.Nipi i Lef Nosit: Ata qe shpetuan hebrejte u persekutuan nga komunistet

 

 

 

18 Maj 2012  Gazeta Metropol

Rrno për me tregue” zbulon disa familje që kanë strehuar hebrenjtë në Shqipëri
Në “Rrno për me tregue” të gazetarit Nebil Çika i ftuar eshte Skënder Kosturi. Ai është një nga pinjollët e familjes Nosi të Shqipërisë. Krahas arritjeve që kanë bërë në fushat e ndryshme, ata kanë ndihmuar edhe me strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë periudhës 1939-1946.Por kush i shpëtoi hebrenjtë në të vërtetë? Kjo është një pyetje për të cilën opinioni publik shqiptar nuk ka ende një përgjigje të qartë. Për 45 vjet të diktaturës komuniste ky akt fisnik i shqiptarëve u fshi nga historia zyrtare për shkakun e vetëm se pjesa më e madhe e hebrenjve ishin shpallur kriminelë lufte e armiq të shtetit komunist, duke pësuar fatin e shumë hebrenjve të tjerë jashtë Shqipërisë, që nuk mundën ta kishin mbrojtjen e tyre. Sot, për fat të keq, vazhdon i njëjti trajtim historik i kësaj çështjeje nga politika dhe historiografia zyrtare, që me termin komunist “populli” vazhdojnë të deformojnë opinionin mbi të vërtetën e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri. Pa dyshim që populli shqiptar ka meritën e tij në këtë akt fisnik, por një pjesë e popullit, kryesisht elita politike zyrtare e kohës si dhe familjet që i strehuan hebrenjtë, kanë privilegjin të ndihen me të nderuar e të evidentohen me emra në këtë akt demonstrimi të besës dhe fisnikërisë. Pa dyshim që meritën më të madhe të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri e kanë qeveritë e kohës nga viti 1939 deri më 1944. Kjo vërtetohet edhe nga dokumentet, që tregojnë politikën dhe veprimet në mbrojtje të hebrenjve të të ashtuquajturës “qeveri kolaboracioniste”.

Dëshmia e Johana Neuman, hebreje e strehuar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore:

Ne erdhën në Shqipëri në mars të vitit 1939, por në prill vendi u pushtua nga Italia. Konsulli i SHBA-ve në Tiranë u largua për në Napoli, kështu që ne nuk mundëm të merrnim viza për në SHBA. Në fillim jetuam në Durrës. Atje kishte rreth 60 hebrenj austriakë. Në fillim jetonim të gjithë bashkë, por më pas vendosëm të merrnim me qira një banesë në Shkozet të Durrësit. Kur mbreti Zog u bë me djalë, më 5 prill 1939, nga gëzimi vendosi të na jepte të gjithë ne hebrenjve shtetësinë shqiptare. Pra, ne do të ishim bërë shtetas shqiptarë, nëse Shqipëria nuk do të ishte pushtuar. Fqinjët në Shkozet na sillnin pilaf, kadaif, bakllava dhe gjëra të tjera të mira, por na ftonin që të shkonim bashkë me ta në xhami. Mendoj se koncepti i besës dhe kanunit u demonstruan gjatë atyre viteve, kur ne u pritëm krahë hapur nga të gjithë. Ne kishim shumë miq shqiptarë, qofshin qytetarë të thjeshtë apo zyrtarë të qeverisë dhe që të gjithë bënin çmos për të na ndihmuar. Kur u ktheva në Izrael, unë u thashë atyre se Shqipëria ishte një vend me një milion banorë dhe pjesa më e madhe e tyre ishte analfabet. Një vend që nuk shquhej si i pasur apo vend intelektual, por nga niveli moral ishin shumë lartë. Nga ana tjetër, Gjermania ishte një vend me shumë intelektualë, si historianë, muzikantë, kompozitorë, por që ra poshtë në nivelin që e dimë të gjithë. Familja Pilku u ekspozua komplet për shkakun tonë. Gjermanët mund ta kishin zbuluar se ishin hebrenj dhe mund ta kishin pësuar. Nuk mund të gjenden fjalë për të përshkruar të gjithë ata njerëz që shpëtuan hebrenjtë kundrejt çdo çmimi. Këtu përfshihen edhe ata njerëz që ishin në qeverinë e ashtuquajtur “kukull” të Mustafa Krujës. Ata e dinin shumë mirë që ne ishin hebrenj dhe nuk na dorëzuan te gjermanët.

