Opozita, marshim proteste në Tiranë
Protesta e opozitës u zhvillua në formën e një marshimi përpara “disa istitucioneve që Rama u ka vjedhur shqiptarëve”, tha zoti Basha, në fjalën e mbajtur përpara manifestuesve të mbledhur fillimisht para godinës së Qeverisë. Ndalesa e parë e opozitës ishte përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë “drejt institucionit që vetëm shtyp. Ne nuk duam një polici të krimit”, tha zoti Basha. Ndalesa e dytë para Parlamentit “vendit që duhet të jetë tempulli i demokracisë me mesazhin se nuk e njohim Parlamentin e paligjshëm”. Më pas manifestuesit ata u ndalën para Ministrisë së Brendshme “ku sundon një njeri që nuk e lidh asgjë me kushtetutën dhe ligjin, por vetëm servilizimi i verbër dhe shërbimi ndaj padronit të tij”, u shpreh zoti Basha. Ndalesa e fundit ishte përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës “ku mbahen me pa të drejtë vëllezërit e motrat tona”.
Opozita, marshim proteste në Tiranë
Përpara se të niste marshimin, zoti Basha mbajti një fjalë në sheshin për godinës së Qeverisë, i cili dy netë më parë u kthye në një skenë të akteve të dhunshme ndaj godinave shtetërore, drejt së cilave u lëshuan një numër i madh bombash Molotov. Protesta e sotme u parapri nga një numër i madh deklaratash të ambasadës amerikane, selive diplomatike të vendeve kryesore të Bashkimit Europian, eurodeputetëve dhe drejtuesve të institucioneve kryesore të OSBE-së, të cilat i kërkuan zotit Basha dhe drejtueses së LSI-së, Monika Kryemadhi, të dënonin dhunën e ushtruar gjatë protestës të së shtunës dhe përgjegjësit e saj.
Në fjalën e tij, zoti Basha i mëshoi pikërisht fjalës “dhunë” e cila sipas tij ishte “përgjigja e vetme e Edi Ramës ndaj votës së lirë”. Ai theksoi se “dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama. Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve, ndaj të rinjve dhe vogëlushëve, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës. Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore, se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore. Sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin”, deklaroi zoti Basha përpara mbështetësve të tij, të cilat sot nuk tentuan as t’i afrohen gardhit të punonjësve të policisë para godinës së Qeverisë duke u mjaftuar vetëm me lëshimin e shashkave dhe tymueseve, para të gjitha institucioneve ku ndaluan. Situata u tensionua disa para parlamentit, ku një grup mbështetësish të opozitës hoqën gardhin metalik të vendosur në hyrjen qëndrore. Forcat e Rendit që ndodheshin aty u tërhoqën. Për disa minuta, një numër i madh tymuesesh dhe lëndësh plasëse u hodhën drejt tyre, ndërsa nuk u kundërpërgjigjen. Gjendja u acarua pak më shumë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, drejt së cilës fluturuan dhe gurë që thyen xhamat e disa dritareve, dhe një bombë e vetme Molotov. SIpas njoftimit të policisë vetëm një punonjës është dëmtuar nga lëshimi i lëndëve plasëse.
“Sot treguam se nuk ka forcë mbi tokë të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme. Se nuk ka forcë të na detyrojë të ulemi e të bëjmë pazare e kompromis me të keqen. E keqja duhet të ikë e do të ikë për t’i hapur vend Shqipërisë si gjithë Europa. Le të jetë e sotmja mesazhi i vendosmërisë absolute me të cilën do vazhdojmë këtë betejë të mbushur me shpresë, të vendosur deri në fund, të fortë e kurajozë, për betejën tonë për Shqipërinë si gjithë Europa”, tha zoti Basha nga selia e Partisë Demokratike në mbyllje të marshimit të protestës që zgjati mbi dy orë, pavarësisht shiut të pandërprerë.