Morali politik si kërcënim elektoral për PD-në

Nga Nebil Çika

“Metropol”, 23 mars 2013

Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj i ka dhënë një leksion morali jo vetëm klasës politike, por gjithë opinionit publik shqiptar me qëndrimin e tij në Komisionin e Ligjeve disa ditë më parë. Ai nuk i ka mbështetur dy kandidaturat e propozuara nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, për vendet vakante në Gjykatës Kushtetuese, të diskutuara në Komisionin e Ligjeve, gjë që besohet se është dhe një nga shkaqet e shtyrjes së miratimit të tyre nga Kuvendi i Shqipërisë një javë më parë. Shkak është bërë puna e tyre në strukturat hetimore të diktaturës komuniste para viteve ’90 dhe implikimi në hetimet e dënimet politike për llogari të saj. “Vota ime është pro zotit Xhezair Zaganjori dhe vota ime është ‘abstenim’ për dy kandidaturat e tjera të Gjykatës Kushtetuese. Linja politike dhe morale që kam mbajtur edhe në të gjitha rastet e tjera besoj se në këtë rast është një logjikë e pastër shkak-pasojë”, – deklaroi Alibeaj në mbledhjen e fundit të Komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, ku u shqyrtuan kandidaturat e Presidentit Nishani, duke dëshmuar kështu integritet politik e politik të paparë me parë. të paktën në këtë legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë. Megjithëse media, që dëshmoi edhe një herë kontrollin politik mbi të, i dha pak rëndësi këtij veprimi të z. Alibej, ai përbën pa dyshim një nga rastet më të spikatura politike, duke theksuar domosdoshmërinë e moralit politik, por dhe fatkeqësinë e mungesës së tij në radhët e klasës sonë politike. Në fakt, pritej që një qëndrim si ky i z. Alibeaj të reflektohej edhe nga Presidenti e Republikës, i ardhur nga mazhoranca, dhe nga anëtarët e tjerë demokratë të Komisionit të Ligjeve, gjë që, fatkeqësisht, nuk ka ndodhur, të paktën jo këtë herë. Qëndrimi korrekt me moralin politik i z. Alibeaj çon në rihapjen e debatit aq të diskutuar mbi seriozitetin e antikomunizmit të shumicës aktuale politike dhe raportin e saj sa të paqartë aq dhe të pasinqertë me të kuruarën komuniste, krimet dhe autorët e saj. Mendoj se propozimi nga Presidenti i emrave të implikuar në krime dhe votimi nga shumica e deputetëve të mazhorancës në Komisionin e Ligjeve të këtyre dekreteve e vë në dyshim antikomunizmin e PD-së në prag të zgjedhjeve politike. Dua të theksoj se një nga pikat më të forta, për të mos thënë e vetmja që e veçon atë si antikomuniste nga rivalja e saj, PS-ja, ka qenë qëndrimi ndaj diktaturës komuniste, që në këtë mandat qeverisës është shprehur kryesisht tek emërimet, sidomos në gjyqësor, ku pjesorja e individëve në krimet e diktaturës komuniste ishte vendosur si një standard i panegociueshëm, gjë që ka marrë dhe miratimin e shumicës së shqiptarëve. Mund të thuhet pa frikë se ky standard ishte i vetmi akt apo veprim konkret që na kujtonte ende se PD-ja ishte partia antikomuniste e këtij vendi, cilësi që i ka siguruar asaj që nga 1990-a e këtej të paktën 30% të votave të saj në të gjitha zgjedhjet. Shumë dekrete presidenciale apo propozime të tjera janë rrëzuar nga ky komision apo parlamenti pikërisht për shkak të këtij fakti. Kështu, kandidatura e Artan Hoxhës për President të Republikës, një propozim i PD-së, u rrëzua vetëm pak minuta para votimit në parlamentet, pasi akuzohej si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, gjë që, sipas vetë z. Hoxha, bëhej fjalë vetëm për një firmë të marrë me mjete presioni, një gjë e njohur për kohën e diktaturës. Vexhi Muçmata, ish-prokuror, aktualisht kandidat për deputet i PS-së në Kukës, u rrëzua si kandidaturë pikërisht nga ky komision parlamentar për shkaqe të ngjashme me arsyet që z. Alibeaj pruri si argumente për abstenimin e tij ndaj dy dekreteve në fjalë të Presidentit Nishani. Ka dhjetëra kandidatura e dekrete që në këto vite të qeverisjes demokratike janë rrezuar nga Kuvendi pikërisht për implikimin në krime të komunizmit, atë standard të moralit politik që e ndan më shumë PD-në nga PS-ja: qëndrimin ndaj diktaturës dhe krimeve të saj. Por ndërsa djeg një të akuzuar si bashkëpunëtor i institucioneve të dhunës politike të diktaturës, siç ishte kandidati për president Hoxha, PD-ja miraton dekrete të firmosura nga Presidenti i zgjedhur prej saj, z. Nishani, të