OPOZITA QË DUAM APO OPOZITA E DUHUR?
Partia ka vite që bën një rrugë e dy punë: në njërën anë nxit, rilind e thellon mes komunistëve dashurinë për Partinë dhe shokun Ramë, ndërsa nga ana tjetër ushqen mes jokomunistëve urrejtjen dhe alergjinë për partitë. Dhe kështu, pas Shqipërisë që duam dhe policisë që duam, Partia duket se po thellon skenarin për t’i siguruar popullit edhe opozitën që duam. Pasi propagandoi e krijoi për një kohë të gjatë opinionin se e keqja e këtij vendi janë partitë (të tëra, me të bëra e të pabëra), tashmë po bëhet gati një opozitë pa parti e me organizata të masave, që jo vetëm shoku Ramë, po edhe shoku Ramiz e pati ëndërruar e projektuar që në 1989-ën, kur pati dhënë direktivën për të toleruar një pluralizëm mendimi në vend të një pluralizmi partiak.
Ç’do të bëjnë në këtë mes armiqtë e kllasës, kundërrevolucionarët dhe reaksioni? Do të vazhdojnë të faktorizojnë OJQ-ra qejflinjsh e soroslinjsh dhe organizata revolucionare nën pushtetin e Partisë? Apo do të faktorizojnë opozitën e partive kundër pushteit të Partisë? Natyrisht që mua ma ka ënda këtë të fundit. Por duke llogaritur strategjinë e Partisë për të lënë në hije fillimisht 28 Nëntorin e Ismail Beut përmes promovimit të 29 nëntorit të shokut Tito, madje duke lënë pas edhe 7 nëntorin e Leninit për të nxjerrë më në pah 8 nëntorin e Dushanit e të Miladinit, 9 dhjetori mund të përbëjë një tjetër datë për Partinë për të lënë në hije 8 Dhjetorin me një histori të re. Prandaj koha s’pret. Pasnesër mund të jetë vonë. Zoti mos e lëntë pushtetin pa opozitën e duhur dhe e ruajttë Shqipërinë nga “opozita që duam”!