Nisi nga Shkodra, Kryebashkiakët e Opozitës – Ramës: Je kokë e këmbë në paligjshmëri!

Pas kërkesës së kryebashkiakes Voltana Ademi për Shkodrën edhe Bashkitë e tjera te drejtuara nga Opozita, PD, LSI dhe PDIU, i janë drejtuar përmes një shkrese komisionit qëndror të zgjedhjeve, përmes së cilës kërkojnë zbatimin e dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Sipas tyre, mbajtja e zgjedhjeve më 30 qershor është një akt i paligjshëm pasi dekreti i kreut të shtetit ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare.
Në kërkesat zyrtare të dërguara ditën e sotme thuhet:
“Ne zbatim te Dekretit te Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr.11199 datë 10.06.2019 ” Për Shfuqizim të Dekretit nr. 10298 datë 05.11.2018 të Presidentit të Republikës ” Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, përmes të cilit është anuluar zhvillimi i zgjedhjeve me 30 qershor 2019 për organet e vetëqeverisjes vendore kërkojmë nga ana juaj:
• Lirimin e menjëhershëm të ambienteve të KZAZ-ve
• Heqjen e listave përfundimtare të zgjedhësve të publikuara dhe të afishuara në qëndrat e votimit të administruara nga këto KZAZ.
Kërkesa i është drejtuar për dijeni Presidentit të Republikes, Kryeministrit të Shqipërisë, Ministrit të Brëndshëm, Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.”

LETRA E PERBASHKET
Në një reagim të përbashkët ata shkruajnë ndër të tjera se, “përsa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë. Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri!”
Reagim për Edi Ramën nga kryetarët e bashkive që po zbatojnë dekretin e Presidentit për anullmin e datës 30 qershor
“Zoti Kryeministër! Je kokë e këmbë në paligjshmëri! Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse, përsa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë. Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri! Zoti Kryeministër, kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale. Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne! Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE-në!”