Dëshmia e Marko Manehamit, hebre i strehuar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore:

Kur isha i strehuar në familjen e Vasil Nosit në Elbasan, erdhi një oficer nazist. Ata donin të më merrnin e të më vrisnin, pasi mendonin se kisha vrarë një toger gjerman. Vasili iu përgjigj duke i thënë se, nëse do të më vrisnin mua, atëherë të vrisnin të gjithë familjen tij. Ai i tha ushtarit se më kishte strehuar në shtëpi duke më dhënë besën dhe nuk mund ta thyente atë. Oficeri këmbëngulte se duhej të më merrte me vete, pasi kishte urdhër që të më arrestonin. Vasili iu përgjigj përsëri duke e kundërshtuar atë. Po atë natë ai më mori dhe më strehoi në një hotel në Elbasan. Unë u strehova për një muaj e gjysmë në një hotel në Elbasan, pasi nuk mund të strehohesha në vende të tjera. Te hoteli vinte motra e Vasilit, Adelina, babai i tij, doktor Nosi, dhe më sillnin ushqimin derisa u çlirua Shqipëria. Kur shoh pamjet e hotelit të Elbasanit, ndiej se është vendi që më ka lindur për të dytën herë.

– Zoti Kosturi, do të doja ta fillonim intervistën nga historia e familjes suaj. Siç u pa në insertin që transmetuam, ju i përkisni një familjeje nacionaliste dhe që keni kontribuar në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mund të na thoni diçka më tepër lidhur me këto fakte?

Skënder Kosturi – Inserti që ju transmetuat është pjesë e një dokumentari të transmetuar në Izrael në vitin 1994. Në të janë trajtuar shtatë raste, ose shtatë dëshmi të hebrenjve që janë shpëtuar në Shqipëri, ku midis tyre janë edhe dëshmitë që ju transmetuat. Jeta e Markos (hebreu që dha dëshminë) është tepër e dhimbshme. Atij i kanë vrarë dhe zhvarrosur 64 njerëz nga familja e tij jashtë kufijve shqiptarë. Markoja ishte diplomuar për kimi. Kur po e dërgonin në kampin e përqendrimit në Maqedoni, ai kërceu nga treni dhe nuk e di se si shpëtoi. Nga aty ai shkoj në Cërrik, ku punonte si topograf dhe po bënte hartat e një latifondisti elbasanas. Pas pak kohësh ai mbetet i papunë dhe kërkon ndihmë për të jetuar. Njerëzit e rekomanduan te daja im i madh, Vasil Nosi. Vasali, pasi takon Markon, e merr në punë te fabrika e alkoolit që kishte në pronësi. Ai ishte i sigurt aty, pasi fabrika ishte jashtë rrethimit ushtarak që ishte në Elbasan dhe vazhdoi punën si kimist, pasi ishte shumë i zoti. Por këtu filluan edhe fatkeqësitë për Markon. Pak kilometra larg fabrikës ku punonte, po bëhej një dasmë. Nga kureshtja ai vajti të shihte dasmën shqiptare, por aty ishte dhe një nënoficer gjerman. Ata kishin filluar të komunikonin me njëri-tjetrin në gjermanisht, pasi Markoja e dinte atë gjuhë. Më vonë ai e kishte vrarë nënoficeri gjerman, pasi i kishte treguar një foto ku qentë e ushtrisë gjermane ushqeheshin me trupat e fëmijëve hebrenj. Ai e shtyu ushtarin dhe e hodhi në lumin Shkumbin. Meqë ushtari nuk u kthye më në garnizon, një toger i gestapos së bashku me ndihmësin e tij dolën duke kontrolluar të gjithë burrat që ishin në qytet. Sapo panë Markon, ata e arrestuan, pasi e kishin kuptuar që ishte izraelit. Kur e morën, ai arriti t’u thoshte disa punëtorëve të tjerë që të njoftonte Vasilin se e kishin arrestuar. Këtu fillojnë koincidencat e çuditshme. Vasil Nosi kishte bërë një shkollë për kimi në Austri dhe shoku i tij gjatë viteve të studimit kishte marrë gradën “nënkolonel”. Ai ishte në Elbasan kur arrestuan Markon. Daja im i kërkoj atij që ta lironin atë dhe ai ashtu bëri, ashtu siç dëshmoi ai. Vasili e strehoi te hoteli i llixhave në Elbasan, atje ku është edhe sot. E dërgoi atje pasi ishte një zonë tërësisht e shkretë, pa asnjë njeri. Ai qëndroi atje derisa u largu edhe ushtari i fundit gjerman.

– Por Markoja strehohet edhe në Tiranë, si ndodhi ky kalim i tij nga një qytet në tjetrin, pasi lidhet edhe me familjen tuaj?

