NDËRKOMBËTARËT…?!
Nga Klodi Stralla
Në këto 27 vjet, tek ne, janë angazhuar ambasadorë, OJF, specialistë të fushës dhe tash së fundi edhe FBI-ja amerikane (të gjithë të njohur si “ndërkombëtarët”), për t’a çrrënjosur krimin, informalitetin dhe korupsionin galopant që ka pllakosur vendin.
Unë, çështë e vërteta, nuk jam fort optimist, për të mos thënë mosbesues. Do të ndryshojnë disa gjyqtarë, disa prokurorë, do të ndëshkohet edhe ndonjë kryetar komune apo ndonjë kriminel i rrugës, por vetëm kaq. “Peshqit e mëdhenj”, që ndërkombëtaret i kanë pranuar për peshkatarë, do të vazhdojnë të gjuajnë “peshq të vegjël”, qetë-qetë, në moçalin që kanë krijuar vetë; por moçali do të mbetet aty ku ka qenë.
Pse, do të më pyesni ju, je kaq mosbesues, ndryshe nga kolegu yt, tejet optimist, avokat Ngjela, që parashikon muajin mars si fundin e kësaj klase politike?
Po u përgjigjem me një fragment fare të shkurtër nga një korrespondencë midis dy mbretërve në Greqinë Antike (sa e pasur është ajo periudhë me mësime jete!), shkëputur nga historiani më i madh i kohës – Tuqididi.
“Mbreti i Tebës (qytet shtet grek) i ankohej mbretit të Spartës se ambasadori i saj, i akredituar pranë tij, ishte shumë i korruptuar dhe po bënte figurë të keqe për vendin e tij, Spartën, prandaj e këshillonte që të merrte masa për ta zëvendësuar me një tjetër.
Mbreti i Spartës, pasi e lexoi letrën, i ktheu këtë përgjigje: “ I dashur koleg, e kundërta ndodh me ambasadorin tuaj në shtetin tim, ai është shembull dhe model i një zyrtari të mirë e të përkushtuar, si gjithë qytetarët e mi spartanë. Fajin, për sa më shkruan, duhet ta kërkosh gjetiu !”
Optimistët bazohen tek “Ndërkombëtarët”, të cilët jam i bindur që, para se të vijnë në Shqipëri, kanë qenë profesionistë dhe të nderëm me detyrën në vendin e tyre por, me të ardhur këtu, koruptohen nga moçali ynë, ashtu si ai uji që mer formën e enës ku e hedhin.
Gjithsesi, të presim e të shohim; pak durim, thotë avokati, gjer në marsin që vjen….:)