NDRYSHIMI FILLON NGA PARLAMENTI
Nga Erion Piciri
Parlamenti shqiptar ka qënë historikisht vendi ku janë mbledhur sunduesit, servilët dhe të dallaverexhinjtë më të mëdhenj të kombit. Shkollë e falsitetit, shkatërrimit të dinjitetit të njeriut, kulturës institucionale dhe harmonisë sociale të vendit. Gjithfarësoj individësh me karaktere të deformuara, që duhet të ishin në periferi të shoqërisë apo qëndra riedukimi, kanë gjetur strehë në atë ndertesë. Ndër vite aty ka pasur sigurisht edhe burra e gra të mira, që i kanë përdorur për imazh publik, por pjesën dërrmuese të rasteve kanë qënë artizanë aktivë a pasivë të dramës tonë kombëtare. Në këtë vend intrigash dhe konfliktesh ordinere si në kapanone burgu, një njeri i ndershëm nuk ka ç’kërkon, veçse nëse do të luftojë për ndryshimin, nuk e anashkalon dot. Të merresh me politikë do të thotë të merresh me specie të egra dhe nuk duhet të kesh stepje të hysh në rezervatin e tyre. Rrisku dhe veshtirësia e profesionit.
Parlamenti është i vetmi vend ku mund t’ju drejtohesh publikut në masë dhe ku baronët e politikës dhe mercenarët e medias, duan s’duan, do të japin hapësirën televizive. Aty nuk të bllokojnë dot. Kudo tjetër të izolojnë. Mund të jesh mendja me brilante, të kesh idetë dhe qëllimet më të mira, por po nuk komunikove nga ai podium, zëre se nuk ekziston. Ndryshimi e ka stacion te domosdoshem atë sallë, që një ditë është mirë të kthehet në muzeun e krimit politk ndaj shqiptarëve, në ekspozimin e historisë komuniste dhe postkomuniste të tranzicionit, ku të tregohet për poshtersitë e E.Hoxhes dhe të ngjashmëve të tij të 30 viteve të fundit, të tregohet për diktaturën e proletaritatit dhe narkokorrupsionit, për mohimin e të drejtave të njeriut, se kur dhe nga kush u votua për grabitjen dhe tjetersimin e pronave të shqiptarëve dhe për sa ligje të tjera që e kanë çuar Shqiperinë buzë dëshpërimit dhe emigrimit masiv. Duhet hyrë, duhet nxitur një debat publik për pastrimin e atij vendi dhe duhet mbyllur ajo sallë turpi në historinë tonë kombëtare. Diku tjetër duhet ngritur një parlament i ri, i populluar me politikanë të profilit perëndimor. Nëse të gjithe e marrim seriozisht këtë mision, historia jonë do ndryshojë. Në të kundërt, baronët e politikës dhe militantët e tyre do jenë zot të jetës tonë.
Ndryshimi fillon nga parlamenti…