Nderojmë Madhështinë e Tij Mid’hat Bej Frashri !
Nga Nebil Çika*
Të nderuar miq antikomunistë, nacionalistë e demokratë!
Nesër e mërkurë 14 nëntor 2018 nga ora 09-11 në Akademinë e Shkencave zhvillohen homazhe te arkivoli me eshtrat e simbolit të shqiptarisë Mid’hat Bej Frashri. Me gjithë diskutimet dhe pakënaqësitë e drejta për mënyrën se si qeveria po e trajton sjelljen në atdhe të eshtrave të Madhështisë se Tij, jo si Mid’hat Bej Frashri, kryetar i Kongresit të Manastirit, Firmëtar i Pavarësisë, Ministër i Qeverisë së Parë Shqiptare, Kryetar i Kongresit të Arsimit Shqip, Diplomati i Shquar, Kryetar i Ballit Kombëtar, Kryetari i Qeverisë në Mërgim Komiteti Shqipëria e Lirë (e njohur nga aleatët perëndimorë), por vetëm si njeriun e letrave shqipe Lumo Skendo, ne duhet të jemi të gjithë atje për ta nderuar e kujtuar për të gjitha ato që ai mbart si Njeri, Patriot, Politikan, Filozof, Shkrimtar, Mësues i Madh i Kombit e Popullit Tonë. Simbolin e Shqiptarizmit, Djalin e Abdylit nipin e Samiut dhe Naimit.
Të nderuar antikomunistë!
Ne nderojmë simbolin e antikomunistit shqiptar. Ishte ai që e kuptoi më mirë se kushdo rrezikun komunist për Shqipërinë dhe shqiptaret dhe luftoi me çdo mjet e mënyrë deri në fund të jetës së tij kundër tij.
Të nderuar nacionalistë!
Ëndrra dhe projekti i tij politik tij për Shqipërinë Etnike është dhe mbetet ëndrra e çdo njërit nga ne. Qindra vjet të parët tanë u sakrifikuan për ketë projekt prandaj duke nderuar Mid’hat Bej Frashrin ne nderojmë çdo martir të vrarë burgosur e persekutuar për idealet nacionaliste. Kjo është për ne një ditë e veçantë. Kryetari edhi, ai tani është mes nesh edhe fizikisht dhe kjo është një mundësi e madhe për ne pasi tani kemi një vend ku të lutemi për shpirtin e tij, një varri që në fakt nuk simbolizon vdekjen por ringjalljen e idealit tonë atdhetar, një Mekë e Jeruzalem i Shqiptarizmës.
Të nderuar Legalistë!
Duke nderuar Mid’hat Frashrin ne nderojmë idealin tonë të përbashkët. Aleatin në mërgim të Mbretit Zogu! Bashkëpunëtorin e Abaz Kupit dhe të tjerëve legalistë në Komitetin Shqipëria e Lirë. Ata i bashkoi ideali i madh i Shqipërisë Etnike dhe antikomunizmit gjë që duhet ta bëjmë edhe ne dhe demonstrimi më i mirë se kudo kjo demonstrohet nesër në homazhet në nderim te tij.
Vëllezër e motra shqiptarë! Duke nderuar Madhështinë e Tij Mid’hat Bej Frashri ne nderojmë veten tonë pjesëtar të një kombi sa fisnik aq edhe historik, nderojmë pjesën e lavdishme të historisë sonë ku Mid’hat Bej Frashri dhe paraardhësit e tij të lavdishëm kanë lënë gjurmët e tyre te arta.
Prandaj thirrja ime sot është: Të gjithë në homazhet e Madhështisë së Tij. Ne nderojmë Mid’hat Bej Frashrin qeveria dhe organizatorët le të rivarrosin Lumo Skëndon .
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.