Ndue Lala apel nga Amerika: Shqiptarë bashkohuni dhe mbrojeni Unitetin tonë Kombetar në rrezik!

 

Uniteti ynë Kombëtar duhet të jetë mbi gjithçka. Ai ka qënë , është dhe duhet ta ruajmë si gjënë më të shenjtë si popull. Ky unitet i konsoliduar në kohera të vështira për Shqipërinë tonë, që nga epoka e Gjergj Kastriotit dhe Lidhja Shqiptare e Prizërenit , që realizoi programin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke u nisur nga mbrojtja e tërësisë tokësore të Atdheut dhe krijimin e shtetit Kombëtar Shqiptare, sot është më në rrezik se asnjëherë më parë. Klasa politike e vëndit, është përçarë dhe po konfrontohet për ditë duke e shpënë popullin drejt përplasjeve të mëdha civile, me pasoja të rënda për vëndin. Kjo fatkeqësi është paralajmeruar që nga Fan Noli i madh i cili ka shkruar në vitin 1925 se shkaku i mjerimit në Shqipëri, sikurse akuzon Noli janë 2 partitë e mëdha Nacionalët dhe Antinacionalët, domethënë ata që e duan një Shqipëri indipedente dhe ata që e duan copëtimin e sajë midis vëndeve fqinje. Mes forcave të sotme politike sigurisht që ende spikasin përfqësues të këtyre rrrymave të ushqyera edhe nga financimet dashakeqëse të armiqve tanë shekullorë, dhe që po e çojnë vendin drejt një katastrofe! Ditët e fundit janë parë gjëra të shëmtuara. Shqiptarët konfrontohen me shqiptarët. Janë djegur shkolla, që është e turpëshme të ndodhin! Burrat e shtetit duhet të mbledhin mendjen dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për të shpëtuar situatën. Duhet gjetur me domosdoshmëri kjo gjuhë e përbashkët, sepse kemi një Atdhe të përbashkët dhe kemi për detyrë ta mbrojmë Kombin! Ata që s’e kuptojnë dhe u shërbejnë interesave të huaja dhe jo të vëndit ky popull do të dijë ti mallkojë dhe t’u tregojë vëndin. Unë që po ju drejtoj këtë thirrje kam babanë e vrarë nga Sigurimi i Shtetit së bashku me 11 pjestarë të fisit në vitin 1952. Unë që kam përjetuar që fëmijë pasojat e rënda të luftës së klasave ju bëj thirrje vëllezërve të mij shqiptarë, kushdo qofshin që të ulin gjakrat dhe të shkelin edhe mbi sedren e tyre të sëmurë e hakmarrëse, për ta gjetur rrugën e pajtimit dhe të zhvillimit të atdheut, që armiqtë na e kanë mohuar ndër shekuj. Është koha që si shqiptarë të ruajmë harmoninë, të respektojmë vlerat. Me SHBA në krah dita e Shqipërisë ka ardhë. Vëllezër mos e vrisni këtë ditë!

Me respekt: Ndue Lala

Kush është Ndue Lala?

Ndue Lala është një personazh me histori interesante. Prej shumë vitesh emigrant në SHBA. Vënd lindja e tijë është fshati Mal i Bardhë në Kurbin. Fisi i tijë është njohur për kontribut të veçantë kundër pushtimit osman në periudhën e Skënderbeut. Pinjollë të njohur të këtij fisi Martin dhe Gegë Qypi kanë udhëhequr një kryengritje antiturke në Kurbin, e cila tronditi Portën e Lartë. Po dhe në ditët tona babai i Ndue Lalës, Pjetri Lala ka qënë ndër udheheqësit e fundit të grupeve të armatosura që u asgjesuan në fillim të viteve 50-të, duke luftuar me armë në dorë kundër Sigurimit të Shtetit, në betejen e Bushneshit. Kreu i grupit të armatosur të çetës antikomuniste Pjetër Lala është shpallur Dëshmor i Demokracisë, nga ish Presidenti Nishani në vitin 2017, së bashku me 11 anetarët e tjerë fisit që u vranë në këtë betejë.