– Krahas Markos në fabrikën e alkoolit u strehua edhe Lef Nosi. Ai nuk u largu nga Shqipëria as më 1924, pasi ishte me regjimin e Nolit dhe as më 1944. Kur ai u strehua në fabrikë, gjendja filloi të tensionohej, pasi ishte e rrezikshme, sepse mund të zbuloheshin që të dy. Madje, në një letër që Marko Manehami më ka dërguar mua më 1994 thoshte se për nëntë muaj ata kishin luajtur si macja me miun me Sigurimin e Shtetit. Në fund ata vendosën që Lefi të dorëzohej, por me një kusht që atij t’i falej jeta. Këtë gjë mendonin ta bënin nëpërmjet Nako Spirus, një familje që kishte lidhje me familjen tonë. Por, meqë Nako Spiru nuk ishte në Shqipëri, pasi ndodhej në një delegacion në Moskë, ata vendosën që ta strehonin në Tiranë. Dajat e mi e marrin Markon dhe Lefin dhe i çojnë në Tiranë. Por rrugës patën një problem, pasi te Pallati i Brigadave kishte postbllok. Një shok i dajës tim të vogël mundësoi kalim nëpërmjet arave që ai kishte në zonën përreth. Pasi kaluan këtë pengesë, Lefi strehohet te familja e një mësueseje shkodrane që jetonte në Tiranë. Lefin do ta merrte në besë një nga pinjollët e familjeve më të vjetra të bajraktarëve në Shqipëri. Ai e theu besën dhe e dorëzoi te forcat e Sigurimit të Shtetit. Mirëpo Markoja duhej të ikte në Palestinë. Ai udhëtonte me një pasaportë të Kombeve të Bashkuara. Njerëzit në port i thanë që të priste në vaporin me të cilin do të nisej të nesërmen. Markoja u kërkoi oficerëve që të darkonte me dajat e mi atë natë, që të takohej me ata para se të ikte. Kur dy dajat e mi dhe Markoja po hanin darkë te hotel “Dajti”, arrestohen nga forcat e “sigurimit. Miku tjetër që ishte në tavolinë me ata, Xhemal Farka, tha se nuk do t’i linte vetëm dhe se do të shkonte me ta, edhe pse nuk kishte ndonjë urdhër arresti për të. Dajat e mi u dënuan dhe u liruan pasi kryen dënimin, ndërsa Xhemal Farkën e pushkatuan për disa akuza të tjera që kishte mbi të. Në këtë kohë Marko Manehami u burgos dhe nuk kishte asnjë njeri në Shqipëri. Por ai nuk ishte i vetëm. Gjyshja ime e konsideronte atë si djalë të tij. Ajo na dërgonte pako çdo dy javë, pasi ishim shtatë të burgosur. Markoja bëri një pjesë të dënimit, rreth 2 vjet, ndërsa dajat e mi u dënuan njëri 4 vjet dhe tjetri 6. Këta u dënuan për arsyen e Lefit. Vasili vdiq gjatë punës së detyruar që i kishin dhënë. Pra, Markoja nuk pranoi të largohej nga Shqipëria më 1946, por u largua më 1990. Ai punoi në Shqipëri si pedagog.

– Pas rënies së diktaturës ju ikët në Izrael. Ju ishit grupi i parë që shkuat atje?

– Faktikisht, nuk isha unë. I pari që iku ishte Refik Ruseli. Kur vajti ai, për çdo person që kishte strehuar një izraelit mbillej një pemë në një pllakë. Por meqë këta bëheshin shumë, u ndërtua një pllakë ku u vendon emrat e personave që strehuan çifutë gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Të njëjta pllaka ndodhen edhe në Uashington. Ndërsa delegacioni ku isha unë ishim të përfaqësuar nga 14 veta, të cilët përfaqësonim 14 familje. Çudia më e madhe e izraelitëve ishte fakti se si kishte mundësi që të gjithë hebrenjtë që u strehuan në Shqipëri u shpëtuan, kur ne ishim një vend mysliman. Atëherë unë u detyrova t’i thosha shprehjen se “shtëpia është Zotit dhe e mikut”. Na kanë pritur me nderime të jashtëzakonshme.

– Si është bërë e mundur shpëtimi i hebrenjve dhe shmangja e kontrolleve gjermane në atë periudhë?

