NDIHMOMËNI TË QESH! Poezi nga Trifon Xhagjika

Nga Trifon Xhagjika *

Nuk mundem,
………………….. nuk mundem,
nuk mundem.

E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.

Atdheun e dija të uritur!

Por sa i vogël qenka!

As një degë nuk e këpuste dot.

E mora për dore
ta rrit në zemrën time…

Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.

Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!

1963

*Trifon Xhagjika (1932 – 1963) ka qenë ushtarak, gazetar dhe poet disident shqiptar i pushkatuar në kohën e regjimit komunist në Shqipëri

Bashkë me një grup miqsh u arrestua gushtin e 1963 dhe u dënua me pushkatim, para trupit gjykues recitoi kete poezi te tij ”  Vendimi u ekzekutua dhjetorin e 1963. Nuk i dihet akoma vendvarrosja.