ORARI QË PESHON APO RËNDON

Nga. Prof. Dr. Luçiano Boçi *

Vendimi i MASR për të ndryshuar orarin e shkollave në arsimin parauniversitar sipas formulës 3 lëndë në 6 orë, ngjan shumë i nxituar dhe mendjelehtë. Me jehonë marketingu për të shitur sa më shumë propagandë bajate, sipas formulës e frymës “paguaj një e merr dy”. Po më shumë i ngjason asaj pyetjes me kleçkë që i bëhet nxënësit: “Cili peshon më shumë 1 kg hekur apo 1 kg pambuk?”. Këtu ministria ca nga padija ca nga entuziazmi duket sikur po loz me nxënësit e mësuesit, me pyetjen e cuditshme që nuk qëndron nga pikpamja fizike: “Cili peshon më shumë 1 kg libra apo 1 kg orar?!” Vetë Rama ngaqë do të bëjë gjithmonë të parin, u nxitua të përgjigjet se janë librat ato që peshojnë më shumë.
Të nesëmen e gjetjes së përgjigjes, Rama urdhëron Linditën që në emër të bashkëqeverisjes me qytetarët si dikur “në emër të popullit” të ekzekutojë ….orarin!
Si cdo vendim eshe ky pa asnjë studim, asnjë konsultim por thjesht “me bë sa më shumë bujë”.
Tendenca për të prodhuar zhurmë, me qëllim mbulimin e situatës së rëndë në arsim është forma e zgjedhur e bërjes së punës në këtë ministri. Mish-mash i plotë, sikurse lëmsh me udhëzime e urdhëra që kundërshtojnë njëri-tjetrin. E kjo është për të ardhur keq. Ndërsa debati i kërkuar këtu nuk është politik më shumë se sa profesional.
Një vendim i tillë nuk mund të justifikohet më një qëllim parak siç është pesha e librave.
Ky është vërtet shqetësim real dhe i ngritur disa herë nga ne në komisionin përkatës dhe kërkon zgjidhje të domosdoshme.
Por së paku “t’i ngjajë peni gëzofit” thotë populli. Të përputhet vendimi i marrë me përfitimin e kërkuar në tërësi.
Krahasimisht me vendet e tjera të rajonit e më gjërë, ky nuk duket të jetë vendimi i duhur.
Orari me orë suksesive nuk është zgjidhje as psiko-pedagogjike as mësimore, as afatgjatë e as europiane.
Përveç kësaj ndërhyrja arbitrare në rregullimin e tij në mes të viti shkollor sjell pasoja domino negative për procesin mësimor.
Mësuesit janë të kapur gafil, po aq sa nxënësit dhe gjenden të patrajnuar e të pakualifikuar për një modalitet ore suksesive. Ata nuk parashikojnë dot se si do ta përpjestojnë minutazhin në dispozicion për të arritur objektivat didaktikë të paracaktuara.
Orari rrëzon poshtë planin mësimor, programet mësimore për cdo lëndë dhe pjesën dërmuese të arkitekturës së teksteve, pasi temat brenda tyre janë përllogaritur vetëm për 45 min mes dy qëllimeve; dhënie njohurie e kontroll dije. Ngarkesa mësimore për nxënësin ndjek një standart pedagogjik dhe psikologjik që mundëson thithjen maksimale të dijes brenda tekstit sipas stadeve-tema dhe kombinimeve teori-praktikë, transmetim dije-kontrollim i saj, me një gradualitet dhe kombinim lëndësh sipas organizimeve 45 minutëshe. Ky standart tashmë ndryshon.
Vetë orari është një element shumë i rëndësishëm themelor pedagogiik dhe jo një renditje mekanike rastësore lëndësh. Ai duhet të ketë domosdoshmërisht në qendër nxënësin në kompleksitetin e tij dhe jo një element, apo akoma më keq, të jetë një mekanizëm që drejtori e kurdis sipas shijeve personale për mësuesit.
Ai alternon ngarkesën e rëndesën mendore me lëndë “të vështira” dhe argëtimin e nxënësit më lëndë “të lehta”, brenda një harmonizimi që nxit kreativitetin dhe rrit dëshirën për “të zbuluar botën” dhe njëkohësisht ndihmon e stimulon të nxënit.