– Familjet që i strehuan çifutët kishin edhe mundësi ekonomike, por kishin edhe reputacionin. Fakti kryesor është se në Shqipëri nuk ka pasur kontrolle nga Gestapoja për gjetjen e çifutëve. Një miku im historian, Shaban Sinani, ka gjetur një dokument të një mbledhjeje të qeverisë naziste gjermane. Në të shkruhej se në Shqipëri nuk kishte kontrolle nga Gestapoja dhe se çështja e hebrenjve në Shqipëri është një çështje e brendshme e qeverisë Shqiptare. Pra, edhe pse ne ishim një vend i pushtuar nga nazistët, përsëri kishim një lloj reputacioni tek ata. Këtë e them pasi në vendon tonë ishte një qeveri kukull. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shtete të tjera, si Danimarka.

– Por ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri janë krejt ndryshe nga popujt e tjerë. Në Danimarkë janë shpëtuar vetëm hebrenjtë që ishin me origjinë daneze dhe jo të tjerët, ndërsa në Shqipëri janë strehuar hebrenj nga të gjitha vendet.

– Kur isha në Izrael, kam takuar dy vëllezër që ishin strehuar në Shqipëri. Kuptohet që në periudhën që ata kishin qenë këtu, kishin qenë shumë të vegjël, të cilët dëgjonin për Shqipërinë ende për problemet ekonomike. Shumë të revoltuar, ata më pyesin se pse e kishim shkatërruar vendin. Unë u habita dhe nuk fola. Pastaj ata ma shpjeguan arsyen pse më pyetën aq të revoltuar. Ata ishin hebrenj nga Kroacia. Kur kishin filluar bombardimet në Kroaci, i kishte vdekur babai. Këta dy fëmijë së bashku me nënën e tyre u nisën më këmbë për të gjetur strehim dhe shkojnë në Shkodër. Kur kalojnë kufirin dhe hyjnë në Shqipëri, shikojnë se kishte paqe dhe jo luftë. Ishte një bollëk relativ kundrejt vendeve që ishin në luftë. Atyre u kishin bërë përshtypje fëmijët shqiptarë, të cilët, pa pyetur se nga ishin apo se nga vinin, i kishin marrë dhe kishin filluar të loznin me ta. Këta u integruan menjëherë. Një detaj interesant që më thanë ishte se nuk kishin parë asnjëherë napolon floriri. Një nga vëllezërit punonte në bankë dhe kishte parë vetëm çeqe dhe para kesh. Në Shkodër ata kishin parë tregtar të luanin tavllë me napolon floriri. Ai u kishte thënë fëmijëve të tij: “Ekziston një vend në botë që quhet ‘Shqipëri’ dhe ekziston një qytet që quhet ‘Shkodër’. Ajo është parajsa.” Fëmijët e tyre mezi prisnin që të shihnin këtë vend. Ai ishte i irrituar për faktin se Shqipëria ishte e rrënuar ekonomikisht. Diçka tjetër që më bëri përshtypje ishte se në grupin tonë në Izrael ishin edhe dy pleq. Ata kishin marrë një kopje të Kuranit në shqip dhe ia dhuruan Mullait të Jerusalemit. Kjo më bërë përshtypje, pasi në hierarkinë e myslimanëve Mullai është personalitet shumë i lartë, pasi ndodhet në Jerusalem, në qytetin e shenjtë. Kjo ceremoni u bë shumë e madhe. Ishin të pranishëm edhe shumë televizione. Në Izrael na u desh shumë kohë që t’u shpjegonim atyre se ne kishim strehuar hebrenjtë jo se janë një popull që gëzon një simpati të veçantë, por se ky është zakon i shqiptareve. Kush do që të ishte në nevojë, ne do ta ndihmonim. Por personat që i kanë ndihmuar nuk janë shumë, janë rreth 80 veta që e gëzojnë këtë status. Problemi është se pse emrat e këtyre personave nuk bëhen publikë, ose të ngrihet një obelisk. Këtë gjë e them pasi këta njerëz kanë nderuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Zoti Kosturi, krahas certifikatave që shteti Izraelit ka dhënë për ju nuk duket se ka bërë ndonjë bashkëpunim politik me Shqipërinë. Izraeli është ende një shtet që nuk e ka njohur Kosovën. Nga informacionet që kam unë, certifikata të tilla janë shpërndarë për popullin shqiptar që jeton në Kosovë. Njohja e Kosovës do të ishte shpërblimi më i madh që mund t’i bënin popullit Shqiptar.

– Izraeli ka probleme me Palestinën. Unë nuk jam as historian dhe nuk dua të bëhem as politikan. Por jam i sigurt se këto çështje do të zgjidhen. Unë them me bindje shumë të madhe se populli izraelit ka një simpati shumë të madhe për popullin shqiptar. Ne kemi një problem tjetër shumë të madh tonin. Ne krenohemi më shumë se ç’duhet me ngjarje të tilla. Strehimi i hebrenjve është për t’u krenuar, por jo ta kthejmë në një çështje politike, ku njëri të mburret më shumë se tjetri. I vetmi institucion që vërteton këto punë është organizata izraelite që merret me këtë punë.

