorale ku fshatarët ia plasin deputetit në fytyrë dhe jo me fjalë përlotëse por me sharje të forta? Jo, nuk keni qenë. E jo në parlament ku janë të sigurt e nuk i dhunon kush sepse bëhen publikë por, atje në fshat ku mbështetësit e deputetit edhe mund ta rrahin e nuk merret vesh kush rrahu kë. E as nuk dalin në foto me deputetin masanej, siç doli kjo me Peleshin. Ohu ty stë bën përshtypje asgjë, je i pandjeshëm. Jo, nuk jam i pandjeshëm por nuk jam as naiv. Unë për fat e di se sistemet autokrate që konceptohen për të qeverisur pa institucione e procedura por, vetëm me “bashkëqeverisje parti-poull” e gjunjëzojnë mendimin edhe përmes fuqisë emocionale dhe shfaqjes. Ta vë përpara çiftin e asaj dhe s’ke si kundërshton. Po kundërshtove të turret masa e të emocionuarve instiktivisht. Dhe e bën në parlament skenën, që përlotja t’i marrë tjetër vëmendje, po të ishte përlotur në intervistë nga fshati i vet, askujt s’do t’i binte ndërmend. Se u përlot ai fmia i vogël në Shkozë kur po i arrestonin të atin por askush nuk ma nisi video në inbox duke më pyetur çfarë mendon. Është më e thellë puna. Dhe e di që s’ma kuptojnë masivisht ketë. Edhe komunistët e restauruar e dinë se kjo nuk kuptohet masivisht, prandaj edhe e inskenojnë. Se meqë e kanë nis kështu po i çoj unë shokut Gramoz çdo javë studentë e fermerë që të shprehen aty. Po kam frikë se nuk do t’i pranojë, se s’do i pëlqejë çka do thonë. Dhe një pyetje i bëra vetes unë, sa vetë folën atje në parlament dje? Se mund të ketë folur dikush tjetër aq mirë e ne nuk e dimë! Por do pyes shokun Gramoz. Pra si përfundim miq, unë nuk jam i pandjeshëm. Mirpo unë nuk bie viktime e ktyne. Pa modesti, ndihem shumë i zoti para kësaj propagande sepse ka 10 vjet që lexoj mbi natyrën e pushteteve, sidomos atyne totalitare. As kam naj interes në ketë mes. Me pas qëllim me qenë i pëlqym nga shumica do e kisha shpërnda fjalimin e do shkruaja “Uaaaa çfarë fjalimi miqë”. Por si thonë vllaznit tonë në kosovë, “As ëm kërcet hiç për qit punë”, me qenë i pëlqym prej ksaj far shumice. Hajt për hajër iu koft ndjeshmëria, ma mirë seancën tjetër ishalla.