punëtorëve të këtyre institucioneve. Që të merremi vesh në këtë pikë, besoj se biem dakord që punëtorët e institucioneve janë më përgjegjës për krimet e diktaturës sesa bashkëpunëtorët e tyre. Nuk e di motivimin e këtij veprimi nga ana Shkëlqesisë së Tij. z. Nishani dhe anëtarëve demokratë të Komisionit të Ligjeve përveç z. Alibeaj, por mendoj se ky ndryshim qëndrimi e standardi pikërisht në prag të zgjedhjeve përbën një problem serioz politik e elektoral për të. Me shumë të drejtë PD-ja ka sulmuar ish-presidentin Topi për dekretimet dhe dekorimet e autorëve të krimeve të diktaturës komuniste dhe shumë prej tyre janë rrezuar pikërisht për këtë arsye apo standard. Kjo tolerancë apo ky qëndrim ndryshimi me dekretet me të njëjtat probleme të z. Nishani duket se i zhvleftëson këto akuza dhe në kohën që po ndodh i jep pikë politike e elektorale z. Topi, i cili garon në këto zgjedhje kundër PD-së. Por ka edhe një gjë tjetër thelbësore që i bën këto dy dekrete të Presidentit dhe miratimin e tyre në parlament nga PD-ja të rrezikshme nga pikëpamja politike e elektorale. Gjykata Kushtetuese është akuzuar nga lidershipi i PD-së dhe krejt e djathta si autore kryesore e rrëzimit të ligjit të lustracionit, sepse shumica e anëtarëve të saj ishin në konflikt interesi, pasi kishin qenë vetë gjykatës e hetues të diktaturës komuniste. Në këtë logjikë i bie që ishte detyrim për PD-në të pastronte ketë gjykatë nga anëtarët në konflikt interesi me ligjin kundër krimeve të komunizmit realizimi i të cilit mund të bëhej vetëm nëpërmjet emërimeve të reja sipas standardit të aplikuar për shumë të tjerë më parë. Zëvendësimi me të tjerë anëtarë në konflikt interesi apo edhe më keq shtimi i anëtarëve të tillë duket mungesë absurde e moralit politik, por dhe një papërgjegjshmëri politike sa e dyshimtë aq dhe e pajustifikuar politikisht dhe elektoralisht. Leksioni i moralit që z. Alibeaj demonstroi me qëndrimin ndaj dy dekreteve në fjalë vlen jo vetëm për grupin parlamentar të PD-së. Presidenti Nishani, e sidomos këshilltarët e tij të prezantuar si antikomunistë apo si përfaqësues të shtresave të tilla shoqërore kanë sigurisht përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar nga këto dy dekrete qoftë edhe për heshtjen apo mosreagimin ndaj një zhvillimi si ky. Rrëzimi i kandidaturës së z. Hoxha për president u bë pikërisht në emër të antikomunizmit dhe që kreu i shtetit të mos binte më në pozita si këto, përndryshe ç’kuptim kishte rrëzimi i tij? Pikërisht për veprime të tilla z. Topi hyri në konflikt me bazën e djathtë të politikës dhe elektoratin shqiptar që e zgjodhi e kthyer tashmë në një goditje fatale për karrierën e tij. Por ndërsa z. Topi po e merre vetë përgjegjësinë elektorale të veprimeve të tij, pasi kandidon kundër PD-së, përgjegjësia për veprimet e z. Nishani e veçanërisht deputetëve të PD-së shkon te z. Berisha dhe kundër përpjekjeve të tij për një mandat të tretë qeverisës në zgjedhjet e 23 qershorit. Më habit gjithashtu edhe qëndrimi i shoqatave të ish-të përndjekurve apo partive të djathta antikomuniste, që deri tani kanë heshtur ndaj dekreteve të Presidentit. Përveç Artur Roshit të PBKD-së askush nuk ka pasur guximin të kundërshtojë publikisht këto dekrete, gjë që e bën efektin e leksionit moral deputetit Alibeaj edhe më të gjerë e më domethënës.

 

Por ka edhe një tjetër aspekt që e bën më serioz dhe më të vlerësuar qëndrimin politik e moral që z. Alibeaj demonstroi me abstenimin e tij në Komisionin e Ligjeve. Në rrethet politike e meditaike ky veprim i tij shihet si një guxim i tepruar, që mund t’i dëmtojë rëndë karrierën politike në PD dhe kandidimin në zonë të sigurt të listave të saj për deputetë, që pritet të publikohen ditët në vazhdim. Unë personalisht nuk hyj tek ata që e besojnë një zhvillim të tillë. Fakti që ai midis konformizmit dhe moralit zgjodhi këtë të fundit i bën nder më së pari vetë PD-së dhe politikës së saj. Pas një mandati qeverisje të vështirë e të shtangur edhe për shkak të koalicionit me një parti qartësisht të majtë si LSI-ja, morali politik dhe politikanët që e kanë ende atë janë ato që PD-ja ka nevojë më shumë se kurrë nevojë për të fituar, nëse seriozisht e do një gjë të tillë në këto zgjedhje.

Marre nga libri “Diktatura e Dosjeve” botimi i vitit  2014 .Nebil Çika (i Riu)