– Nga një studim që unë kam bërë rezulton se mbi 90% e mbrojtësve të hebrenjve, persona zyrtarë dhe jozyrtarë, përfunduan në burgjet komuniste, pse mund të ketë ardhur kjo?

– Kjo lidhet me faktin se pjesa më e madhe e familjeve që i strehoi hebrenjtë ishin familje me reputacion dhe kishin influencë. Komunizmi i luftoi ato familje, pasi idetë e komunistëve binin ndesh me aspiratat e këtyre familjeve.

– A e dinte organizata izraelite se çfarë fati kishin pasur këta njerëz në këta 50 vjet komunizëm si pasojë e strehimit të hebrenjve?

– Kur ne dolëm nga aeroporti i Tel-Avivit, na prisnin rreth 200 njerëz. Pothuajse të gjitha familjet që ishin strehuar në Shqipëri kishin ardhur për të na pritur në aeroport. Madje, njëri nga hebrenjtë i nxori shokut tim, Edi Toptanit, një palë llastiqe që ky ia kishte dhënë në fëmijëri dhe kishin shkruar ne dy krahët e saj emrat e tyre. Pra, hebrenjtë kishin jetuar si vëllezër me familjet shqiptare.

– A jua kanë njohur meritat komunistët për strehimin e hebrenjve?

– As që bëhet fjalë. Gjatë kohës së diktaturës unë kam mbajtur lidhje me Markon, i cili jetonte në Tiranë dhe kishte tri vajza. Ai ishte i vetmi person që më bënte të ndihesha më shumë krenar se çdo herë tjetër për gjestin fisnik që kishte bërë familja ime.

– Si ndiheni kur meritat e ndihmës ndaj popullit hebre i merr i gjithë populli shqiptar dhe jo familjet që e kanë bërë këtë gjë?

– Nuk është se mërzitem. Familjet që i strehuan hebrenjtë e bënë pasi e ndienin të nevojshme t’i ndihmonin dhe jo që të krenoheshim më mbrapa. Sigurisht që, kur shquhen emrat, ndihem mirë, por mund të them se në Kuvendin e Shqipërisë gjatë ceremonisë për holokaustin personi që ishte ulur përbri Kryeministrit ishte kushëriri im, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Kanadaja për këtë aktivitet. Mendoj se historia duhet thënë ashtu siç është në dokument.

– Në historinë shqiptare vazhdojnë të konsiderohen ende këta emra si kolaboracionistë me nazistët. Në intervistën që u dha në fillim të emisionit, një nga të mbijetuarat në Shqipëri tha “gjoja qeveria kukull”. Duket se ata janë më të qartë se ne për historinë tonë…

– Ata e kanë më të qartë këtë pjesë të historisë, pasi në Shqipëri ka ndodhur një fenomen i çuditshëm. Në qoftë se do të lexojmë raportin e Enver Hoxhës në Kongresin e Parë, ai flet për historinë e Shqipërisë, por pa lidhje. Më pas e gjithë historiografia shqiptare luftoi që të vërtetonte ato fjalë që kishte thënë ai. Një fakt historik që di unë është se ushtria gjermane ka marrë një hua te qeveria shqiptare dhe ministri i Financave i asaj periudhe u dënua për këtë ngjarje. Por si mundet që ushtra e një pushtuesi të marrë kredi? Pushtuesi grabit atë që do dhe ikën. Duhet bërë një rishkrim i historisë, pasi shumë gjëra që janë shkruar janë bërë gabim. Historia duhet shkruar nga historian të tjerë dhe jo nga ata që e kanë shkruar një herë, pasi ata nuk mund të lëpijnë atë që kanë pështyrë.

– Në historiografinë zyrtare shqiptare ka pak, për të mos thënë aspak, material për këtë akt fisnik që familja juaj dhe familjet e tjera shqiptare kanë bërë. Si mund ta argumentoni këtë?

– Vendosja e shkrimeve u bën një nder shqiptarëve. U bën nder jo vetëm familjeve shqiptare, por gjithë popullit, pasi kanë një fakt më shumë që të krenohen. Unë jam i bindur se cilido popull të trokiste në familjen e shqiptarëve do të gjente ndihmën e kërkuar.

Foto :Skender Kosturi dhe Marko Manehami ne Izrael

Marre nga Libri Zera te Mbijeteses , Nebil Çika i Riu