Nxënësi nuk gjen dot “prehje” me dy orëshin 45 minuta ose me 90 minutat me një 5 min pushim ndërmjet dhe ngarkesa e tij mentale dhe stresi rrezikojnë të kapin pikat maksimale, varësisht nga mosha, klasa dhe lëndët.
Kjo nuk i jep atij as mundësi të bëjë detyrat e parashikuara për temën pararendëse të 45 minutëshit të parë, pasi aparati pedagogjik nuk e ka parashikuar një gjë të tillë.
Ndërhyrja duhet të ishte e shoqëruar me një studim nga IZHA, si institucioni kompetent për nisma të tilla. Njëkohësisht, duhej të shoqërohej dhe me marrjen e një opinioni nga Këshilli i Arsimit Parauniversitar që ka vite që nuk funksionon. Pa neglizhuar Fakultetet e edukimit dhe specialistët e fushës për të parashikuar të gjitha efektet që ai prodhon dhe jo të realizohej kështu, në formën e tekave të momentit e eurekave politike, me qejfin se çoç kanë gjetur.
Ndërkohë ai komplikon së tepërmi mësimdhënien në klasat kolektive që zënë gati 15% të totalit të klasave ekzistuese dhe vështirëson mësimin individual, të ngujuarve, të nxënesve me aftësi të vecanta dhe atë part-time apo korrespondencë.
Përpos kësaj ai duhej t’i nënshtrohej më parë një aplikimi pilot në shkolla ose rajone të caktuara, për të parë aty gjithcka si pasojë qoftë poziteve kjo, apo negative e jo të realizohej si një ekperiment pa fund të ditur dhe të cuditur.
Vetëm pas këtij rezultati cdo gjë do ishte më pas e studiuar dhe e mirëpranuar. Ndërkohë që do mjaftonte një hulumtim i shpejtë dhe një iniciativë serioze për të zgjidhur cështjen e peshës së librave.
Ky nuk është orari, por janë ndërhyrjet efikase dhe afatgjata, të kërkuara prej kohësh në sistemin arsimor.
Një ndër këto zgjidhje është ngritja e kabineteve lëndore, pjesë e programit të PD, të cilat kanë jo vetëm mjetet e domosdoshme didaktike, por dhe librat për përdorim në klasë të nxënësit. Si në cdo vend europian e rajonal. Në këtë rast nxënësi nuk ngarkohet me tekstin personal në shpinë. Së paku këto kabinete të bëhen për lëndët themelore dhe kjo do krijonte një lehtësi absolute për nxënësit dhe canta do ishte akoma më e lehtë se kjo e orarit të famshëm. Sigurisht për këtë kërkohen investime totale, pasi gjendja në institucionet tona arsimore është miserabël, gjë që kjo qeverisje nuk e ka objektiv. Me buxhetin që i dedikohet arsimit vetëm orari ngelet alternativë sepse ai nuk kërkon para.
Zgjidhja më e plotë do ishte ajo e propozuar tashmë nga ne për një shkollë që ofron mësim, edukim e studim, ku nxësit të mund të realizojnë të gjithë detyrimet brenda një kohëzgjatje deri në orën 16.00, pa pasur nevojë të transportojnë pesha, përpos disa teksteve si lexime apo detyra ekstra.
Kjo do të lehtësonte jo vetëm peshën e nxënësve, por dhe atë të prindërve që harxhojnë kohë të bollshme me detyrat e shtëpisë.
Këto janë zgjidhjet reale që i japin hop cilësor mësimdhënies e mësimnxënies.
Orari nuk e lehtëson peshën e nxënësit. Ajo thjesht nga peshë fizike shndërrohet në peshë psikologjike.
Kësisoj pesha nuk zhduket, ajo merr pamje tjetër dhe specifikisht bëhet më e rëndë.
Prandaj nuk është cudi që nxënësit ta gjejnë shpejt përgjigjen e saktë të pyetjes ministrore, që ky orar rëndon më shumë se librat, pavarësisht peshës së njëjtë e përgjigjes së gabuar dhe inisitivës absurde të Kryeministrit dinpak.

*Deputet i PD